HomeOP EDElegji për së gjalli për PD-në e sotme. 35 vjet PD, për...

Elegji për së gjalli për PD-në e sotme. 35 vjet PD, për të festuar apo vajtuar…? NGA XHEVAT MUSTAFA 

Advertismentspot_img

NGA XHEVAT MUSTAFA 

11 Dhjetori, dita e 35-vjetorit të krijimit u jep arsye demokratëve të bëjnë një bilanc të arritjeve dhe sukseseve dhe të gabimeve, dështimeve dhe humbjeve… Gjykoj se sot kanë plotësisht të drejtë të mburren me arritjet historike dhe me rrjedhoja pozitive dhe me interes mbarëkombëtar gjatë rreth 12 viteve të qeverisjes nga partia e tyre… Më të rëndësishmet mund të vlerësohen dhe llogariten liberalizimi i vizave, anëtarësimi në NATO, “Rruga e Kombit”, gazsjellësi TAP, etj. etj… Natyrisht, në historinë 35-vjeçare dhe sidomos në atë 12-vjeçare të qeverisjes së saj, janë përjetuar edhe gabime, dështime, veprime me rrjedhoja të dëmshme, jo vetëm për atë vetë. Për këtë bilanc arritjesh dhe dështimesh më 23 qershor 2013, PD u ndëshkua me humbjen e pushtetit politik.

Njëkohësisht, pas dorëzimit të pushtetit në duart e gjata të Edi Ramës me shokë e shoqe, për PD-në nisi edhe “epoka” e sherr shamatave apo e grindjeve të brendshme, e rënies si numër mandatesh dhe peshë politike në parlament e në mbarë strukturat e piramidës politike dhe qeverisëse… Kjo mund të quhet edhe “epoka” e një seriali humbjesh në zgjedhjet parlamentare dhe për pushtetin vendor… Nëse bëhen “analiza me skaner”, do të dalë se për këto humbje, përgjegjësitë e brendshme, të ekipit qendror drejtues dhe ato të jashtme, të diversionit dhe veprimeve të tjera jodemokratike nga Ramaqeveria, deri në futjen e dy duarve dhe këmbëve në listat dhe kutitë e votimit, nën hundën e vëzhguesve vendës dhe ndërkombëtarë, shumica të blerë, ka shumë gjasa të dalin thuajse të barabarta…

Në mënyrë figurative, si një gotë e mbushur te gjysma, që nga pika e vështrimit mund të duket edhe plot, edhe bosh… Kam mendimin se edhe pse ditë festive, PDja nuk duhet të humbë shumë kohë me ekstazimin nga kujtimi i arritjeve historike dhe kalimi fare përciptas i gabimeve, mosarritjeve, humbjeve… Fare shqip, përditë e më shumë po kuptohet se PD, afro 35-vjeçare, nuk del lehtë dhe shpejt nga “gremina”, ku e kanë hedhur vetvetja dhe kundërshtarët e jashtëm! Nëse demokratët kanë me bollëk arsye të ndjejnë një gëzim gjysmak, shumë lart e larg, në ferr, janë bërë me fletë nga gëzimi shpirtrat e Ramiz Alisë, Hekuran Isait, Simon Stefanit, Neshat Tozajt, Luan Pobratit…, që skenari i tyre është realizuar me sukses të plotë! Jo më pak se këta ndjehen të gëzuar edhe Edi Rama me shoqe e shokë, si dhe me brigadat e kuqe me administrativistë, patronazhistë, veteranë të Enverit dhe të Edit…

Domethënë, që PD është bërë siç e kanë dashur dhe duan ata, garniturë pluralizmi dhe arenë për debate shterpe e sherre të stisura, sidomos në parlament! Kryesorja, që në Shqipëri të mbretërojë e vetme, sa të jetë jeta, partia e tyre me tri emra! Jo pak janë gëzuar nga suksesi i skenarit edhe i roleve të tyre ca “demokratë”, që netëve, veshur me kostume blu, shkonin tek “shefat” për të marrë përgëzime dhe këshilla të reja si dhe në debate televizive, si opinionistë, ndërsa ditëve, me kostume zyrtarë, sidomos në seanca dhe mbledhje të komisioneve në parlament! Sinqerisht, nuk ndjej kënaqësi që koha më ka dhënë të drejtë për paralajmërimet për këtë skenar dhe për ardhjen e kësaj dite të sotme, të bërë në gazetat “Rilindja Demokratike” dhe “Republika” qysh më 15 qershor 1991, në “Intervistë imagjinare me Enver Hoxhën: “Mos kujtoni se kam vdekur, i kam dy duart jashtë!” dhe në 5 dhjetor 1991, me shkrimin “Çmim të parë për skenarin ramizian antidemokracia!”. Nuk më dëgjuan, jo se ishin “të shurdhët”, por se “ashtu ishte një llaf e punë apo një skenar…”.

Apo, fare troç e shqip, sepse Berisha ishte i rrethuar nga spiunë e njerëz të Ramiz Alisë dhe të Xhorxh Sorosit dhe dëgjonte vetëm ata, që i flisnin në vesh dhe e përgojonin pas kurrizit, më së shumti me epitetin racist, “maloku…”! Më vjen shumë keq që tani, PD është katandisur ashtu siç e mendoi dhe e deshi Ramiz Alia. E mirëkuptoj opinionin, të fortë te plot demokratë të flaktë dhe të pavarur antiedramistë e të dobët te shumë të tjerë, të moderuar se “PD është shpresa e vetme për shqiptarët, që kërkojnë ndryshim rrënjësor e rotacion politik”, pas mbi 12 vjet qeverisjeje të papërgjegjshme, korruptive, çnjerëzore, deri në veprime, me doza, herë të fshehta e herë fare të maskuara, mercenarizmi dhe antikombëtarizmi! Por, dëshiroj t’i bëj një shtesë apo interpretim më të zgjeruar këtij mendimi. Është në të mirën e PD-së dhe të vendit që kjo ditë e të tjerat më pas të shërbejnë për të analizuar shkaqet dhe faktorët e dështimeve dhe sidomos, përse PD ka ardhur sot, në 35-vjetorin e saj, në këtë gjendje trishtuese dhe fare pak nxitëse për të festuar…

PD e reformuar dhe unifikuar seriozisht, si një parti e vërtetë demokratike, me aleatë parti të sinqerta të spektrit të saj e jo miniparti, pa anëtarësi dhe elektorat, është alternativa dhe shpresa e vetme, në qoftë se del përpara shumicës së shqiptarëve me strategji, programe, vepra konkrete, konstruktive, transformuese, me kryesi pa njolla dhe gjurmë të forta korrupsioni…! PD mund të jetë shpresa e vetme me lidership të ri demokrat nga shumëçka e jo vetëm nga teserat, pasaportat dhe diplomat; nga faturat dhe ngjyrat e kostumeve, të këpucëve, orëve të dorës; nga flokët e mjekrat; nga markat e veturave, nga katet e vilave dhe të pallateve…! Po ripërsëris një shprehjen time të hershme, në një shkrim të botuar rreth 20 vjet më parë, po në “Panorama”. Në mënyrë figurative, gjatë “operacionit çezarian”, PD “ka lindur me dy dëmtime të rënda në kokë”. Ajo ka “kujtesë të dobët” për të shkuarën e “demokratëve turistë” apo 1-2 mandatorë dhe kujtesë e mirënjohje të pakët për pjesën më gjenetike, sakrifikuese, kontribuuese të anëtarësisë dhe elektoratit të saj.

Domethënë, për ata që nuk e kanë braktisur me zemra, mendje, trupa, vota edhe në ditët më të vështira e të rrezikshme për 35, 25, 15…! Është bërë e kuptueshme se pjesa më e madhe e “demokratëve të orëve të fundit” iu ngjitën PD-së me kushtin paraprak: “Vij që të bëhem deputet, ministër, zv.ministër, kryebashkiak, drejtor në ministri e bashki…”. Domethënë, që për 4 vjet të marrin pagë, dieta, bileta, pensione, privilegje të shumta pushtetari të lartë e të mesëm. Pasi i siguruan këto, tani bëjnë demokratin e moderuar, të emancipuar, liberal, jo fanatik, jo radikal, profesorin, edukatorin… për demokratët e orëve, ditëve, viteve të para… Nënkuptohet, që mendojnë se kështu mund të jenë të pëlqyeshëm dhe të pranueshëm edhe nga Rama, edhe nga ambasadorët e SHBA-ve e të BE-së; nga shoqëria civile, “populli i majtë”, “mediat e pavarura. Në këtë “listë të gjatë” me kërkesa e kushte për PD-në dhe lidershipin e saj të kthesës e të shpresës, për të mos mbetur me vite të tjerë opozitë që bën protesta të mëdha rrallë e për mall apo në vartësi të temperaturave të motit e jo të 1001 halleve të robit si dhe miniprotesta, çdo të hënë në mbrëmje…, bile në krye të kësaj liste është kërkesa që të mos jenë “kuaj dhe pela Troje, Blloku, Sorosi, Surreli…”! Të mos kenë dosje e pseudonime! Edhe gruan ose burrin përfitues të shpeshtë në miliona euro prej Rama-Balluku-qeverisë, në formë tenderësh, koncesionesh, PPP-shë, lejesh ndërtimi…! Sepse këta, në vesh apo krevat, në celular, me zë apo SMS mund “t’i këshillojnë”: “Mos e kritiko shumë Ramën dhe qeverinë, sepse na e bllokon e than këtë lumë përfitimesh…!”.

Që të mos kenë një fije floku, nga t’i kapë “syshqiponja” SPAK! Disa jo pa të drejtë mund të thonë: “Të kërkohen në një parti politike në Shqipëri, njerëz që përmbushin këto kërkesa e kritere, është thuajse njësoj sikur të kërkosh femra të virgjëra, që punojnë prej vitesh nëpër shtëpi publike”! PDsë së re ose të rindërtuar e të reformuar, me mendësi e strategji të re i duhet si ajri, edhe uji që të rifitojë masivisht mbështetjen dhe besimin e humbur tek anëtarësia dhe elektorati i vet “gjenetik”! Mbetja për shumë vite të tjerë e vendit dhe e shumicës së shqiptarëve pa PD, pa opozitë, pa alternativë qeverisëse, shumë më të aftë, tepër më të ndershme e me imunitet shumë më të fortë ndaj çdo virusi korruptiv, ndjeshëm më konstruktive, domethënë mbetja edhe të paktën 10 vjet të tjerë nën Rama-parti-qeverinë, është dhe do të jetë tragjedi kombëtare! Edhe socialisto-rilindasit e thjeshtë dhe shqiptarë e qytetarë, nëse gjykojnë thellë dhe qartësisht me mendtë e veta, nuk kanë arsye të gëzohen për katandisjen e PD-së dhe të vendit në këto gjendje katastrofike, gati si më 1997, 2000… pa opozitë! As për “fitoret” apo “fitorjet” e kandidatëve socialisto-rilindas në zgjedhjet e 11 majit, pas skandaleve moralë, korruptivë, ligjorë… të paraardhësve të tyre dhe dështimeve të shumta e pandalshme në të gjitha frontet të partisë dhe të kryetarit të tyre të zemrës, me kulm dosjen apo skandalin Linda Balluku, i ngjashëm edhe me atë Olta Xhaçka…!

Në fund të fundit, edhe shumica e socialisto-rilindasve të thjeshtë, si shumica e qytetarëve të tjerë, janë humbës dhe viktima të keqqeverisjes socialisto-rilindase…! Një nga dëshmitë apo faktet e kësaj paaftësie gjenetike të qeverive të majta është shifra rreth 750 mijë-1 milion shqiptarëve, kryesisht të moshave të reja, që kanë ikur si emigrantë në vendet e Perëndimit kapitalist. Shqipërisë së sotme e të nesërme, shumë më ndryshe dhe shumë më të mirë se kjo e sotme, i duhet jo vetëm një PD dhe opozitë e vërtetë, por edhe një PS e vërtetë, më demokratike, më njerëzore, më sociale, më shqiptare, më e aftë për qeverisje të suksesshme; më e ndershme dhe më e përgjegjshme; më njerëzore dhe më sociale…!

Mbi të gjitha, Shqipërisë i duhet një popull me nivele të larta apo bashkëkohore veriperëndimore arsimimi, kulturimi, emancipimi demokratik dhe qytetar, reflektimi dhe reagimi, që të gjykojë dhe votojë me mendtë e veta dhe për të mirën e vet dhe të mbarë vendit dhe të Kombit e jo vetëm të partisë së zemrës… dhe të kryetarëve të saj të vetë zgjedhur, me farsa zgjedhore edhe brenda partisë së tyre. Më shqip, i duhet popull si ata që mbushin këto ditë sheshet e protestave në Athinë, Bruksel, Sofje, Madrid dhe më herët, në Paris, Romë, Berlin…! Kështu që mbetet të urojmë: PD-në e ndihmoftë Zoti në qiell dhe… Donald Trump në tokë!? Natyrisht, nëse Trump e di nga bie PD dhe gjen kohë me u marrë edhe me hallet dhe sherret e përbrendshme 35-vjeçare të saj…. Megjithatë, kam bindjen e plotë se dalja e PD nga “humnera e Bllokut dhe e Sorosit” është plotësisht e mundur. Kuptohet, vetëm nga mendjet, zemrat, duart e vetë demokratëve, sidomos e atyre të rinj…!

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular