nga Bujar Leskaj
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 25/2022 “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”, të ndryshuar, është i destinuar të dështojë në synimet e tij, për arsyet e mëposhtme:
I. Politikë publike pa strategji dhe koherencë për start-up-et dhe inovacionin
Prej më shumë se një dekadë, sekti Rama në pushtet ka përdorur me këmbëngulje terminologji si start-up, inovacion, ekonomi digjitale dhe sipërmarrje kreative. Megjithatë, pas fasadës gjuhësore fshihet një realitet zhgënjyes: mungesë e plotë e ndikimit real në strukturën ekonomike të vendit.
Start-up-et në Shqipëri nuk janë kthyer as në burim rritjeje ekonomike, as në kanal punësimi cilësor, as në eksportues të teknologjisë apo shërbimeve me vlerë të shtuar. Ato mbeten të pakta, të izoluara dhe kryesisht të mbështetura nga iniciativa private apo donatorë të huaj, dhe jo nga shteti.
Një nga shkaqet kryesore të dështimit dhe papërgjegjësisë së sektit është mungesa e një strategjie kombëtare të mirëfilltë për inovacionin. Dokumentet zyrtare janë thejesht deklarative, pa objektiva të matshëm, pa buxhete të qëndrueshme dhe pa mekanizma vlerësimi.
Programet qeveritare për start-up-et janë të fragmentuara dhe sporadike, ndryshojnë çdo vit, sipas axhendës politike dhe nuk lidhen organikisht me politikat arsimore, fiskale apo industriale. Në vend të një ekosistemi funksional, sekti Rama ka prodhuar vetëm evente butaforike, thirrje formale dhe ceremoni promovimi, por jo politika koherente. Praktikisht, e ka lënë Shqipërinë jashtë hartës evropiane të inovacionit.
Në BE, inovacioni nuk trajtohet si slogan, por si boshti i zhvillimit ekonomik afatgjatë. Strategji si “EU Innovation Agenda”, “Horizon Europe” dhe “Digital Europe” janë të lidhura në BE drejtpërdrejt me buxhete shumëvjeçare, objektiva të matshëm dhe institucione përgjegjëse.
Edhe në rajonin tonë, në Ballkanin Perëndimor, megjithëse në nivele më modeste, vendet e tjera kanë ndërtuar strategji koherente kombëtare. Serbia ka Strategjinë e Zhvillimit të Ekonomisë Digjitale dhe Inovacionit, Maqedonia e Veriut ka kornizë të integruar për start-up-et dhe ICT, ndërsa Mali i Zi ka orientim të qartë drejt shërbimeve digjitale dhe turizmit smart.
Vetëm Shqipëria nuk ka një strategji kombëtare funksionale për inovacionin dhe mungon lidhja mes programeve deklarative dhe Buxhetit të Shtetit.
II. Financim simbolik dhe i keqdrejtuar
Fondet publike për start-up-et dhe inovacionin janë të vogla në raport me nevojat reale, të paqëndrueshme dhe të shpërndara shpesh mbi kritere jo-transparente. Në shumë raste, mbështetja financiare ka favorizuar subjekte të lidhura politikisht me qeverinë, në mënyrë dërrmuese struktura sipërmarrjesh të vogla të krijuara enkas nga patronazhistët. Fondet e taksapaguesve shqiptarë kanë shkuar për projekte pa potencial tregu, duke mos pasur monitorim pas financimit.
Në Bashkimin Evropian, fondet për kërkimin shkencor arrijnë mesatarisht në 2–3% të PBB-së, me shumicën e Vendeve Anëtare që financojnë drejtpërdrejt start-up-et dhe sipërmarrjet fintech, ndërsa ekzistojnë dhe janë shumë aktive fonde publike–private për fazën e shkallëzimit (scale-up). Në Ballkan, Serbia dhe Kroacia kanë fonde kombëtare për inovacionin,ndërsa Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut përdorin fonde IPA dhe nga BERZH për start-up-et e tyre, me skema bashkëfinancimi dhe me grante konkurruese.
Tek ne, financimi publik për inovacionin është nën 0.1% të PBB-së. Fondet janë të vogla, të paqëndrueshme dhe të politizuara, ndërsa mungojnë totalisht instrumentet financiare për fazën e rritjes (scale-up).
Rezultati është i qartë: pak start-up-e tek ne mbijetojnë pas fazës fillestare, pothuajse asnjë nuk rritet, shkallëzohet dhe të kthehet në kompani kombëtare.
Ndërsa Bashkimi Evropian ofron lehtësira fiskale për start-up-et inovative, mbështet skemat “stock options” për punonjësit dhe garanton procedura të shpejta falimentimi dhe rikthimi në treg, kurse vendet të tjera në Ballkan, si Serbia dhe Kroacia kanë paketa fiskale të dedikuara për start-up-et dhe fintech-et e tyre, Shqipëria ofron një sistem fiskal të paqëndrueshëm, burokraci të lartë dhe pasiguri ligjore dhe rregullatore.
Start-up-et trajtohen njësoj si bizneset tradicionale, pa lehtësira reale tatimore, skema për aksionet e punonjësve (stock options) dhe pa mbrojtje për dështimin sipërmarrës.
Në këtë mjedis, inovacioni ndëshkohet, ndërsa biznesi spekulativ dhe informal shpërblehet!
III. Arsimi dhe kërkimi shkencor: hallka e munguar
Në ekonomitë moderne, start-up-et dhe inovacioni nuk lindin rastësisht, as nga fushata propagandistike, por nga një zinxhir funksional që nis me arsimin dhe kërkimin shkencor. Universitetet, laboratorët kërkimorë dhe qendrat e transferimit të teknologjisë janë burimi kryesor i ideve, talenteve dhe produkteve me vlerë të shtuar.
Në Shqipëri, ky zinxhir është i këputur që në hallkën e parë. Arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor nuk janë ndërtuar si motor zhvillimi ekonomik, por si sektorë formalë, të izoluar nga tregu dhe inovacioni.
Qeveria shqiptare ka dështuar të krijojë lidhje funksionale midis universiteteve, qendrave të kërkimit dhe sektorit privat inovativ. Shqipëria ende nuk ka parqe teknologjike funksionale, qeveria nuk akordon ka fonde serioze për kërkimin shkencor dhe nuk nxit komercializimin e ideve akademike. Si pasojë, talenti i ri ose emigron, ose kanalizohet në sektorë me vlerë të ulët të shtuar, ose mbetet i papërdorur.
Bashkimi Evropian po kalon drejt ekonomisë së dijes, industrisë 4.0 dhe teknologjive të gjelbra dhe digjitale. Ballkani po përpiqet të diversifikojë ekonomitë drejt teknologjisë së informacionit, shërbimeve të eksportueshme dhe prodhimit inteligjent.
Vetëm vendi ynë mbetet i mbështetur tek ndërtimi, turizmi sezonal, konsumi dhe remitancat.
Eksodi masiv i të rinjve të kualifikuar është dëshmia më e fortë e dështimit të politikave të inovacionit. Një ekonomi që nuk arrin të mbajë programues, inxhinierë, dizajnerë dhe kërkues shkencorë nuk mund të pretendojë ekosistem start-up-esh dhe nuk mund të konkurrojë në ekonominë e dijes.
Në vend që të tërheqë talentet shqiptare nga jashtë vendit, Shqipëria eksporton falas kapitalin e saj njerëzor!
Sekti Rama e ka zëvendësuar inovacionin me propagandë. Qeveria ka zgjedhur komunikimin mbi inovacionin, dhe jo ndërtimin e tij, duke gjeneruar inkubatorë “në letër” dhe nisma digjitale pa përdorues realë.
Kjo ka krijuar një iluzion modernizimi, ndërkohë që struktura ekonomike e vendit mbetet e mbështetur në ndërtim, konsum, turizëm sezonal dhe remitanca.
xxx
Dështimi i sektit Rama në nxitjen e start-up-eve dhe inovacionit nuk është teknik, por politik dhe institucional. Pa ndryshime rrënjësore në qeverisje, arsim, drejtësi ekonomike dhe klimë biznesi,
Shqipëria do të mbetet një ekonomi periferike, pa kapacitet për të prodhuar vlerë të shtuar dhe mirëqenie afatgjatë. Inovacioni nuk krijohet me slogane, por me institucione funksionale, liri ekonomike dhe besim tek e ardhmja. Këto dimensione ky sekt që kemi sot në qeverisje nuk mund t’i sigurojë.







