Vizita e kryeministrit Edi Rama në Hagë për t’u takuar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ka sjellë një reagim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I dërguari presidencial për misione speciale, Richard Grenell, ka mbështetur hapur qëndrimet e Ramës, duke lëshuar akuza ndaj ish-prokurorit të Gjykatës Speciale, Jack Smith.
Përmes një postimi në platformën “X”, Grenell vlerësoi kryeministrin shqiptar për të kritikuar procesin ligjor në zemër të Evropës. Ai theksoi se Rama ka arritur të “turpërojë” evropianët për faktin se lejojnë vazhdimin e asaj që ai e quan një “padrejtësi të madhe”.
“Aleati i NATO-s dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e hedh poshtë çështjen ligjore të Jack Smith kundër ish-presidentit Thaçi dhe turpëron evropianët për lejimin e vazhdimit të kësaj padrejtësie. Jack Smith është një turp. Rama ka të drejtë,” shkroi Grenell në X.
Kryeministri Edi Rama, i cili ka qenë një nga mbrojtësit më zëshëm të pastërtisë së luftës së UÇK-së në arenën ndërkombëtare, e vizitoi Thaçin në qendrën e paraburgimit në Hagë për të shprehur mbështetjen e tij dhe të shtetit shqiptar. Kritikat e tij ndaj ecurisë së procesit dhe kohëzgjatjes së paraburgimit pa një vendim final, tashmë kanë gjetur jehonë edhe te diplomacia amerikane.








