Në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, që u miratua nga dy dhomat e Kongresit amerikan dhe u kthye në ligj nga presidenti Trump më 18 dhjetor, Uashingtoni mbështet integrimin e shpejtë të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe në NATO.
“Reformat drejt Bashkimit Evropian, të kryera nga vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë sjellë përparim të konsiderueshëm demokratik dhe ekonomik në rajon, por pavarësisht këtij përmirësimi, nivelet e varfërisë dhe papunësisë në këtë rajon mbeten më të larta se në vendet fqinje të BE-së.
Korrupsioni, përfshirë edhe tek udhëheqësit kryesorë politikë, vijon që të prekë Ballkanin Perëndimor dhe përbën një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe politik të rajonit.“
Në aktin për mbrojtjen, sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i kërkohet që të nxisë iniciativa për zgjatjen e ndihmës teknike në çdo vend të Ballkanit Perëndimor, të forcojë strategjitë kombëtare ekzistuese kundër korrupsionit politik, veçanërisht në gjyqësor, në organet e pavarura të mbikëqyrjes së zgjedhjeve dhe prokurimet publike, si dhe të promovojë rolin e medias së pavarur në luftën kundër korrupsionit.
“SHBA-të duhet që të bashkëpunojnë me aleatët dhe partnerët e përkushtuar për forcimin e sundimit të ligjit, për diversifikimin e burimeve energjetike, reformat demokratike dhe ekonomike dhe reduktimin e varfërisë; të nxisë forcimin e lidhjeve tregtare dhe investimeve mes SHBA-së dhe aleatëve/partnerëve në Ballkanin Perëndimor dhe që të zgjasë ndihmën amerikane për përpjekjet e integrimit rajonal në rajon.“
Autori i këtij dokumenti për Ballkanin Perëndimor është kongresmeni demokrat
“Miratimi i këtij ligji nga dy dhomat e Kongresit dëshmon se Ballkani mbetet në radarin amerikan. Mesazhi i rëndësishëm është se Amerika vazhdon të jetë e interesuar për Ballkanin Perëndimor. Unë merrem me këtë rajon prej shumë vitesh dhe gjithmonë e kam konsideruar si një zonë të rëndësishme për ne. Njerëzit duhet ta dinë se edhe në këtë Qeveri të SHBA-së ka njerëz që e shohin si prioritet Ballkanin Perëndimor“, u shpreh William Keating, kongresmen.
Kongresi Amerikan ka shprehur mbështetjen për sigurinë kibernetike në Ballkanin Perëndimor, iniciativat për ndërlidhje ekonomike rajonale, si dhe kundër ndikimit keqdashës rus dhe kinez.







