Ministria e Punëve të Brendëshme ka përgatitur një projektligj për ndryshimin e ligjit nr. 9780 “Për inspektimin e territorit”. Ky projektakt, i cili mban firmën e ministres së Brendëshme, Albana Koçiu, synon t’i japë fund ndarjes së kompetencave mes nivelit qendror (IKMT) dhe atij vendor (bashkitë), duke krijuar një autoritet të vetëm kontrolli.
Ndryshimi kryesor është kalimi nga një sistem i fragmentuar në një sistem të unifikuar. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) riorganizohet dhe do të quhet Inspektorati Qendror i Territorit, Mjedisit dhe Pyjeve.
Projektligji, i cili është hedhur të enjten për konsultim publik, parashikon edhe shkrirjen e inspektorateve të mbrojtjes së territorit pranë bashkive (njësive të vetëqeverisjes vendore).
Struktura e re do të ketë drejtori rajonale dhe zyra vendore në të gjithë vendin, por me varësi të drejtpërdrejtë nga qendra.
Sipas relacionit, sistemi aktual me dy nivele kontrolli ka dështuar në disa pika.
“Ka pasur mospërputhje praktikash dhe mungesë uniformiteti në zbatimin e ligjit. Fenomeni i ndërtimeve pa leje ka vijuar për shkak të kontrollit jo-efektiv në nivel vendor. Struktura e re synon të jetë më e pavarur dhe e mbrojtur nga ndikimet e jashtme lokale.“, thuhet në relacion.
Risitë kryesore të projektligjit
Inspektorati i ri nuk do të merret vetëm me ndërtimet, por do të ketë nën vëzhgim edhe mjedisin dhe administrimin e pyjeve.
Për herë të parë integrohet bashkëpunimi me “Prefektin Detar”, një figurë e re që do të merret me kontrollin e territorit në zonat bregdetare dhe detare.
Inspektimet do të kryhen me grupe prej të paktën tre inspektorësh, duke rritur llogaridhënien.
„Ankimet ndaj gjobave apo vendimeve do të bëhen vetëm në Komisionin e Shqyrtimit të Ankimit pranë Inspektoratit të Përgjithshëm, dhe më pas në gjykatë.“, thuhet në relacion.
Kostot dhe punonjësit
Relacioni sqaron se nuk do të ketë kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Punonjësit aktualë të inspektorateve të bashkive pritet të kalojnë në strukturën e re rajonale. Numri i personelit do të mbetet i përafërt me atë aktual, por me një organizim të ri hierarkik.
Efektet që pritet të sjellë zbatimi i projektligjit:
· Rritjen e efektivitetit të kontrollit të territorit dhe uljen e ndjeshme të ndërtimeve të kundërligjshme, përmes një strukture të unifikuar, të specializuar dhe të përgjegjshme;
· Standardizimin e praktikave inspektuese në të gjithë territorin, me mekanizma të qartë koordinimi dhe me aftësinë për marrjen e masave të shpejta dhe me rezultate të matshme;
· Krijimin e strukturave të qëndrueshme në nivel qendror dhe rajonal, me personel të trajnuar profesionalisht dhe me optimizim të përdorimit të burimeve njerëzore e financiare;
· Forcimin e koordinimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij rajonal, nëpërmjet varësisë së drejtpërdrejtë nga struktura qendrore, duke eliminuar fragmentimin institucional dhe duke rritur koherencën në veprimtarinë inspektuese







