FIFA ka njoftuar se do të rrisë me 50% shpërblimet për kombëtaret pjesëmarrëse në Kupën e Botës 2026.
Kampionët e rinj të eventit pritet që të marrin në shtëpi 50 milionë dollarë.
Vendimi vjen disa ditë pas kritikave që institucioni botëror i futbollit mori lidhur me çmimin e biletave për turneun, i cili do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Kjo detyroi FIFA-n që të prezantojë një paketë me çmim të ulët biletash në ndihmë të fansave, që do të ndjekin kombëtaret e tyre gjatë eventit.
Këshilli i FIFA-s, i mbledhur në Doha, vendosi se 727 milionë dollarë do të ndahen midis shteteve anëtare “si rezultat i Kupës së Botës 2026”.
Nga kjo shifër, 655 milionë dollarë do të jenë para shpërblimi të shpërndara midis federatave, kombëtaret e të cilave kanë siguruar kualifikimin.
Nënkampionët e Botërorit do të marrin 33 milionë dollarë, ndërsa ata që renditen midis “vendit të 33-të dhe të 48-të” në garën e zgjeruar do të marrin nga 9 milionë dollarë secili.
Duke llogaritur edhe 1.5 milionë dollarët që i jepen çdo ekipi pjesëmarrës për “kostot e përgatitjes”, kjo do të thotë se çdo komb i ka të garantuara të paktën 10.5 milionë dollarë.
Kjo do të jetë shuma minimale që, në rast kualifikimi, si Shqipëria, ashtu edhe Kosova do të marrin nga institucioni botëror i futbollit.
Presidenti Gianni Infantino deklaroi se “Kupa e Botës 2026 do të jetë novatore sa i përket kontributit të saj financiar për komunitetin global të futbollit.”







