HomeEkonomiQeveria themelon Bankën e Zhvillimit, emërohet administrator Silvio Pedrazzi

Qeveria themelon Bankën e Zhvillimit, emërohet administrator Silvio Pedrazzi

Advertismentspot_img

Qeveria ka themeluar Bankën Shqiptare të Zhvillimit, e cila do të menaxhojë fondet që do të vijnë nga jashtë dhe do të mbështesë me kredi sektorët e nënfinancuar të ekonomisë si bujqësia dhe ndërmarrjet e vogla. Kapitali ka mësuar se banka, aksionet e së cilës zotërohen plotësisht nga Ministria e Financave, është regjistruar këtë të mërkurë në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

“Banka Shqiptare e Zhvillimit Sh.A ka për objektiv kryesor nxitjen e zhvillimit ekonomik, social dhe mjedisor te vendit, ne perputhje te plots me kerkesat e legjislacionit per ndihmen shteterore. Ne këtë kuadër, Banka Shqiptare e Zhvillimit Sh.A synon të lehtësojë qasjen në finance, kryesisht përmes financimit dhe mbeshtetjes se sipërmarrjeve në sektorët e nënfinancuar të ekonomisë, si dhe përfshirje në sistemin financiar të individëve të cilëve nuk u ofrohen shërbime të plota nga sistemi bankar,” thuhet në statutin e Bankës.

Themelimi i Bankes Shqiptare te Zhvillimit

Banka Shqiptare e Zhvillimit do të drejtohet nga ish CEO i Intesa San Paolo Bank Albania, Silvio Pedrazzi. Bankieri italian ka drejtuar për 8 vjet Intesa San Paolo në Shqipëri, nga 2013-a deri në vitin 2021, kur vendosi të tërhiqej për të dalë në pension.

Megjithatë pas 4 viteve, Pedrazzi ka vendosur të rikthehet sërish në botën financiare, këtë herë në krye të një banke shtetërore. Ndërkohë në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Zhvillimit do të jenë si anëtarë Arben Shkodra, Eris Hysi, Irida Huta, Artur Asllani dhe Daniel Marc Demeulenaere.

Pa liçencim nga BSH

Banka Shqiptare e Zhvillimit u krijua me ligj të veçantë, pa liçencim nga Banka e Shqipërisë. Kjo ka krijuar jo pak shqetësim edhe tek Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në deklaratën e fundit në Tiranë, misioni i FMN-së deklaroi se themelimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit do të shtojë kompleksitet të mëtejshëm për sektorin financiar në vend.

Sipas FMN-së, aktivitetet e kësaj banke duhet të jenë të kufizuara në kohë dhe të synojnë dështimet e tregut për të shmangur pengimin e investimeve private.

Shqipëria ka një përvojë të hidhur me skemat shtetërore të financimit duke filluar nga skema e famshme e traktorëve japonezë në vitet 90′, ku paratë u morën në formën e kredive nga shteti dhe në pjesën dërrmuese të tyre nuk u kthyen asnjëherë mbrapsht.

Por si do të financohet Banka e Zhvillimit?

Sipas objektit të aktivitetit të dorëzuar në QKB, Banka e Zhvillimit do të veprojë edhe si agjent për administrimin e granteve kombëtare në përputhje me vendimet e Këshillit të Ministrave dhe për çdo skemë tjetër grantesh.

Por përveç administrimit të granteve kombëtare dhe atyre që vijnë nga Bashkimi Europian, Banka e Zhvillimit mund të mbledhë para duke emetuar obligacione, pranojë depozita afatshkurtra dhe afatmesme nga bankat tregtare dhe institucionet e tjera financiare vendase dhe ndërkombëtare si dhe mund të pranojë fonde të kthyeshme nga publiku, veçanërisht nga individët që nuk u ofrohet shërbim i plotë nga sistemi bankar, në formën e produkteve të kursimit, nëpërmjet një entiteti të veçantë të Postës Shqiptare sh.a.

Banka Shqiptare e Zhvillimit do të ketë si objektiv kryesor nxitjen e zhvillimit ekonomik, social e mjedisor, kryesisht përmes financimit dhe mbështetjes së sipërmarrjeve në sektorët e nënfinancuar të ekonomisë, si dhe përfshirjen në sistemin financiar të publikut, që nuk i ofrohet shërbim i plotë nga sistemi bankar.

Ajo do të ketë të drejtë të ushtrojë aktivitet financimi me karakter promovues, si kredidhënia për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe startup-et vendase, për të nxitur rritjen, produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe zgjerimin në tregjet ndërkombëtare.

/kapitali.al

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular