Nga Halil Teodori
At Gjergj Fishta është një nga figurat më monumentale të kulturës shqiptare, poet, klerik françeskan, orator brilant, deputet, hartues i Kongresit të Manastirit dhe ndër arkitektët e gjuhës e mendimit modern shqiptar. E quajnë “Homeri shqiptar”, jo thjesht për epikën, por për aftësinë që pati të kodifikojë shpirtin, karakterin dhe dramën historike të shqiptarit në vargje të fuqishme, të paharrueshme.
Në historinë shpirtërore të shqiptarëve ka figura që nuk jetojnë vetëm në faqet e librave, por në shtresat e thella të ndërgjegjes sonë. Ndër to, At Gjergj Fishta mbetet një dritë që nuk shuhet, një zë që nuk tretet, një shenjtor i fjalës që e ngriti shqipen në lartësitë ku ajo jo vetëm dëgjohet, por madhështohet. E kanë quajtur “Homeri shqiptar”, “Poeti Kombëtar”, “kleriku i kombit”, dhe askush nga këto epitete nuk i qëndron ngushtë, sepse në të vërtetë Fishta ishte shumë më tepër: ai ishte vetë akti i lindjes së vetëdijes moderne shqiptare.
Kleriku që pa kombin si mision shpirtëror
Fishta hyri në rendin françeskan i mbështjellë me etje njohjeje. Arsimi i tij teologjik, filozofik dhe humanist i dha jo vetëm përmasën e një mendimtari të kthjellët, por edhe të një shpirti të disiplinuar, që dinte ta shihte kombin jo si bashkim politik, por si trup të gjallë, që duhej ndriçuar, edukuar, formuar. Për të, feja dhe kombi ishin dy drita që buronin nga i njëjti qendër; njëra ushqente shpirtin, tjetra ndërgjegjen. Në këtë simfoni ai gjeti misionin e vet: t’i shërbejë popullit të tij përmes kulturës, arsimit dhe fjalës së gjallë.
Kisha françeskane, në duart e tij, nuk ishte thjesht një institucion fetar, por një shkollë që ngjante më shumë me një laborator europianizimi. Ai hapi shkolla, ngriti revista, edukoi breza, krijoi një klimë qytetarie dhe vetëbesimi në një territor ku ende rënkonin pasojat e prapambetjes. Në çdo hap, ai sillte edhe një gur në themelet e Shqipërisë moderne.
Poeti që kodifikoi shpirtin shqiptar!
Në letrat shqipe, Fishta nuk hyri. Ai shpërtheu. “Lahuta e Malcís” nuk është thjesht një epos; është një monument i identitetit shqiptar, një Iliadë e kënduar me lahutën e fjalës që dritëron, rreh, vibron dhe nuk lodhet së përshkruari njeriun shqiptar në tërë dritëhijet e tij. Ai ndërtoi një mitologji autentike, nxori në pah heronjtë e malësisë, ngriti në piedestal moralin e besës, nderit, lirisë dhe sakrificës, jo si klishe folklorike, por si kode të pashkruara të një civilizimi të lashtë.
Fishta zotëronte një fjalor të gjerë, të pasur, të pastër, që i jepte shqipes muzikalitet, humor, tragjizëm dhe madhështi. E njëjta gjuhë që ngrihej në kreshta epike, dinte të zbresë edhe në shpërthime satirike të pakrahasueshme, si te “Anzat e Parnasit”, ku ai rrahu me tallje, thumb, sarkazëm dhe ironi prishjen e moralit, hipokrizinë dhe politikanizmin e kohës. Aty, forca e tij letrare është shpërthyese: një teatër i të qeshurit që na mëson të mos harrojmë të qeshim edhe me veten.
Homeri Shqiptar, jo vetëm për epikën
Eposi i tij, si Homerit të lashtë, nuk rrëfen vetëm beteja; ai ndërton botë. Fishta mori frymëzimin nga malet, zakonet, këngët, legjendat dhe këthjelltësia e shpirtit të lirë malësor, duke krijuar një univers që sot mund të quhet fare mirë humanizëm shqiptar. Epiteti “Homeri shqiptar” nuk është krahasim modest, por një njohje universale e aftësisë së tij për të përkthyer shpirtin e kombit në art të pavdekshëm. Vargjet e tij ndikojnë, ndezin, ngrihen si flamur dhe pikërisht për këtë arsye ai mbetet themeltar në kulturën tonë.
Arkitekti i Shqipërisë moderne
Fishta nuk u mbyll në bibliotekë. Ai doli në jetën publike si deputet, si orator, si mbrojtës i çështjes shqiptare në tribunat ndërkombëtare. Në Kongresin e Manastirit ishte ndër hartuesit më të qartë të alfabetit, duke kuptuar se gjuha është mjeti i parë i lirisë. Në Shkodër drejtoi revistën “Hylli i Dritës”, një ndër platformat më serioze të kulturës shqiptare. Çdo fjalë e tij mbante përgjegjësi, çdo tekst ishte gur themeli.
Ai e denoncoi padrejtësinë, korrupsionin, fanatizmin dhe mentalitetin e ulët politik me një zë që nuk njihte frikë. Zëri i tij e shqetësonte çdo qeveri mediokre, sepse fjalët e tij nuk shiteshin dhe nuk blihej.
Dënimi i një gjenialiteti
Regjimi komunist e ndaloi, e mallkoi, zhduku varrin e tij, hoqi emrin nga librat dhe e shpalli të rrezikshëm. Nuk ishte për fajet e tij; ishte ngaqë ai përfaqësonte gjithçka që totalitarizmi urren: lirinë, fenë, mendimin kritik, humanizmin, individualitetin, patriotizmin e ndershëm, Europën shpirtërore dhe politike.
Por Fishta nuk mund të zhdukej. Ai kaloi nga zjarri i censurës në limbin e kujtesës popullore, ku u ruajt si një amanet i heshtur.
Ringjallja dhe përjetësia e tij
Pas vitit 1990, Fishta u rikthye. Librat e tij u ribotuan, veprat u studiuan, varri u gjet dhe u nderua, emri i tij u shenjtërua në kulturën tonë. Sot ai është një ndër figurat më emblematike, jo vetëm të letërsisë, por të krejt shpirtit shqiptar.
Fishta na mëson, se kombi ndërtohet me dije dhe me arsim; se identiteti nuk blihet me slogane, por ndërtohet me vepra; se gjuha është atdhe; se fjala e lirë është tempull; se besa dhe nderi nuk janë legjenda, por gurë të vërtetë morali.
At Gjergj Fishta është një nga ata njerëz që nuk mund të mbyllen as në biografi, as në monumente. Ai është një udhë e gjatë që fillon në Shkodër dhe shtrihet në tërë hapësirën shpirtërore të kombit shqiptar. Ai është zëri që thërret prej shekujsh e që tingëllon ende i freskët, sepse Shqipëria ka nevojë për fjalë që e ndriçojnë, që e ngritin, që e mbajnë pezull nga humnera e harresës.
Fishta mbetet ndër të rrallët që jo vetëm e deshën Shqipërinë, por e ndërtuan atë, me zemër, me dije, me varg, me sakrificë dhe me një dashuri që nuk plaket.







