Vjeshta e vitit 1993 më zuri duke dëgjuar për herë të parë radion. Në atë kohë në vendlindjen time, nuk është se kishte shumë kanale shqip në valët radio. Dëgjoja Radio Tiranën, Radio Kukësin, ka qenë dhe një kanal i Radio Tiranës për bashkatdhetarë, ku emigrantët kujtonin nga larg familjet e tyre në Shqipëri me ndonjë përshëndetje. Nuk kishte asnjë zë tjetër shqip. Atë vjeshtë për herë të parë në shtëpinë tonë hyri radio. Asokohe isha shtatëmbëdhjetë vjeç. Gjatë verës mblodha boronica bashkë me motrën time në hapësira të pamata të bjeshkëve, në ca vende të egra, por të mrekullueshme ku kam shkuar për herë të parë e të fundit. Gjatë asaj kohe vlera e lekut pak kishte ndryshuar me atë të kohës së diktaturës, e cila e kishte thyer qafën vetëm dy vite më parë. Ne thurnim ëndërra… Kimia e moshës, por dhe vetë rinia e asaj epoke e kishte në çdo qelizë dëshirën e ndryshimit. Ne mendonim se bota duhej ndryshuar dhe se ne ishim ata që duhej ta ndryshonim atë rrënjësisht. Nejse … Me ato boronica në fund të verës së vitit 1993 arrita të blej një magnetofon dhe kjo ishte një mrekulli. Mbaj mend se boronicat kushtuan 24 mijë lekë të vjetra, aq më kushtoi edhe magnetofoni. Për të rinjtë e vitit 2025 është një absurditet të thuhet se asokohe ky ishte i vetmi instrument që më lidhte me botën. Sot vërshimi i jashtëzakonshëm i rrjeteve sociale e ka zhvendosur vëmendjen e njerëzve nga ana spirituale drejt diçkaje thjeshtë zbavitëse dhe publiku pothuaj nuk i ndjek më radiot. Është një vërtetë kjo dhe për këtë më vjen vërtetë keq, kur nga ana tjetër shikon 35 mijë ndjekës live tek dy tiktokerë që shahen me rrënjë deri në shtatë breza deri tek rrota e zetorit. Kurrë më parë nuk kishim patur radio në shtëpi. Në vitin 1988 sapo kisha mbaruar klasën e gjashtë. Një ditë vere pashë në vitrinën e dyqanit të fshatit një radio nga ato prodhimet e famshme të URT Durrës dhe iu pata lutur pafund nënës sime për ta blerë. Ishte hera e parë që shikoja në një dyqan të shitej radio dhe ky rast nuk duhej humbur. Por nëna ime nuk më dëgjonte. Në fakt më tha disa herë se nuk kemi lekë. E pyeta sa kushtonte dhe nuk më tregoi se nuk e dinte ende, por e dinte se kushtonte shumë, kuptohet, për gjendjen tonë. Atëherë shkova vetë tek shitësi, një burrë shumë babaxhan dhe me zemër të madhe që i ndjente hallet e njerëzve dhe e pyeta sa kushton.Duke ditur gjendjen tonë dhe pasionin tim fëminor ai ma ktheu prerë: “Nuk e shes!” Nuk di sa kam këmbëngulur derisa dikur e binda të më tregonte. Kushtonte 4000 lekë. Me gjithë rropamat sfilitëse të punës në kooperativë, nëna ime merrte diku dymijë e ca lekë asokohe në muaj. Babai kishte një pension 3300 lekë. Këto ishin të ardhurat. Kaq kishim mundësi. Pas shumë lutjesh dikur nëna ime u thye dhe vendosi ta blinte atë radio vetëm për mua duke marrë borxh dhe tek një shoqe, por ndërkohë s’qeshë me fat se radioja ishte shitur. Jam mërzitur shumë. Asnjëherë tjetër nuk do më jepet rasti, mendoja dhe realisht deri në vjeshtën e vitit 1992, kur bleva këtë magnetofon, nuk pata rast më. Prandaj ai magnetofon për mua ishte një mrekulli. Një ditë tetori a nëntori, nuk e di, duke kërkuar kanale të radios, dëgjova rastësisht një këngë që më ngjau e mrekullueshme. Ishte në një gjuhë që ende nuk e njihja. Aty ndalova dhe kur mbaroi kënga, një zë gruaje disi i trashë foli në një shqipe të çuditshme: Ju flet Radio Sofia Bullgaria. Dëgjuat një këngë nga Valja Balkanska, vazhdojmë transmetimet në gjuhën shqipe. Unë jam Natanjela Vasilijeva … Që atë ditë zbulova dhe një kanal radioje i cili në fakt rezultoi se transmetonte në gjuhën shqipe vetëm 45 minuta në mbrëmje dhe po aq në mëngjes, ritransmetim. Pas pak ditësh aty dëgjova se në Sofie ato ditë ishte zhvilluar një panair libri dhe kishin marrë një intervistë botuesit nga Tirana, z. Fatmir Toçi. Asokohe isha duke përmbyllur librin tim të parë me poezi, por nuk dija ende se ç’duhej të bëja me të për të kërkuar botues. Atëherë vendosa dhe iu shkruajta zonjave të seksionit shqip duke iu prezantuar dhe sesi isha bërë dëgjues i tyre, si dhe për të më dhënë një mendim si mund të kontaktoja me z. Fatmir. Asokohe ende funksiononte posta PTT (Postë Telegrafë Telefon) në fshat, si një aset i vjetër i një epoke të kaluar, por që ende vlente shumë, sepse koha e re nuk po lindte ende. Pas gati dy muajsh më erdhi përgjigjia nga Radio Bullgaria. Ishte një emocion i madh, ende pa e hapur zarfin mu duk se isha bërë i rëndësishëm. Një zarf i madh i modelit A4, brenda një letër A4 e punuar me kompjuter dhe brenda saj një kartolinë. Kartolina ishte pikërisht kjo që shikoni sot në foto dhe e kam ruajtur që atëherë. Një kishë madhështore në sfondin e një qielli të kaltër me një tis bore të lehtë mbi kupolat dhe këmbanore. Ishte katedralja e njohur Aleksandër Nevski e Sofjes. Edhe në vendlindjen time kur erdhi letra kishte shumë borë. Një urim i shkruar nga duar të panjohura në gjuhën time, i ardhur nga larg përmes dimrit. Ndërkohë kishte hyrë viti 1994, por letrës iu desh pothuaj një muaj të vinte nga Sofia e Bullgarisë duke udhëtuar nëpër dimrin e Ballkanit, që sapo kishte dalë nga sistemi komunist, drejt vendlindjes sime në Pukë. Letra ishte e gjatë …. E kam lexuar me një frymë. Ditët rrodhën, ngjarjet, vitet, kaluan tre dekada e më shumë. Ai djali shtatëmbëdhjetë vjeçar tani që i shkruan këto radhë është pesëdhjetë vjeç. Në fakt kisha vite pa e zënë me dorë këtë kartolinë. Shumë herë jam matur ta hedh, si shumë e shumë gjëra gjatë moteve të shumta, por nuk e di se si dhe se pse kam ndërruar mendje në momentin e fundit. Duke rrëmuar për një gjë tjetër në një sirtar me foto e sende të vjetra, më doli sonte përpara dhe e hoqa menjanë. U ndala dhe i kalova një dorë mbi pluhurin e viteve. Ende shkëlqen si atëherë … Por dora e sytë e mi jo më si atëherë. Madje sytë shpesh i ndjej të lodhur dhe nganjëherë m’i mjegullojnë disi përpjekjet për të rrokur detajet e imëta të gjërave. Sendet jetojnë më gjatë se ne. Thjesht ato jetojnë dhe nuk kërkojnë asgjë nëse ne i ruajmë. Ato na lidhin me vitet e largëta, na kujtojnë si kemi jetuar dikur, na kujtojnë ëndërrat, drithërimat e shpirtit në momente të jetës. Ky është shpërblimi i tyre i heshtur. Pastaj zhduken, për t’u shfaqur prapë, papritur, pa zhurmë, dhe i lidhin konturet e largët e të ngrënë të jetës sonë për disa çaste. Unë, asokohe, djalë adoleshent plot ëndërra, po kërkoja shtigje për të shkuar tek bota, me shpresë se ajo një ditë do të hapte krahët e të më pranonte, por sot pas më se tridhjetë e ca viteve nga ajo kohë, ndjej keqardhje të thellë për atë djalë i cili u zhduk në tisin e mjegullt të aq viteve. Në ato vite bota kërkonte diçka më të përsosur dhe nuk më shikonte. Sot bota kërkon diçka më të thjeshtë e argëtuese, një short video mundësisht vetëm tre sekonda, madje dhe këto rreshta, më vjen keq sa pak njerëz do t’i lexojnë.







