– Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka përfunduar dëshminë e tij në SPAK për çështjen e “21 janarit”. Siç raportohet, ai është pyetur nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilët ishin caktuar nga prokurori i dosjes, Alfred Shehu.
Meta në këtë seancë, ka folur për skenar të parapërgatitur, në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e çështjes. Kështu bën me dije gazetarja Glidona Daci.
Ka qenë vetë ish-Presidenti ai që i ka kërkuar zyrtarisht SPAK-ut të dëshmojë lidhur me hetimet për atë që cilësohet si krim shtetëror i 21 janarit.
Avokati mbrojtës i Metës, Kujtim Cakrani, është shprehur se kreu i Partisë së Lirisë ka deklaruar për togat e zeza se ai është vënë në dijeni nga shërbimet e huaja në vend që demonstratat e 21 janarit do të ishin të dhunshme. Informacione këto të klasifikuara si të marra në rrugë konfidenciale, Meta ka deklaruar se ekzistonte mundësia e përplasjes në protesta, e se nuk përjashtohej as skenari i vrasjeve.
Ngjarjet e 21 janarit lidhen me protestën e zhvilluar përpara Kryeministrisë, gjatë së cilës katër qytetarë humbën jetën. Kjo protestë shpërtheu pas publikimit të një videoje komprometuese që përfshinte zv.kryeministrin e atëhershëm Ilir Meta dhe ish-ministrin Dritan Prifti.
Në regjistrimin filmik, me një kohëzgjatje rreth 12 minuta, shfaqej një bisedë mes Metës dhe Priftit, ku flitej për një marrëveshje financiare prej 700 mijë eurosh, e lidhur me dhënien e koncesioneve dhe licencave për një hidrocentral. Publikimi i kësaj videoje shkaktoi reagime të forta publike dhe politike, duke kulmuar me protestën tragjike të 21 janarit.
Hetimi për këtë çështje u rihap nga SPAK në korrik të vitit të kaluar, pas regjistrimit të procedimit penal për disa vepra të rënda, përfshirë vrasjen në rrethana cilësuese, të kryer në bashkëpunim dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, shpërdorimin e detyrës dhe pengimin e drejtësisë.
Deri tani, në kuadër të këtij hetimi janë thirrur për t’u marrë në pyetje disa nga figurat kryesore të asaj periudhe. Mes tyre janë ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Gjithashtu, vetëm pak ditë më parë, në SPAK ka dëshmuar edhe ish-presidenti Bamir Topi.
Ngjarjet e 21 janarit 2011 përbëjnë një nga episodet më të rënda në historinë e tranzicionit politik shqiptar, ku përplasja mes protestuesve dhe forcave të rendit përfundoi me katër viktima. Çështja ka kaluar ndër vite nëpër disa faza hetimi dhe gjykimi, ndërsa me krijimin e SPAK-ut ajo është rihapur si pjesë e hetimeve për krime të dyshuara.







