HomeKultureFtesë për lexim: Agron Tufa, romani “Bija e Minotaurit”/nga Ahmet Prençi

Ftesë për lexim: Agron Tufa, romani “Bija e Minotaurit”/nga Ahmet Prençi

Advertismentspot_img

nga Ahmet Prençi
Pasi lexon romanin “Bija e Minotaurit”, konstaton lehtësisht se ai është një roman i errët, shumë tronditës dhe thellësisht metaforik. Mendoj që nëpërmjet kësaj vepre, shkrimtari Agron Tufa ka arritur kulmin e tij artistike dhe moral.

Ky libër nuk duhet lexuar thjesht si një vepër letrare, sepse nuk është vetëm i tillë. Ai na paraqet një akt të fortë dëshmie, një panoramë të thellë rezistence dhe një përballje të pamëshirshme që ka ndodhur në kohën e errët me historinë e dhunës, heshtjes dhe deformimin e dhimbshëm të njeriut nën komunizëm.

Minotauri na shoqëron gjatë leximit si metaforë e shtetit totalitarë e monstruoz. Duhet thënë se Minotauri i këtij romani nuk është vetëm figura mitologjike e labirintit të lashtë antik. Ai në fakt sipas asaj që na shtjellon autori, është shteti, pushteti totalitar, mekanizmi i terrorit që ushqehet me frikë, me gjak dhe pa zë. Labirinti që përshkojmë nuk është më arkitektura mitike e Kretës, por jeta e përditshme e kohës komuniste, e mbushur me survejime, ndëshkime, turpe dhe përjashtime.

Në romanin “Bija e Minotaurit”, personazhet nuk janë ndërtuar si figura klasike narrative, por si qenie të plagosura, të formësuara nga dhuna dhe frika që i kishte pushtuar në palcë. Protagonistja kryesore, “bija”,  është figura qendrore dhe më tronditëse e romanit. Ajo mbart në trupin dhe ndërgjegjen e saj pasojat e një krimi që nuk e ka kryer, por që e ka trashëguar, duke u kthyer në një simbol të brezit të lindur nga terrori.

Përballë saj qëndrojnë figurat e egra pushtetit. Ata janë xhelatë anonimë, hetues, funksionarë e bashkëpunëtorë të sistemit të cilët janë përshkruar jo si individë të veçantë, por si fytyra të shumta të të njëjtit Minotaur. Shtetit totalitarë e monstruoz.

Subjekti i romanit është ndërtuar mbi përplasjet që ndodhin midis kujtesës dhe harresës, midis së vërtetës së dhunshme dhe tentativës për ta fshehur e për ta fshirë atë. E gjitha kjo  duke ndjekur fatin e një jete të shenjuar që nga lindja dhe përpjekjen e saj për të mbijetuar në labirintin moral e historik të diktaturës dhe pasojave të saj.

 “bija” është në të vërtetë trashëgimia e dhunës, e brezit që lindi nga krimi, nga dhuna e regjimit dhe nga përdhunimi moral e fizik i gjithë shoqërisë që jetoi ato kohë.

Një nga shtyllat më të forta të romanit është trupi i gruas si vendi ku depozitohet e gjithë historia e dhunës. Sipas Tufës, trupi i personazhit në vetvete nuk është është vetëm erotik, por edhe tragjik,  është dëshmitar, është provë. Ai flet shumë edhe kur zëri hesht. Ai mban shenja që ulërasin dhe nuk mundet ti fshij as koha, as tranzicioni, as harresa e qëllimshme.

Romani lidhet fort me etikën e autorit. Krimi nuk shlyhet duke mos u përmendur. Ai jeton i freskët në trupat e atyre që mbijetojnë.

Gjuha e Agron Tufës është e ngjeshur, poetike, shpesh shumë brutale në bukurinë e saj. Nuk gjen në tekst zbukurime të kota e as të tepërta. Çdo fjali është e ngarkuar me tensionin e thellë moral. Agroni është një shkrimtar që nuk kërkon të pëlqehet, por duhet të kuptohet, dhe më shumë akoma, duhet të mos harrohet. Proza e tij ka diçka biblike dhe njëkohësisht gjyqësore e juridike. Ajo na vjen si një aktakuzë, si psalm dhe si klithmë.

Vlen të thuhet se Bija e Minotaurit është në themel një roman kundër harresës dhe  amnistisë morale. Mesazhi kryesorë i romanit është një thirrje e fortë kundër idesë se plagët sduhet ti hapim. Përkundrazi, Tufa i hap plagët. Dhe e bën këtë jo për hakmarrje, por duke na trasmentuar qartë se shërimi është gjithmonë i pamundur pa të vërtetën.

Në këtë kuptim, romani, duhet thënë, bile duhet theksuar se është thellësisht politik, kurrsesi propagandistik. Ai është shumë etik dhe jo moralizues. Është në themel historik, por jo dokumentar. Kjo vepër e rëndësishme dhe unike për nga vlerat, qëndron fort në zonën më të vështirë të letërsisë, aty ku arti dhe ndërgjegjja përplasen fort dhe pa mëshirë.

Fakti që Agron Tufa jeton sot në ekzil në Zvicër, nuk është një detaj biografik, anësor dhe i pa përfillshëm. Është një vazhdim logjik i këtij romani. Sepse “Bija e Minotaurit” nuk do të mund të shkruhej nga një autor i pajtuar me gënjeshtrat publike.

Shkrimtari Tufa zgjodhi të na sjell nëpërmjet letërsisë vetminë e së vërtetës përballë rehatisë së neveritshme të heshtjes. Dhe kjo e bën librin jo vetëm të lexueshëm, por të domosdoshëm dhe shumë të rëndësishëm.

Si lexues, ju siguroj që ky roman nuk ju lë rehat. Të trondit vazhdimisht e më shumë kur e ke mbaruar së lexuari. Kur e mbyll librin nuk e vazhdon dot jetën si më parë. Diçka të mbetet pezull brenda teje. Të vërtiten në mendje shumë pyetje, të mundon vazhdimisht faji kolektiv dhe një kujtesë që nuk pranon kurrsesi të flejë.

Bija e Minotaurit është një libër që nuk na ndjek për të kërkuar duartrokitje, por të nxit që të kemi guxim për ta thënë gjithmonë të vërtetën e hidhur. Dhe Agron Tufa është një nga ata shkrimtarë të rrallë që e kanë pasur këtë guxim, edhe kur çmimi ka qenë mërgimi.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular