Një artikull i gjatë i Vanity Fair hedh dritë mbi rolin kyç të Susie Wiles, shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë, e cila përshkruhet si personi i vetëm që mund të kanalizojë vendimet impulsive të presidentit Donald Trump në mandatin e tij të dytë.
Wiles, një stratege veterane republikane dhe arkitekte e fitores së Trump, shfaqet si figura më me ndikim në administratë, më shumë sesa zëvendëspresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio apo Stephen Miller. Ajo nuk e kontrollon Trump-in, por e lehtëson dhe zbaton vizionin e tij, shpesh duke menaxhuar kriza të mëdha në prapaskenë.
Vanity Fair shkruan për një vit të trazuar të presidencës Trump me:
– zgjerim ekstrem të pushtetit presidencial,
– luftë ndaj karteleve të drogës,
– mbyllje e kufirit jugor,
– sulme ndaj mediave, universiteteve dhe kundërshtarëve politikë,
– falje masive për të dënuarit e 6 janarit,
– dhe akuza për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut
Një nga përplasjet më të forta ka qenë me Elon Musk, i cili drejtoi shkrirjen e USAID-it dhe pezulloi programe jetike humanitare, përfshirë PEPFAR-in për HIV/AIDS. Vetë Wiles pranon se ishte “e tronditur” dhe se u detyrua të ndërhynte për të kufizuar dëmet, ndërsa Trump, sipas saj, nuk hyn në detaje të tilla.
Wiles e përshkruan Trumpin si një njeri me “personalitet alkooliku” e që është i bindur se nuk ka asgjë që nuk mund ta bëjë. Ajo ka një marrëdhënie të ndërtuar mbi besim të fituar dhe është e vetmja që mund t’i flasë drejtpërdrejt, edhe kur nuk bie dakord me të.
Megjithatë, pyetja kryesore që shtron Vanity Fair mbetet:
A do ta frenojë ndonjëherë Susie Wiles Donald Trump-in, apo thjesht do ta ndihmojë të shkojë edhe më larg?
Në analizë, përgjigja lihet e hapur, por diçka bëhet e qartë: në Shtëpinë e Bardhë, pushteti real kalon përmes Susie Wiles-it.
Susie Wiles dhe mandati i dytë i Trump
Në pjesën e dytë të artikullit, Vanity Fair përshkruan se si Susie Wiles ka ndihmuar Donald Trump të ndërtojë një kabinet ekstremisht ideologjik, të mbushur me figura që kritikët i shohin si ndër më të papërgatiturit në historinë amerikane.
Mes emrave kyç janë:
– Pete Hegseth, sekretar i Luftës (ish-Mbrojtjes),
– Kash Patel, drejtor i FBI-së,
– John Ratcliffe, drejtor i CIA-s,
– Pam Bondi, prokurore e përgjithshme,
– Tulsi Gabbard, drejtoreshë e Inteligjencës Kombëtare,
– Kristi Noem, në krye të Sigurisë Kombëtare.
Wiles i quan ata “kabinet i klasit botëror”, të zgjedhur për të përballur atë që ajo e sheh si “shtetin e thellë”, veçanërisht kompleksin ushtarako-industrial.

Deportime masive dhe gabime…
Në mars 2025, pas aktivizimit të Alien Enemies Act, administrata Trump deportoi qindra emigrantë venezuelianë drejt një burgu famëkeq në El Salvador, pavarësisht urdhrave gjyqësore. Shumë prej tyre nuk kishin precedentë penalë, ndërsa të paktën një u deportua gabimisht.
Wiles pranoi se procesi kishte dështime serioze, por mbrojti linjën e ashpër: sipas saj, vetëm rastet e dyshimta duhej të rishikoheshin. Megjithatë, ajo nuk ishte në gjendje të shpjegonte raste si ai në Luiziana, ku dy nëna u deportuan bashkë me fëmijët e tyre shtetas amerikanë, përfshirë një fëmijë 4-vjeçar me kancer në fazë terminale.
Luftë tregtare dhe kaos ekonomik
Në prill, Trump shpalli “Ditën e Çlirimit” dhe vendosi tarifa masive ndaj partnerëve tregtarë, duke i quajtur një fitore ekonomike, edhe pse ndikimi real ishte mbi konsumatorët amerikanë.
Wiles e pranon se procesi ishte kaotik dhe se këshilltarët ishin thellësisht të ndarë. Ajo tentoi ta ngadalësonte presidentin, por pa sukses. Tarifat shkaktuan panik në tregje, rënie të bursës dhe talljen publike “TACO – Trump Always Chickens Out”, pasi Trump u tërhoq përkohësisht.
Sipas një sondazhi të Harvardit, 56% e amerikanëve mendojnë se tarifat e Trump-it kanë dëmtuar ekonominë.
Garda Kombëtare në qytete
Gjatë verës, Trump dërgoi Gardën Kombëtare në disa qytete të drejtuara nga demokratët, përfshirë Los Angeles-in dhe Washington-in, duke shpallur emergjencë kriminale.
Wiles e mbrojti vendimin si një “shtysë vitaminash” për rendin dhe sigurinë, por kritikët e cilësuan si të paligjshëm dhe kërcënim për demokracinë.
Kur u pyet nëse Trump mund të përdorë ushtrinë për të ndikuar apo ndaluar zgjedhjet, Wiles reagoi ashpër:
Është krejtësisht e pavërtetë!
Megjithatë, Vanity Fair ngre pyetjen kyçe: A po i shtyn Trump dhe ekipi i tij kufijtë kushtetues në një pikë të pakthyeshme?
Wiles thotë se Trump do t’u bindet vendimeve të gjykatave, por parashikon se administrata do të fitojë në fund…







