Çmimet Oscar po i drejtohen ekranit të vogël.
Akademia e Arteve Filmike dhe Shkencave ka firmosur një marrëveshje disavjeçare që do t’i japë Youtube të drejtat ekskluzive botërore të Oscar duke nisur nga viti 2029 me ceremoninë e 101-të e deri në 2033.
ABC, kanali ku ceremonia është transmetuar prej dekadash, ka të drejtën e transmetimit deri në 2028.
Çmimet Oscar, përfshirë raportimin nga tapeti i kuq, ngjarjet në prapaskenë dhe Governors Ball, do të transmetohen drejtpërdrejt dhe falas për shikuesit në të gjithë botën dhe abonentët e Youtube TV në SHBA. Sipas burimeve për Variety, do të ketë reklama gjatë transmetimit në Youtube.
Sipas firmëtarëve të marrëveshjes, lëvizja drejt Youtube do të ndihmojë që Oscar të jetë më i shikueshëm për publikun botëror “përmes mjeteve si titrat dhe audioja që mund të përkthehet në disa gjuhë.”
Akademia ka qenë në kërkim të një marrëveshjeje të re transmetimi gjatë pjesës më të madhe të 2025. Gjatë verës, pati disa oferta nga NBCUniversal dhe Netflix.
Burimet besojnë se Youtube ofroi një shumë me 9 shifra duke tejkaluar ofertat 8-shifrore nga Disney/ABC and NBCUniversal. Në kontratën e fundit, Disney paguante 100 milionë dollarë në vit për çmimet Oscar, por së fundmi po përpiqej të shpenzonte më pak për pagesat e licencave.







