Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor me një rezolutë të miratuar më 10 dhjetor 2025, ku paralajmëron për një krizë të thellë në funksionimin e gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm dhe atyre administrative.
Në dokumentin e firmosur më 22 dhjetor, Shoqata thekson se prej vitit 2018, pas nisjes së procesit të vettingut, gjykatat janë përballur me një mbingarkesë të paprecedentë, e cila ka sjellë pasoja të rënda në cilësinë e drejtësisë dhe mirëqenien e gjyqtarëve.
“Kjo situatë ka tejkaluar kufijtë e një vështirësie të përkohshme, duke cenuar drejtpërdrejt respektimin e parimit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, efikasitetin dhe eficiencën e administrimit të drejtësisë, si dhe perceptimin dhe besimin e publikut ndaj sistemit gjyqësor,” thuhet në rezolutë.
Ngarkesa e punës
Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë përballon mbi 1100 çështje për gjyqtar, ndërsa në Gjykatën e Apelit rreth 50 mijë dosje të viteve 2017–2018 presin ende shqyrtim. Shoqata thekson se kjo gjendje ka sjellë “cenimin e mirëqenies fizike, psikologjike dhe sociale të gjyqtarëve”, duke i detyruar ata të punojnë përtej orarit zyrtar, në fundjava dhe ditë festash.
Siguria në gjykata
Një tjetër problematikë e rëndë lidhet me sigurinë. “Kontrolli i personave që hyjnë në ambientet e gjykatave kryhet nga persona të patrajnuar dhe pa standarde të unifikuara sigurie,” thekson Shoqata, duke shtuar se mungojnë pajisjet teknike si detektorët metalikë dhe nuk ka personel të dedikuar për ruajtjen e rendit në sallat e gjykimit.
Kërkesat kryesore
Shoqata i kërkon KLGJ-së:
Plotësimin urgjent të vakancave të gjyqtarëve në Tiranë dhe Apel.
Rritjen e numrit të punonjësve të trajnuar për sigurinë dhe përmirësimin e statusit financiar të tyre.
Investime në infrastrukturë dhe krijimin e ambienteve të reja për sallat e gjykimit.
Shtimin dhe trajnimin e stafit administrativ.
Implementimin e një sistemi të digitalizuar për menaxhimin e çështjeve.
Strategji komunikimi transparente për të informuar publikun mbi shkaqet e vonesave.
Në përfundim, Shoqata paralajmëron se pa ndërhyrje të menjëhershme, situata mund të përkeqësohet më tej. “Garantimi i pavarësisë së pushtetit gjyqësor, mirëqenies së gjyqtarëve dhe ofrimi i një drejtësie cilësore janë parakushte thelbësore për besimin e qytetarëve”, theksojnë ata.







