Partia Demokratike ka vendosur këtë të hënë, më 15 dhjetor, që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjen e Endrit Shabanit si Avokat Populli.
Siç ka mësuar gazetari i Klan News Enkel Xhangolli, padia nuk është ngritur ende, megjithatë kjo do të ndodhë në ditët në vijim.
Sjellim ndërmend se Endrit Shabani u zgjodh Avokat Populli më 11 dhjetor, me 85 vota pro, pa asnjë abstenim dhe me vetëm 3 vota kundër, në një seancë ku vendet e deputetëve të opozitës mbetën bosh, pasi ata u larguan para fillimit të votimit.
Vendimi u mor në një klimë të tensionuar politike, pasi Partia Demokratike ndryshoi disa herë qëndrimet e saj për këtë proces.
Në ditët e mëparshme, PD-ja kishte firmosur në mbështetje të gjashtë kandidaturave që garonin për detyrën e Avokatit të Popullit. Megjithatë, më pas demokratët deklaruan tërheqjen e nënshkrimeve dhe kërkuan në seancë që procedura të shtyhej dhe pika e rendit të ditës të hiqej.
Para pak ditësh, në një konferencë për mediat, Berisha komentoi zgjedhjen e Endrit Shabanit duke u shprehur se ai ishte “emëruar pa asnjë firmë nga asnjë deputet, përveç dy që janë të një partie tjetër. Pra nuk ka pasur kurrë asnjë firmë nga PD në momentin që është votuar”.
Berisha ironizoi kryeministrin Edi Rama, duke thënë: “Nuk ka shans kurrë që të shkojmë më tej ne dhe të mashtrojë Edi Rama siç mashtroi. Jo, e gëzoftë Endrit Shahanin, ta mbajë. I gëzoftë gjykatësit që bllokojnë vendimet e gjykatave kur pariten apo urdhërohen nga Edi Rama. Ky narkoshtet u ka shpallur luftë shqiptarëve, Kushtetutës, qytetarëve. Ne do qëndrojmë në anën e tyre.
– Kryedemokrati, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të PD-së, 15 dhjetor, e cilësoi procesin e emërimit të Avokatit të Popullit si një grabitje politike nga kryeministri Edi Rama, duke akuzuar mazhorancën për shkelje të hapur të procedurave kushtetuese dhe ligjore.
Berisha theksoi se kjo mbledhje shënon një “kthesë historike” në qëndrimin e opozitës përballë asaj që ai e quan “narko-regjim”, duke theksuar se çdo përpjekje për bashkëpunim minimal me kundërshtarët politikë ka rezultuar një vetëmashtrim.
Sipas tij, opozita kishte pranuar bashkëpunim në tre çështje kyçe, zgjedhjen e Avokatit të Popullit, reformën zgjedhore dhe reformën territoriale, por Rama provoi se nuk toleron asnjë formë balance dhe kontrolli të pushteteve.
Berisha akuzoi kryeministrin se pas dy vitesh bllokimi të procesit, emëroi “njeriun e tij”, një kryetar partie që “ditën paraqitej si opozitë dhe natën flirtonte me mazhorancën”, duke e zgjedhur pavarësisht se firmat për kandidaturën e tij ishin tërhequr zyrtarisht nga firmëtarët.
Kreu i PD-së deklaroi se emërimi u bë në kundërshtim me praktikat e mëparshme dhe standardet europiane, ndërsa pranoi se dhënia fillestare e firmave nga opozita kishte qenë një gabim, për të cilin është kërkuar ndjesë publike.
Në mbyllje, Berisha theksoi se me zhvillimet e fundit nga krahu tjetër, është i pamundur bashkëpunimi dhe se opozita duhet të rishikojë tërësisht strategjinë e saj politike.
Kujtojmë se këtë të hënë, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i bëri thirrje opozitës për reflektim sa i takon punës së përbashkët në dy komisionet e posaçme, ndërsa në mbledhjen me socialistët, kreu i qeverisë, Edi Rama, ka theksuar se “mazhoranca do vijojë me të njëjtin ritëm pavarësisht qasjes që do ketë Partia Demokratike”.
Reagon Balla
Gjatë mbledhjes me grupin e PD, Berisha akuzoi mazhornacën se emëroi Avokat Populli një kryetar partie që ditën paraqitej si opozitës, natën flirtonte me të.
“I lodhuri paska dalë e folur përsëri mbi zgjedhjen e Avokatit të Popullit, proces i cili u zhvillua tërësisht sipas parashikimeve të Kushtetutës dhe ligjit të vet organik, duke nxjerrë fitues një kandidat të mbështetur me më shumë se 28 firma nga Partia Demokratike”, thotë Balla.
Partia Socialiste, sipas tij, mbajti deri në fund qëndrimin për të mos propozuar asnjë kandidat të vetin, por për të mbështetur në seancën plenare një nga kandidatët e propozuar nga opozita.
“Nga gjashtë kandidatët e propozuar nga opozita, kandidati që siguroi 3/5 e anëtarëve të Kuvendit ishte kandidati Endrit Shabani. Kjo është e gjitha për sa na takon. Ndërkohë që nga ana e Partisë Demokratike u luajt hajgare, siç i thonë në Kosovë, me procesin dhe me vetë kandidaturat. Nga një anë firmosnin për një, nga ana tjetër firmosnin për një tjetër dhe nga një anë e tretë ia jepnin firmat edhe njërës apo edhe tre të tjerëve. Pastaj vinin e thonin: aman mos votoni për atë se ajo është e çmendur, jo atë se është i pabesë, jo këtë se nuk e duam. Ik njëri e hajde tjetri si kalamajtë e kopshtit, deri kur kaluan në kërcënime si fëmijët e nëntëvjeçares.”, shkruan Balla.
Ai akuzon Partinë Demokratike se e ka shndërruar procesin në një farsë. “Dhe për sa na takon pastaj bashkërisht, ua kemi bërë të qartë sa herë na është dhënë mundësia se me lojëra macja me miun apo kërcënime e presione ndaj nesh ta harrojnë se mund t’i marrim seriozisht. Po të duan me rregulla loje e qytetari, hajde ulemi dhe të diskutojmë për çdo gjë. Përndryshe, ne nuk do t’i presim për asnjë moment. Sepse nuk kemi orë për të humbur, ditë, javë apo muaj jo e jo.”, thekson ai.







