Emigrimi nuk nis me fitim, por me shpenzim. Për shumë shqiptarë emigrimi shpesh përshkruhet si rrugë shpëtimi ekonomik, por të dhënat e fundit tregojnë edhe një realitet tjetër. Largimi nga vendi nuk është vetëm vendim personal apo social, por edhe një barrë financiare e menjëhershme, që shumë familje e përballojnë me sakrifica dhe borxhe.
Sipas raportit të Bankës Botërore dhe INSTAT mbi Anketën e Migracionit 2024, kostoja mesatare për t’u larguar nga Shqipëria arrin rreth 1,100 dollarë amerikanë. Kjo shumë është e barabartë me afërsisht dy paga mesatare neto, duke e bërë emigrimin një investim të shtrenjtë për shumicën e familjeve.
Këto shpenzime përfshijnë kryesisht transportin, por edhe tarifa vizash, dokumentacion, kontrolle mjekësore, sigurime dhe, në disa raste, pagesa për ndërmjetës apo kurse orientimi. Raporti vëren se këto kosto janë më të larta për emigrantët e viteve të fundit, për shkak të procedurave gjithnjë e më të formalizuara dhe kufizuese.
Megjithëse shumica e emigrantëve arrijnë ta përballojnë këtë kosto me kursimet e tyre personale, raporti tregon se një pjesë e konsiderueshme detyrohet të kërkojë ndihmë financiare. Rreth 40% e emigrantëve aktualë mbështeten gjithashtu te familjarët dhe miqtë për të financuar largimin. Të dhënat tregojnë se 98% e migrantëve të kthyer dhe 92% e emigrantëve aktualë e kanë financuar migrimin kryesisht përmes kursimeve personale.
Përballë kësaj barre financiare, jo të gjithë emigrantët ia dalin me kursimet personale. Rreth 15% e migrantëve deklarojnë se kanë marrë borxh për të financuar largimin.
Të rinjtë e moshës 15-34 vjeç dhe personat me arsim të lartë rezultojnë më të ekspozuar ndaj huamarrjes. Për këto grupe, përqindja e atyre që marrin borxh shkon mbi 25%, duke treguar se edhe ata që konsiderohen “më të përgatitur” për tregun ndërkombëtar të punës nisen drejt emigrimit me barrë financiare mbi shpinë.
Theksojmë se po flasim vetëm për emigrimin e ligjshëm, pasi shpenzimet mund të jenë shumë herë të larta për largimin e paligjshëm.










