Është përkujtuar në Universitetin “Fan Noli” të Korçës 83-vjetori i ndarjes nga jeta të Faik Konicës, një prej mendjeve më të ndritura të kombit shqiptar, personalitet erudit që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit tonë. Në aktivitet mori pjesë edhe një nga figurat e nderuara të Federatës Panshqiptare “Vatra”, Beqir Potka, i cili kontribuoi duke bërë të mundur kthimin e eshtrave të Konicës në Shqipëri – një amanet i tij që u realizua 50 vjet pas ndarjes nga jeta.
Në këtë aktivitet, Këshilli i Qarkut Korçë Petrika Tollkuçi nderoi me certifikata mirënjohjeje Beqir Potkën. NE rrjetin social Facebook shoqëruar me fotografitë e eventit z. Tollkuçi shkruan: -“Në 83-vjetorin e ndarjes nga jeta të Faik Konicës, pata nderin të akordoj Certifikatë Vlerësimi në emër të Këshillit të Qarkut Korçë dhe Universitetit “Fan S. Noli”, për z. Beqir Potka nga Korça dhe z. Ekrem Bardha nga Kolonja me këtë motivacion: “Personalitet i shquar i kulturës dhe çështjes kombëtare, një prej figurave më të rëndësishme të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nismëtar i delegacionit që mundësoi plotësimin e amanetit të Faik Konicës për t’u prehur në tokën amëtare”. Në vitin 1995, eshtrat e Faik Konicës u sollën në Shqipëri duke plotësuar kështu dëshirën e tij të fundit.
“Kanë kaluar gati 30 vite dhe ndiej kënaqësi që sot po shënohet një përvjetor i tillë. Perëndia deshi që, ashtu siç ai ëndërronte, eshtrat të ktheheshin këtu,” – u shpreh Beqir Potka, anëtar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, SHBA. Për Universitetin e Korçës, studimi dhe përcjellja e jetës e veprimtarisë së Faik Konicës ndër breza ka rëndësi të veçantë. Përkujtimi i figurave të mëdha të kombit shërben si udhërrëfyes për studentët dhe të rinjtë.







