HomeSportTopi i Artë 2025 /Lojtarët e Kombëtares nderohen me trofeun “Ëndërr Botërori”...

Topi i Artë 2025 /Lojtarët e Kombëtares nderohen me trofeun “Ëndërr Botërori” për kualifikimin në play-off. Ja të gjitha çmimet e mbrëmjes Gala. Flasin Duka dhe Infantoni.

Advertismentspot_img

Kombëtarja shqiptare siguroi për herë të parë në historinë e saj kualifikimin në fazën play-off të një Kampionati Botëror. Një ëndërr e kthyer tashmë në realitet, jo vetëm për futbollistët e Kombëtares, por për të gjithë tifozët shqiptarë që e kanë ëndërruar këtë moment prej vitesh.

Një nga trofetë më të rëndësishëm të akorduar mbrëmjen e sotme në Galanë “Topi i Artë 2025” ishte nderimi i lojtarëve të Kombëtares për arritjen e këtij objektivi madhor dhe historik.

“Ëndërr Botërori” ishte trofeu që iu akordua sonte 12 lojtarëve të pranishëm në këtë event: Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Naser Aliji, Kristjan Asllani, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Klisman Cake, Alen Sherri, Mario Dajsinani, Juljan Shehu dhe Nazmi Gripshi.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i dorëzoi secilit prej lojtarëve nga një trofe, në shenjë falënderimi për këtë arritje historike.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në fjalën e mbajtur në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2025”, theksoi se futbolli shqiptar po jeton një moment historik zhvillimi dhe konsolidimi në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në mbyllje, Presidenti Duka riafirmoi angazhimin e FSHF-së për të synuar standarde edhe më të larta dhe për të ndërtuar një të ardhme edhe më të fortë për futbollin shqiptar.

Më poshtë fjala e plotë e Presidentit Armand Duka:

“Mirëmbrëma, e mirë se keni ardhur në mbrëmjen “Topi i Artë” 2025, e cila është më shumë se një ceremoni çmimesh. Është festa e futbollit – një gjuhë e përbashkët që lidh fëmijët që ëndërrojnë

me kampionët që na përfaqësojnë. Është çasti kur ndalemi, shohim pas me mirënjohje dhe përpara me besim, duke nderuar jo vetëm gola e trofe, por edhe të gjithë ata që i japin frymë futbollit çdo ditë.

Futboll do të luhet gjithmonë.. është luajtur para nesh dhe do të luhet edhe pas nesh. Ajo që ka rëndësi është që, për aq kohë sa i dedikohemi futbollit, ta bëjmë sa më mirë dhe të jemi krenarë për gjurmën që ne lëmë pas.

I tillë ka qenë për ne viti që po mbyllet, pasi ky vit shënon një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë e futbollit tonë. Rezultatet e Kombëtares, progresi i klubeve, tribunat e mbushura dhe pozicionimi i Shqipërisë në hartën e futbollit europian dëshmojnë qartë se futbolli shqiptar ka hyrë në një etapë të re zhvillimi.

Në muajin maj, vendi ynë priti për herë të parë finalet e një prej kompeticioneve më të rëndësishme të UEFA-s – EURO U17. Ndërsa në shtator, e shndërruam Tiranën në qendrën e futbollit europian, duke mikpritur Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Këto ngjarje i treguan

Europës se Shqipëria është e aftë të organizojë evente madhore me standarde të larta, duke reflektuar mikpritjen, profesionalizmin dhe vlerat thellësisht të rrënjosura në ADN-në tonë.

Sigurisht, këtë vit emocionet më të forta na i dha Kombëtarja. Për herë të parë në histori, Shqipëria është në fazën play-off të Botërorit 2026. Kjo fjali që dikur dukej e pamundur, sot është bërë realitet!

Të dashur futbollistë të Kombëtares,

Gjatë këtyre kualifikueseve ju keni qenë frymëzim për çdo fëmijë që ka veshur fanellën kuqezi, për çdo familje që është mbledhur para ekranit, për çdo tifoz që ka brohoritur nga ulëset e stadiumeve, si dhe për çdo shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Ne do të jemi krah jush në çdo hap drejt ëndrrës sonë të madhe, Botërorit! Por sonte, edhe pse emocionet e Kombëtares janë në zemrën e secilit nga ne, kjo mbrëmje u takon edhe atyre që mbajnë peshën e garës çdo javë: klubeve tona. Pikërisht për këtë arsye, angazhimi që mora në Asamblenë e FSHF-së këtë vit nuk është më thjesht një fjali në

procesverbal, por është kthyer në realitet konkret: 3 milionë euro do t’u shpërndahen klubeve të kategorisë “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë, duke nisur nga fillimi i vitit 2026. Një investim ky, që do të ndihet në çdo klub, në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje.

Futbolli shqiptar nuk kufizohet vetëm në 90 minuta në një stadium elitar; ai përfaqëson një univers të tërë energjie që pulson në çdo cep të vendit. Në sistemin tonë janë të regjistruar 27.866 persona të angazhuar në futboll si lojtarë, trajnerë, arbitra dhe vëzhgues, ndërsa janë organizuar 14.354 ndeshje në të gjitha nivelet – nga kampionatet elitare deri te garat amatore. Veçanërisht inkurajuese është rritja që kemi shënuar: 10% më shumë futbollistë djem dhe 23.8% më shumë vajza, krahasuar me sezonin e kaluar – një hap gjigant për vetëm një sezon.

Nëse Johan Krojf ka thënë se “ndeshjet fitohen shumë përpara se të hysh në fushë”, atëherë ne e dimë mirë se ato fitohen në projektet ku investojmë sot: në akademitë ku formohen lojtarët, në kurset ku trajnohen trajnerët, në infrastrukturën ku rriten gjeneratat e reja dhe në mbështetjen që i japim futbollit të vajzave.

Pikërisht për këtë arsye, gjatë këtij viti kemi përmbyllur një sërë investimesh konkrete në infrastrukturë, ku janë ndërtuar 14 fusha të reja futbolli në zona të ndryshme të vendit. Në total, vetëm për fusha dhe stadiume janë investuar 6,419,000 euro, pa llogaritur këtu edhe investimin prej 1 milionë eurosh në sistemin VAR.

Këto nuk janë thjesht kantierë dhe projekte, janë fusha ku do të rriten ëndrra, stadiume ku do të këndohet për fitore dhe një mesazh i qartë se futbolli shqiptar po forcon themelet e së ardhmes.

Një falënderim i posaçëm shkon për partnerët tanë strategjikë – Vodafone, Credins Bank, Sigal, Macron, Uji Tepelena, Western Union, Zenith, Birra Vatan dhe Abissnet – të cilët me mbështetjen e tyre na kanë ndihmuar në realizimin e projekteve tona.

Falënderoj veçanërisht Kryeministrin, Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve dhe të gjitha institucionet shtetërore për mbështetjen e deritanishme dhe bashkëpunimin që kemi ndërtuar ndër vite. Sot, i nderuar Kryeministër, më shumë se kurrë mendoj se ky bashkëpunim ka nevojë të thellohet.

Futbolli, siç e kam thënë shpesh, është më shumë se sport: është mënyrë jetese, një shkollë disipline dhe karakteri për fëmijët tanë. Prandaj dua t’i inkurajoj të gjithë partnerët institucionalë të marrim së bashku një përgjegjësi edhe më të madhe në vitet që vijnë – për t’u dhënë brezave të rinj më shumë hapësira, më shumë mundësi dhe një të ardhme të shëndetshme përmes sportit. Të dashur miq, Le ta mbyll këtë fjalë me një zotim të qartë: në vitin 2026 nuk do të mjaftohemi me atë që kemi arritur. Do të synojmë më lart, do të jemi më të rreptë me veten dhe më të guximshëm në ëndrrat tona për futbollin shqiptar. Sepse kjo është mënyra se si e jetojmë ne futbollin: si një forcë që na bashkon, na emocionon dhe na bën të besojmë se e nesërmja do të jetë më e mirë. Faleminderit të gjithëve që jeni pjesë e këtij rrugëtimi bashkë me ne! Gëzuar mbrëmjen e “Topit të Artë 2025” dhe rroftë futbolli shqiptar!”, – tha Presidenti Duka.

Topi i Artë 2025 / Berat Gjimshiti zgjidhet “Lojtari i Vitit i Kombëtares”

Për të dytin vit radhazi, në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë”, ku një hapësirë e veçantë i kushtohet Kombëtares shqiptare, kapiteni Berat Gjimshiti u nderua me çmimin prestigjioz “Lojtari i Vitit i Kombëtares”.

Çmimin e veçantë ia dorëzoi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Berat Gjimshiti udhëhoqi Kombëtaren shqiptare drejt një tjetër arritjeje historike, duke siguruar kualifikimin në fazën play-off të Kupës së Botës, ku Shqipëria, për herë të parë në histori, në mars të vitit 2026 do të tentojë të sigurojë një vend në Botëror.

Përzgjedhja e tij si “Lojtari i Vitit i Kombëtares” u bë përmes votave të vetë futbollistëve të Kombëtares shqiptare.

Topi i Artë 2025/ Mario Mitaj nderohet me trofeun “Zemra Kuq e Zi” nga tifozët shqiptarë

Kualifikimi për herë të parë në fazën play-off të Kampionatit Botëror 2026 ishte kurorëzimi i një viti historik për futbollin shqiptar. Kombëtarja ia doli të siguronte vendin e dytë në grupin K, ku ishte shortuar me Anglinë, Serbinë, Letoninë e Andorrën.

Ashtu sikurse edhe në vitin e kaluar të mbrëmjes gala, edhe këtë vit u nderua me trofeun “Zemra Kuq e Zi” një nga lojtarët e Kombëtares. Ky çmim është votuar nga të gjithë anëtarët e klubit “Tifozët e Kombëtares”.

Tifozët patën mundësi të votonin përmes një e-mail-i të dërguar nga FSHF dhe pas numërimit të votave, fitues u shpall mbrojtësi kuqezi, Mario Mitaj.

Ky trofe pasqyron vlerësimin e tifozëve për paraqitjet e tij të jashtëzakonshme dhe përkushtimin ndaj fanellës kuqezi. Trofeun ia dorëzoi Lorik Cana, ish-kapiteni legjendar i Kombëtares.

Në një fjalë të shkurtër, mbrojtësi u shpreh i lumtur dhe krenar që është vlerësuar nga tifozët me këtë trofe.

Topi i Artë 2025/ Edlir Tetova shpallet “Trajneri i Vitit”

Për të dytin vit radhazi, tekniku i Egnatias, Edlir Tetova është shpallur fitues i trofeut “Trajneri i vitit 2025”, pas një tjetër edicioni të shkëlqyer me ekipin rrogozhinas, me të cilin fitoi kampionatin.

Të nominuar për të fituar këtë trofe ishin edhe trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, trajneri i Elbasanit, Ivan Gozdenoviç dhe trajneri i Bylisit, Mirel Josa.

Në Mbrëmjen Gala që po mbahet sonte në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, trajneri i ekipit Kombëtar, Silvinjo i dorëzoi trofeun e rëndësishëm, Edlir Tetovës, i cili u shpreh i lumtur që është vlerësuar me këtë çmim për të dytin vit radhazi.

Mesazhi i Presidentit të FIFA-s, Infantino, në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2025”: Një vit për t’u duartrokitur

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, me anë të një video-mesazhi vlerësoi progresin e futbollit shqiptar në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2025”.

Ai përgëzoi Kombëtaren për kualifikimin për herë të parë në fazën play-off të Kupës së Botës FIFA 2026, si dhe organizimin e suksesshëm të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”.

Presidenti Infantino përgëzoi FSHF-në për investimet në infrastrukturë, “Shtëpinë e Futbollit” dhe rritjen e numrit të futbollistëve, duke uruar Presidentin Armand Duka, stafin dhe fituesit e mbrëmjes për kontributin e tyre në futbollin shqiptar.

Më poshtë mesazhi i plotë i Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino:

“Të dashur miq të futbollit, mirëmbrëma!

Mirëmbrëma i dashur Armand, mirëmbrëma të gjithëve.

Është kënaqësi t’iu drejtohem figurave dhe drejtuesve të futbollit shqiptar me rastin e veçantë të ceremonisë Gala të Topit të Artë.

Kjo ceremoni është kthyer shumë shpejt në një ngjarje e rëndësishme të kalendarit të futbollit me ndjesinë e një eventi tradicional dhe prestigjioz.

Kjo është dëshmi e kreativitetit dhe përkushtimit, pa harruar rritjen mbresëlënëse të lojës së bukur në vendin tuaj të bukur.

Kishte shumë gjëra për t’u duartrokitur gjatë vitit 2025.

Pas paraqitjes impresionuese në EURO 2024, ekipi juaj kombëtar i meshkujve u rendit i dyti në grupin sfidues të Kupës së Botës FIFA 2026 dhe me meritë siguroi një vend në play-off.

Vetëm dy fitore larg skenës më të madhe të futbollit!

Ndërkohë, organizimi juaj i suksesshëm i Kampionatit Evropian U-17 Shqipëri 2025 tërhoqi vlerësime të larta dhe shumë spektatorë.

Ishte edicioni më i ndjekur që nga viti 2008, dhe tërhoqi mbi 10,000 tifozë në finalen e luajtur në “Arenën Kombëtare” spektakolare në Tiranë.

Pata privilegjin ta vizitoja stadiumin më 2022, kur po ashtu mora pjesë në përurimin e selisë tuaj “Shtëpia e Futbollit”, e cila u ndërtua në partneritet me FIFA-n.

Përkushtimi juaj për bashkëpunim dhe për të përmirësuar infrastrukturën futbolli ka dhënë rezultate të matshme, nga më shumë spektatorë në stadiume te rritja e numrit të futbollistëve.

Urime Presidentit Armand Duka, kolegëve dhe stafit që punojnë me përkushtim për të promovuar dhe lartësuar futbollin shqiptar! Dhe sigurisht urime fituesve të mbrëmjes së sotme për arritjet tuaja, dhe për kontributin tuaj në një vit të paharrueshëm për lojën tonë të dashur!”, – tha Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Topi i Artë 2025 / Nga porta në sulm, “Formacioni i Vitit”. Kreshnik Çipi dhe Mujo Targaj dorëzojnë trofetë për 11 lojtarët më të spikatur të “Abissnet Superiore”

Një nga momentet më të veçanta të Mbrëmjes Gala “Topi i Artë 2025” ishte shpallja e Formacionit më të Mirë të Vitit të “Abissnet Superiore”, i përzgjedhur nga gazetarët dhe opinionistët sportivë, sipas skemës 1-4-3-3.

Portieri më i mirë i vitit është Mario Dajsinani, futbollist i Egnatias dhe i Kombëtares shqiptare.

Në repartin e mbrojtjes bëjnë pjesë: Emiljan Musta (AF Elbasani), Arbenit Xhemajli (Egnatia), Naser Aliji (Dinamo City) dhe Abdurrahman Fangaj (Egnatia).

Në mesfushë janë përzgjedhur: Adnard Mehmeti (Partizani), Albano Aleksi (Egnatia) dhe Esat Mala (Vllaznia).

Treshja e sulmit përbëhet nga: Dejvi Bregu (Dinamo City), Bekim Balaj (Vllaznia) dhe Baton Zabërgja (Dinamo City).

Për shpalljen e emrave fitues në skenë ishin ish-futbollistët e njohur shqiptarë, Kreshnik Çipi dhe Mujo Targaj, të cilët dorëzuan trofetë për 11 lojtarët e përzgjedhur.

Në fund, të gjithë futbollistët u ngjitën në skenë për të tërhequr çmimet, ndërsa nuk munguan falënderimet e rastit dhe fotografia tradicionale e ekipit së bashku.

Megi Doçi është fituese e trofeut “Këpuca e Artë 2025” për vajza për edicionin futbollistik 2024-2025.

Ky trofe nuk ka pasur nevojë për votim pasi është përcaktuar në bazë të golave të shënuar përgjatë këtij sezoni. Me 83 gola të realizuar me Vllazninë, Megi Doçi është renditur në krye të listës së golashënueseve në kategorinë e vajzave.

Në mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2025”, që po zhvillohet mbrëmjen e sotme në TKOB, ky trofe iu dorëzua Doçit nga ish-mesfushori i Kombëtares, Ervin Skela.

Xhesika Ndoj është shpallur për të dytin vit radhazi fituese e çmimit “Talenti i Vitit” në kategorinë e vajzave, gjatë mbrëmjes gala “Topi i Artë 2025”.

Futbollistja e re u vlerësua për paraqitjet e qëndrueshme, progresin e vazhdueshëm dhe potencialin e saj gjatë gjithë sezonit.

Ky çmim vlerëson pasionin, përkushtimin dhe vendosmërinë e vajzave që sfidojnë paragjykimet dhe ndjekin ëndrrën e tyre për t’u afirmuar në futboll. Në garë për këtë trofe ishin të nominuara edhe Albana Malaj, Ambra Reshiti dhe Klesta Ago.

Trofeu iu dorëzua Xhesika Ndojt nga ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Foto Strakosha, i cili e përgëzoi për këtë arritje të rëndësishme.

Fabjan Përndreca është shpallur fitues i çmimit “Talenti i Vitit” për djem në mbrëmjen gala “Topi i Artë 2025”. Mbrojtësi i Bylisit dhe i Kombëtares U-21 u vlerësua për paraqitjet e tij dhe potencialin e shfaqur gjatë sezonit.

Ky çmim vlerëson pasionin, përkushtimin dhe talentin e futbollistëve të rinj që synojnë të arrijnë majat në karrierën e tyre. Në garë për këtë trofe ishin të nominuar edhe Arlind Kurti (Laçi), Ergis Arifi (Teuta) dhe Erald Maksuti (Flamurtari).

Çmimin Fabjan Përndrecës ia dorëzoi mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj.

Pas marrjes së çmimit, Fabjan Përndreca falënderoi të gjithë të pranishmit dhe shprehu mirënjohjen për këtë vlerësim të rëndësishëm.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular