HomeEkonomiGuvernatori Sejko: 2025, vit i konsolidimit të stabilitetit financiar dhe integrimit evropian...

Guvernatori Sejko: 2025, vit i konsolidimit të stabilitetit financiar dhe integrimit evropian të sistemit bankar

Advertismentspot_img

Banka e Shqipërisë e mbyll vitin 2025 me një bilanc pozitiv në përmbushjen e objektivave të saj ligjore, duke dhënë një kontribut thelbësor në forcimin e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit. Në konferencën e fundit për shtyp të këtij viti, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se puna e institucionit ka qenë e orientuar në mënyrë të qëndrueshme drejt garantimit të stabilitetit të çmimeve, mbështetjes së stabilitetit financiar dhe zhvillimit të tregjeve financiare dhe sistemeve të pagesave, objektiva të cilat janë përmbushur me sukses gjatë vitit 2025.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar forcimit të stabilitetit financiar, përmes një qasjeje të integruar që përfshin mbikëqyrjen dhe rregullimin bankar, politikën makroprudenciale dhe mekanizmat e ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Gjatë vitit, Banka e Shqipërisë intensifikoi mbikëqyrjen e sistemit financiar, duke kryer 12 ekzaminime në vend në subjekte bankare dhe jobankare, institucione të parasë elektronike dhe shoqëri kursim-krediti, si dhe rreth 30 inspektime në zyra këmbimi valutor. Fokusi kryesor ka qenë vlerësimi më i thelluar i rreziqeve, veçanërisht atyre që lidhen me kreditimin dhe përqendrimet sektoriale.

Në kuadër të procesit të integrimit evropian, Banka e Shqipërisë ka avancuar në rishikimin e legjislacionit rregullator për ta përafruar atë me standardet më të mira të Bashkimit Evropian, duke vijuar njëkohësisht bashkëpunimin me Autoritetin Bankar Evropian (EBA) dhe autoritetet homologe në kolegjet mbikëqyrëse. Paralelisht, është forcuar mbrojtja e konsumatorit financiar përmes kërkesave më të qarta për transparencën e produkteve bankare, normave të interesit, kostove dhe kushteve kontraktore, me synim rritjen e vendimmarrjes së informuar nga qytetarët dhe bizneset.

Në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, Banka e Shqipërisë ka vijuar monitorimin e përputhshmërisë së sistemit bankar me legjislacionin në fuqi dhe ka forcuar bashkëpunimin me Agjencinë e Inteligjencës Financiare, në përputhje me rekomandimet e MoneyVAL. Ndërkohë, përballë rreziqeve në rritje që lidhen me digjitalizimin, Banka, në bashkëpunim me Departamentin e Thesarit të SHBA-së, realizoi një vlerësim të sigurisë kibernetike të bankave, i cili konfirmoi përmirësimin e kontrolleve dhe mbrojtjes së të dhënave në sistemin bankar.

Politika makroprudenciale ka qenë një tjetër shtyllë kyçe e veprimtarisë gjatë vitit 2025. Banka e Shqipërisë kërkoi plotësimin e fazës së dytë të shtesës kundërciklike të kapitalit, duke forcuar rezistencën e sektorit bankar ndaj goditjeve të mundshme. Po ashtu, për të adresuar rreziqet që lidhen me tregun e pasurive të paluajtshme rezidenciale, u vendosën kufizime në standardet e kreditimit për kreditë e reja, duke synuar ruajtjen e cilësisë së portofolit bankar në këtë segment.

Në drejtim të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, Banka e Shqipërisë ka rishikuar planet e vijueshmërisë së aktivitetit të bankave dhe ka monitoruar progresin e tyre në përmbushjen e kërkesave për nivelin minimal të fondeve të pranueshme për përthithjen e humbjeve (MREL). Si rezultat i këtyre politikave, sektori bankar ka vijuar një zgjerim të shëndetshëm të aktivitetit, me nivele të mira kapitalizimi, likuiditeti dhe performancë financiare.

Një nga arritjet më të rëndësishme strategjike të vitit 2025 mbetet avancimi i sistemeve të pagesave dhe integrimi evropian në këtë fushë. Shqipëria u bë pjesë e Zonës Unike të Pagesave në Euro (SEPA), një hap me rëndësi të veçantë për qytetarët, bizneset dhe sistemin financiar, duke garantuar pagesa në euro me të njëjtat rregulla, shpejtësi dhe kosto si në vendet e Bashkimit Evropian. Paralelisht, Banka e Shqipërisë përfundoi modernizimin e infrastrukturave kritike të pagesave, AIPS, AIPS EURO dhe AECH, duke rritur ndjeshëm sigurinë dhe eficiencën e tyre. Sipas vlerësimeve, masat e ndërmarra kanë sjellë kursime kumulative mbi 200 milionë euro për konsumatorët shqiptarë.

Në vijim të këtij transformimi, Banka e Shqipërisë ka nisur, me mbështetjen e Bankës së Italisë, zbatimin e projektit TIPS Clone, i cili synon krijimin e një platforme kombëtare për pagesat e menjëhershme, të ndërveprueshme me sistemet evropiane dhe të disponueshme 24/7, duke hapur rrugën për zhvillime të reja në ekonominë digjitale.

Viti 2025 u shoqërua edhe me përmirësime në administrimin e rezervës valutore, e cila arriti në nivelin 7.1 miliardë euro. Banka e Shqipërisë ka investuar në përmirësimin e infrastrukturës teknologjike, zgjerimin e instrumenteve të investimit dhe rishikimin e peshës strategjike të arit monetar, me synim rritjen e eficiencës dhe sigurisë së administrimit të rezervës.

Një dimension i veçantë i vitit 2025 ishte komunikimi institucional, i shënuar nga 100-vjetori i krijimit të Bankës së Shqipërisë. Ky përvjetor u përdor si një platformë reflektimi mbi rolin historik dhe të ardhshëm të bankës qendrore, duke forcuar dialogun me publikun dhe besimin në institucion. Përmes një komunikimi më aktiv dhe gjithëpërfshirës, Banka e Shqipërisë ka synuar të rrisë kuptueshmërinë e vendimmarrjes së saj dhe të mbështesë pritje të ankoruara dhe të informuara në ekonomi.

Në mbyllje të bilancit vjetor, Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë do të vijojë të punojë me përkushtim për përmbushjen e misionit të saj ligjor, duke garantuar se profesionalizmi i institucionit mbetet një garanci solide për stabilitetin monetar dhe financiar të vendit edhe në vitet në vijim

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular