HomeKryesore“Shërbime bankare cilësore e transparente”, Sejko me Shoqatën e Bankave flet për...

“Shërbime bankare cilësore e transparente”, Sejko me Shoqatën e Bankave flet për sfidat në 2026: Brenda 2 viteve ligjet dhe rregulloret do të përafrohen plotësisht me BE

Advertismentspot_img

Në mbrëmjen e fundvitit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, vuri theksin te roli vendimtar i sistemit bankar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit, duke e cilësuar vitin 2025 si një periudhë konsolidimi, rritjeje dhe modernizimi për sektorin financiar shqiptar.

Sektori bankar, që përfaqëson rreth 91% të aktiveve të sistemit financiar, vijon të mbetet i qëndrueshëm dhe i kapitalizuar mirë. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ka arritur në 20.2%, dukshëm mbi minimumin rregullator, ndërsa provat e rezistencës për periudhën 2024–2026 tregojnë aftësinë e bankave për t’u përballur me goditje të mundshme makroekonomike. Aktiviteti bankar është zgjeruar me rreth 8% gjatë vitit, me depozitat e klientëve që në fund të tetorit 2025 arritën në 1,652 miliardë lekë, ndërsa kredia u rrit me mbi 11%, duke ruajtur një cilësi të mirë të portofolit në nivelin 4.3%.

Një vëmendje e veçantë në fjalën e Guvernatorit iu kushtua modernizimit të sistemit të pagesave dhe digjitalizimit të shërbimeve financiare. Hapat e ndërmarrë drejt integrimit të Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) u cilësuan si një zhvillim strategjik, që do të përkthehet në pagesa ndërkufitare më të shpejta, më të lira dhe më efikase për qytetarët dhe bizneset. Paralelisht, Banka e Shqipërisë ka forcuar kuadrin rregullator dhe mbikëqyrës, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, duke rritur mbrojtjen e konsumatorit dhe sigurinë e sistemit financiar.

Fjala e Guvernatorit Sejko në mbrëmjen e fundvitit të Shoqatës Shqiptare të Bankave

Të nderuar kolegë,

Është kënaqësi e veçantë të mblidhemi sërish në këtë fundvit, si një mundësi e vlefshme për të reflektuar së bashku mbi arritjet e vitit që po mbyllet, si dhe mbi sfidat dhe mundësitë që na presin përpara, në një mjedis ekonomik dhe financiar gjithnjë e më dinamik dhe kompleks.

Edhe gjatë vitit 2025, Banka e Shqipërisë ka konsoliduar rolin e saj si garantuese e stabilitetit monetar dhe financiar, duke vepruar me kujdes dhe përgjegjshmëri në një mjedis të karakterizuar nga pasiguri të jashtme dhe zhvillime të brendshme.

Normalizimi i kujdesshëm i politikës monetare ka mundësuar stabilizimin e inflacionit, pa dëmtuar trendin e rritjes ekonomike dhe stabilitetin financiar të vendit. Në këto zhvillime, sistemi bankar qëndron në qendër, duke luajtur një rol vendimtar në transmetimin efektiv të politikave tona. Sikurse e kam theksuar dhe herë të tjera, ato i kanë mundësuar Shqipërisë të ketë – njëkohësisht – një ndër normat më të ulëta të inflacionit, një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike, si dhe një ambient financiar stimulues dhe një rritje të shpejtë të kreditimit.

Gjatë vitit 2025, ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rritje ekonomike rreth nivelit 4%, duke gjeneruar më shumë punësim, paga më të larta dhe më shumë të ardhura për familjet dhe bizneset. Paralelisht me to, treguesit kryesorë financiarë dhe ekonomikë shënuan përmirësime të dukshme. Borxhi publik dhe ai i jashtëm shënuan rënie të mëtejshme dhe janë në nivelet më të ulëta të tre dekadave të fundit, bilancet financiare të familjeve dhe bizneseve paraqiten solide, ndërsa sektori bankar ka vijuar të konsolidojë rolin e tij si një ndërmjetës financiar efektiv. Ambienti financiar me norma të ulëta interesi, së bashku me qasjen proaktive të bankave ndaj kreditimit, nxiti një rritje të fortë të kredisë, e cila rezultoi rreth 14-15% më e lartë se në vitin 2024, duke dhënë një mbështetje të rëndësishme për aktivitetin ekonomik.

Pothuajse të gjitha segmentet e sistemit financiar kanë raportuar rritje të aktiveve të tyre gjatë periudhës. Brenda sistemit financiar, sektori bankar vijon të mbizotërojë me gati 91% të totalit të aktiveve, duke mbetur i qëndrueshëm dhe me parametra pozitivë. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit (RMK) të tij, shënoi nivelin 20.2% dhe mbetet dukshëm mbi minimumin rregullator. Rezultatet e provës së rezistencës për horizontin 2024–2026 tregojnë se sektori bankar mbetet i qëndrueshëm ndaj goditjeve të supozuara makroekonomike. Rezultati neto i sektorit bankar në fund të tetorit 2025 mbeti pozitiv dhe në nivele shumë të mira. Sektori bankar zgjeroi aktivitetin me rreth 8% gjatë këtij viti, ku burimi kryesor mbeten depozitat e klientëve, të cilat në fund të tetorit ‘25 shënuan vlerën 1,652 miliardë lekë. Nga ana tjetër, teprica e kredisë është 811 miliardë lekë, duke u rritur me 11.2%, ndërkohë që cilësia e portofolit të kredisë mbetet e mirë, në nivelin 4.3%.

Paralelisht me këto arritje, Banka e Shqipërisë ka avancuar në modernizimin e sistemit bankar dhe financiar, veçanërisht në fushën e pagesave elektronike. Gjatë këtij viti janë hedhur hapa të rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke krijuar kushtet për pagesa ndërkufitare më të shpejta, më të lira dhe më efikase për qytetarët dhe bizneset shqiptare. Njëkohësisht, janë forcuar më tej infrastruktura e pagesave, digjitalizimi i shërbimeve financiare dhe kuadri rregullator, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, duke rritur mbikëqyrjen ndaj subjekteve financiare dhe duke fuqizuar mbrojtjen e konsumatorit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Gjatë vitit 2025, kryefjala jonë ka qenë ruajtja e stabilitetit, rritja e besueshmërisë dhe modernizimi i sistemit bankar e financiar. Këto mbeten në themel të veprimtarisë sonë të përbashkët edhe për vitin e ardhshëm, duke qenë se sfida të ngjashme do të vijojnë të jenë të pranishme.

Për vitin 2026, vlerësoj se ruajtja e vëmendjes në zgjerimin e ofrimit të shërbimeve bankare cilësore dhe transparente, të diversifikuara në mënyrë të drejtë dhe të mbështetura në kritere të përshtatshme të administrimit të rrezikut, do të mbetet thelbësore për forcimin e besimit të publikut dhe për mbështetjen e rritjes së aktivitetit tuaj. Në këtë kontekst, do të doja të ndalem në disa drejtime kyçe:

  • Investimet në inovacion teknologjik dhe digjitalizim, paralelisht me vendosjen e standardeve më të larta të mbrojtjes kibernetike, janë të domosdoshme për të ruajtur një pozicion konkurrues të shëndetshëm të institucioneve tuaja;
  • Roli i bankave në mbështetjen e sektorit privat dhe në rritjen ekonomike të vendit mbetet i pazëvendësueshëm. Në këtë drejtim, është e rëndësishme që financimet të orientohen drejt sektorëve produktivë dhe me nivel të lartë të vlerës së shtuar, duke mbështetur më shumë bizneset e vogla dhe të mesme;
  • Në dy vitet e ardhshme, kuadri ligjor dhe nënligjor që rregullon veprimtarinë financiare dhe bankare do të përafrohet plotësisht me atë të Bashkimit Evropian, si kërkesë e kapitullit përkatës të integrimit evropian. Në këtë proces, është i domosdoshëm mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i industrisë bankare, në mënyrë që ndryshimet të adoptohen drejt dhe përfitimet të materializohen sa më shpejt;
  • Ndonëse janë sipërmarrje private me qëllim kryesor fitimin, bankat mbeten institucione me përgjegjësi të theksuara sociale dhe duhet të vijojnë të kontribuojnë në edukimin financiar, përfshirjen financiare, financat e gjelbra dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Gjatë vitit të ardhshëm, sistemi financiar dhe sektori bankar do t’i nënshtrohen vlerësimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në kuadër të FSAP 2026. Ky vlerësim do të shërbejë si një certifikatë ndërkombëtare për cilësinë e kuadrit të përgjithshëm ligjor dhe nënligjor, praktikave të mbikëqyrjes dhe administrimit të rrezikut për veprimtarinë financiare, duke evidentuar njëkohësisht boshllëqet dhe duke orientuar drejt përmirësimeve të nevojshme. Jam i bindur se bashkëpunimi i industrisë bankare gjatë këtij procesi do të jetë i plotë dhe konstruktiv.

Në përfundim, dua të theksoj se sfidat me të cilat përballemi nuk i zbehin mundësitë që ka sektori bankar për të zhvilluar një veprimtari të sigurt, konkurruese, transparente dhe fitimprurëse. Banka e Shqipërisë do të ushtrojë me rigorozitet funksionin e saj si autoritet mbikëqyrës dhe rregullator, duke ofruar bashkëpunim maksimal me industrinë, në mënyrë që kjo veprimtari të mbetet e shëndetshme dhe të rrisë kontributin e saj në zhvillimin ekonomik të vendit.

Duke ju falënderuar për vëmendjen, ju uroj Gëzuar 2026, një vit sa më të mbarë për ju dhe familjet tuaja!

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular