Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë Evis Sala ka zhvilluar sot më 18 dhjetor 2025 një takim me homologun e saj, Azir Aliu.
Sala shprehet se ka diskutuar me Aliun për projektet e përbashkëta mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, për të përmirësuar sistemin shëndetësor në të dyja shtetet
“Kënaqësi të takohem me Ministrin e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Azir Aliu, gjatë ndalesës së tij të shkurtër në Tiranë.
Diskutuam rishikimin e Planit të Veprimit në kuadër të Marrëveshjes sonë të Bashkëpunimit. Si vende fqinje me sfida të ngjashme në shëndetësi, shohim potencial të madh për projekte të përbashkëta rajonale, përfshirë edhe bashkëpunimin mes spitaleve rajonale.
Dy vendet tona kanë avancuar paralelisht në procesin e shqyrtimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian dhe po punojmë për përafrimin e legjislacionit në kuadër të kapitujve përkatës të negociatave”, shkruan Sala.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë zhvilluar vite të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, duke përfshirë projekte rajonale për modernizimin e spitaleve dhe shkëmbimin e përvojave për menaxhimin e sistemeve shëndetësore. Të dy vendet janë gjithashtu pjesë e proceseve të integrimit në Bashkimin Evropian, ku përafrimi i legjislacionit shëndetësor është një nga prioritetet në kapitujt përkatës të negociatave.







