Ministria e Financave do të përdorë për herë të parë gjatë vitit 2026 një instrument të ri të huamarrjes së brendshme, obligacionet 2.5-vjeçare. Sipas kalendarit të huamarrjes për tremujorin e parë 2026, Ministria e Financave ka planifikuar zhvillimin e ankandit në muajin janar, ndërsa do të ketë dy rihapje të tij në muajt shkurt dhe mars.
Qëllimi i emetimit për herë të parë i një obligacioni me një cikël jo të plotë vjetor është ulja e përqendrimit të maturimeve të borxhit të brendshëm në tremujorin e parë të vitit.
Tremujori i parë i vitit është periudha me përqendrimin më të lartë të emetimit të instrumenteve borxhit të brendshëm. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për tremujorin e parë 2026 vlera e borxhit të emetuar (duke përfshirë rifinancimet) do të jetë 134 miliardë lekë, ose më shumë se 35% e vlerës totale vjetore të emetimeve të parashikuara.
Ky përqendrim reflektohet edhe në strukturën e maturimeve të instrumenteve.
Në tremujorin e parë 2026, vlera e borxhit të maturuar do të arrijë në 164.4 miliardë lekë. Kjo shumë përbën më shumë se 49% të vlerës totale të borxhit që maturohet gjatë vitit 2026.
Emetimi i instrumenteve me maturim 2.5 vjeçar do ta zhvendosë maturimin e borxhit përkatës në tremujorin e tretë të vitit 2028, duke mundësuar në të ardhmen një shpërndarje më të balancuar të emetimeve dhe maturimeve të borxhit të brendshëm përgjatë vitit kalendarik.
Gjatë vitit 2026, Ministria e Financave ka planifikuar një vlerë totale emetimesh të bonove dhe obligacioneve në tregun e brendshëm prej 380.1 miliardë lekësh. Duke zbritur vlerën e borxhit të maturuar dhe të riblerjeve (buy back), huamarrja e re neto do të ketë vlerën e 45 miliardë lekëve, në rënie nga niveli prej 50 miliardë lekësh i vitit 2025.
Tregu i bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare në dy vitet e fundit është karakterizuar nga një tendencë në rënie e yield-eve. Gjatë 2025, yield-et e titujve më afatgjatë prekën madje nivelet më të ulëta historike, ndërsa yield-et e bonove të thesarit qëndruan pranë ose poshtë normës bazë të interesit.
Kërkesa më e moderuar nga qeveria për financim ka qenë një ndër faktorët, paralelisht me përmirësimin e vlerësimit të riskut të borxhit sovran, nga agjencitë e specializuara. Kjo ka sjellë edhe rritjen e spektrit të investitorëve të interesuar, duke përfshirë edhe subjekte nga jashtë vendit dhe rrjedhimisht rritjen e kërkesës në ankandet e titujve qeveritarë./Monitor







