Kryeministri Edi Rama është takuar këtë të enjte (18 dhjetor) me ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin në Hagë.
Me një postim në rrjetin social Facebook, Rama deklaron se ish-kreut të UÇK-së po i bëhet një padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike.
Sipas Ramës, Hashim Thaçi është rrëmbyer pa gjyq e pa akuzë nga zyra e Presidencës, ku e kishte vendosur populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën sipas kreut të qeverisë shqiptare, nuk mund ta përdhosë dot askush.
“Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë.
Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pese vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor”, shkruan Rama.
Ky i fundit bëri me dije dhe gjendjen e Thaçit, ku sqaron se ishte në formë të mirë dhe i buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt.
“Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë.
E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar – një turp më vete me një fjalë! Kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin me të qeshur Hashimi e quan “institut””, sqaroi Rama.
Deklaratat e Ramës vijnë në një moment pasi Gjykata Speciale e Hagës vijon shqyrtimin e akuzave ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999. Kryeministri shqiptar ka shprehur vazhdimisht mbështetje për liderët e Kosovës, duke i cilësuar ata si heronj të çlirimit dhe duke kërkuar që të bëhet e qartë pafajësia e tyre.







