HomeAktualitetShifrat/44% e shqiptarëve duan të emigrojnë në 2025, niveli më i lartë...

Shifrat/44% e shqiptarëve duan të emigrojnë në 2025, niveli më i lartë në rajon. 1 në 5 të rinj marrin borxh për kostot e ikjes

Advertismentspot_img

Në 2025 Shqipëria paraqitet si vendi me nivelin më të lartë të dëshirës për emigrim në Rajon, sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit.

Plot 44% e të anketuarve deklaruan se do të donin të shkonin të jetonin ose të punonin jashtë vendit, një përqindje që e vendos vendin tonë mbi mesataren rajonale dhe mbi të gjitha ekonomitë e tjera të përfshira në sondazh dhe në nivel të njëjtë me Maqedoninë e Veriut.

Kosova dhe Bosnja në anën tjetër kanë nivele disi më të ulëta të dëshirës për emigrim me 35 dhe 34 për qind secila, por sërish në nivele të larta në krahasim me shtetet e tjera të Europës.

Shqipëria dallon nga Rajoni, jo vetëm për intensitetin e prirjes drejt emigrimit, por edhe për natyrën e thellë dhe afatgjatë të fenomenit.

Situata është edhe më shqetësuese pasi Shqipëria bashkë me Serbinë paraqiten me përqindje të larta të popullatës që do të ikë nga vendi përgjithmonë pa plane kthimi pas. Në Shqipëri, kjo përqindje është ndër më të lartat në Rajon me 18 %, çka tregon se për shumë qytetarë emigrimi vlerësohet si zgjidhje përfundimtare për jetën.

Arsyet pse Shqipëria kryeson rajonin lidhen ngushtë me faktorë ekonomikë dhe socialë. Diferencat e mëdha në paga dhe standard jetese me vendet e Bashkimit Europian mbeten një shtysë e fortë, veçanërisht për të rinjtë dhe profesionistët e kualifikuar. Këto diferenca kombinohen me mundësitë e kufizuara brenda vendit për punë të mira dhe zhvillim profesional, duke krijuar bindjen se zhvillimi personal dhe ekonomik është më i arritshëm jashtë vendit.

Emigrimi i fortë në të shkuarën po bëhet një bazë e fortë për rritjen e largimeve në të ardhmen. Rrjetet e konsoliduara të emigracionit shqiptar, të ndërtuara ndër vite po luajnë një rol të fortë dhe po e bëjnë më të lehtë tërheqjen e familjarëve.

Për shkak të emigracionit të lartë popullsia e Shqipërisë po tkurret me ritme shumë më të larta gati dy deri tre herë më shumë se në vendet e tjera të Rajonit sipas të dhënave të azhurnuara nga Eurostat për popullsinë e vendeve kandidate.

Në vitin 2025 popullsia zyrtare Shqipërisë ishte 2,363,314 banorë me një tkurrje prej rreth 27,628 personash brenda një viti, ndërsa në terma relativë rënia ishte –1.2%, norma më e lartë në rajon.

Tkurrja e fortë në grup-moshën deri 30 vjeç po vjen kryesisht si pasojë e emigracionit të lartë që vazhdon të jetë ndër më të lartët në Europë.

Të dhënat e brendshme tregojnë se popullsia nga 15-29 vjeç që përfaqëson grupin e të rinj aktiv në emigrim u tkurr me 45 për qind ndërmjet 2011 dhe 2025.

Gjithashtu Shqipëria ka nivelin më të ulët të lindjeve në historinë e saj të tranzicionit me një normë fertiliteti rreth 1.2 fëmijë për grua në moshë lindje, shumë poshtë nivelit e zëvendësimit dhe nga më të ulëtat në Europë. /Monitor

Largimi nga vendi/1 në 5 të rinj shqiptarë marrin borxh për të mbuluar kostot e ikjes

Emigrimi nuk nis me fitim, por me shpenzim. Për shumë shqiptarë emigrimi shpesh përshkruhet si rrugë shpëtimi ekonomik, por të dhënat e fundit tregojnë edhe një realitet tjetër. Largimi nga vendi nuk është vetëm vendim personal apo social, por edhe një barrë financiare e menjëhershme, që shumë familje e përballojnë me sakrifica dhe borxhe.

Sipas raportit të Bankës Botërore dhe INSTAT mbi Anketën e Migracionit 2024, kostoja mesatare për t’u larguar nga Shqipëria arrin rreth 1,100 dollarë amerikanë. Kjo shumë është e barabartë me afërsisht dy paga mesatare neto, duke e bërë emigrimin një investim të shtrenjtë për shumicën e familjeve.

Këto shpenzime përfshijnë kryesisht transportin, por edhe tarifa vizash, dokumentacion, kontrolle mjekësore, sigurime dhe, në disa raste, pagesa për ndërmjetës apo kurse orientimi. Raporti vëren se këto kosto janë më të larta për emigrantët e viteve të fundit, për shkak të procedurave gjithnjë e më të formalizuara dhe kufizuese.

Megjithëse shumica e emigrantëve arrijnë ta përballojnë këtë kosto me kursimet e tyre personale, raporti tregon se një pjesë e konsiderueshme detyrohet të kërkojë ndihmë financiare. Rreth 40% e emigrantëve aktualë mbështeten gjithashtu te familjarët dhe miqtë për të financuar largimin. Të dhënat tregojnë se 98% e migrantëve të kthyer dhe 92% e emigrantëve aktualë e kanë financuar migrimin kryesisht përmes kursimeve personale.

Përballë kësaj barre financiare, jo të gjithë emigrantët ia dalin me kursimet personale. Rreth 15% e migrantëve deklarojnë se kanë marrë borxh për të financuar largimin.

Të rinjtë e moshës 15-34 vjeç dhe personat me arsim të lartë rezultojnë më të ekspozuar ndaj huamarrjes. Për këto grupe, përqindja e atyre që marrin borxh shkon mbi 25%, duke treguar se edhe ata që konsiderohen “më të përgatitur” për tregun ndërkombëtar të punës nisen drejt emigrimit me barrë financiare mbi shpinë.

Theksojmë se po flasim vetëm për emigrimin e ligjshëm, pasi shpenzimet mund të jenë shumë herë të larta për largimin e paligjshëm.

Sa u kushton shqiptarëve largimi nga vendi? Rreth 1 në 5 të rinj
Sa u kushton shqiptarëve largimi nga vendi? Rreth 1 në 5 të rinj
Sa u kushton shqiptarëve largimi nga vendi? Rreth 1 në 5 të rinj
Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular