HomeEkonomiConfindustria Albania kundër draftit të Kodit Penal: Rrezik për biznesin, paralizon investimet

Confindustria Albania kundër draftit të Kodit Penal: Rrezik për biznesin, paralizon investimet

Advertismentspot_img

Confindustria Albania – Shoqata e Industrialistëve Italianë në Shqipëri, që përfaqëson rreth 170 biznese italiane e të përbashkëta, ka shprehur qëndrimin e saj të ashpër zyrtar kundër projektligjit të ri të Kodit Penal, i hedhur së fundmi për konsultim publik nga Ministria e Drejtësisë, duke paralajmëruar se nëse miratohet në ketë formë do të rrezikojë paralizimin e investimeve të huaja.

Confindustria Albania ndryshimet në Kodin Penal i cilëson të panevojshëm, të cilat rrisin ndjeshëm riskun ligjor për bizneset dhe cenojnë klimën e investimeve në vend.

“Nuk rezultoi dhe as konstatohet se ekziston ndonjë boshllëk në legjislacion penal, që të justifikojë nevojën për të shkuar drejt hartimit dhe miratimit të një kodi të ri penal. Mbi të gjitha vërehet se nga hartuesit e projektit të Kodit të ri Penal nuk është bërë një analizë shteruese e ndikimit të faktorëve ekonomikë dhe socialë në lidhje me rëndimin me penalizime të reja, siç propozohet, për veprat penale të kryera nga personat juridikë”, nënvizohet në qëndrim.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me kriminalizimin e tepruar të veprimeve me natyrë administrative, si shkeljet tatimore formale, mangësitë në dokumentacion apo shkelje të brendshme në shoqëritë tregtare, të cilat deri më tani janë trajtuar përmes masave administrative ose civile. Sipas Confindustria Albania, kjo qasje rrit presionin penal mbi biznesin dhe krijon pasiguri në ushtrimin e aktivitetit ekonomik.

Confindustria Albania shpreh gjithashtu kundërshtime ndaj zgjerimit të përgjegjësisë penale për personat juridikë, duke vënë në dukje se projekti parashikon përgjegjësi edhe për vepra penale që, sipas saj, nuk mund të lidhen logjikisht me natyrën e personit juridik. Kjo, sipas Confindustria Albania, bie ndesh me parimet themelore të së drejtës penale dhe praktikat e vendeve të Bashkimit Europian, ku përgjegjësia penale e personave juridikë është e kufizuar në fusha të caktuara si korrupsioni, krimi i organizuar dhe veprat kundër mjedisit.

Një tjetër problem që ngrihet është edhe mungesa e harmonizimit të draftit me legjislacionin ekzistues dhe praktikën gjyqësore, si dhe mbivendosja me ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”, veçanërisht përmes tentativës për të kriminalizuar pozitën dominuese në treg. Sipas Confindustria Albania, kjo mund të paralizojë investimet, të rrisë arbitraritetin në zbatim dhe të dëmtojë konkurrencën e lirë.

“Kriminalizimi i një sjellje që kërkon analiza komplekse ekonomike krijon pasiguri të thellë juridike, duke bërë që sjellje të zakonshme të biznesit si përqendrimet të mund të interpretohen si vepra penale. Gjithashtu, integrimi i përgjegjësisë penale mbi përqendrimet e ndërmarrjeve rrezikon të paralizojë investimet, të zbehë transaksionet dhe të dobësojë klimën konkurruese të tregut për shkak të rrezikut të shtuar të ndjekjes penale, në çdo rast ku çdo ndërmarrje mund të rrisë pjesëmarrjen e saj në treg. Në praktikë, kjo krijon mbivendosje ligjore, konflikte interpretimi ndërmjet autoriteteve dhe një rrezik të lartë arbitrariteti në zbatim”, theksohet ndër të tjera në qëndrimin e Cofindustria Albania.

Në përfundim, Confindustria Albania vlerëson se projektiligji i ri i Kodit Penal, në formën aktuale, rrit ndjeshëm riskun ligjor për bizneset dhe përbën pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit. Rekomandohet që drafti të mos përparojë dhe që fokusi të jetë përmirësimi i Kodit Penal ekzistues përmes një procesi të thelluar, gjithëpërfshirës dhe të mirëkonsultuar institucionalisht.

Drafti paraprak më herët është kundërshtuar edhe nga Profesionistët e Aleancës të Profesionistëve të Lirë (APL). Nëpërmjet një letre dërguar ish ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja APL kërkoi rishikim të kujdesshëm të dispozitave problematike, duke theksuar nevojën për respektim të parimit të proporcionalitetit dhe mbrojtje të lirive ekonomike dhe lirisë së fjalës.

Duke ngritur shqetësimin për zgjerimin e panevojshëm të ndërhyrjes penale në fusha që tradicionalisht janë trajtuar nga e drejta civile apo administrative, APL solli në vëmendje disa nene që sipas tyre mund të sjellin pasoja negative në marrëdhëniet mes bizneseve.

Drafti paraprak i kodit të Ri Penal më herët është publikuar në faqen zyrtare të Ministria së Drejtësisë.

Kodi Penal është miratuar në janar 1995, pothuajse 28 vite më parë. Në kohën e miratimit ky kod kishte 362 nene, ndërsa Kodi i Ri i propozuar ka mbi 600 nene. Sipas Ministrisë së Drejtësisë vit pas viti, Kodi i është nënshtruar mbi 30 herë amendimeve dhe shtesave të vazhdueshme, për t’iu përgjigjur nevojës së tranzicionit shoqëror dhe ekonomik që ka kaluar Shqipëria.

Ministria e Drejtësisë thekson se si pasojë e këtyre ndërhyrjeve në Kod është konstatuar ndjeshëm një mungesë e harmonizimit të përmbajtjes së Kodit Penal, veçanërisht përsa i përket llojeve dhe masave të dënimeve penale për çdo vepër penale bazuar në rrezikshmërinë e saj.

Qëndrim Zyrtar i Confindustria Albania për projektin e ri të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë

1.Vlerësim i përgjithshëm dhe mungesa e nevojës për një Kod të ri

Confindustria Albania shpreh shqetësimin në lidhje me projektin e Kodit Penal të hedhur kohët e fundit për konsultim publik. Kodi Penal, siç dihet, është një akt me rëndësi themelore për sistemin juridik, ekonomik dhe politik të vendit. Në lidhje me këtë projekt, kemi zhvilluar diskutime të gjera me juristë dhe avokatë, përfaqësues të shoqërive anëtare që Confindustria Albania përfaqëson. Nisur nga këto diskutime, na rezulton se ky draft nuk vjen si pasojë e ndonjë nevoje apo kërkese reale të sistemit penal apo i problemeve në zbatimin e Kodit Penal aktual. Përkundrazi, mendimi i përgjithshëm është se sistemi penal me Kodin Penal ekzistues, si një shtyllë e këtij sistemi, ka funksionuar në mënyrë të qëndrueshme dhe ka manifestuar rezultate pozitive, duke përfshirë këtu edhe trajtimin e çështjeve që lidhen me personat juridikë. Argumenti i përsëritur nga autorët e projektit të ri të Kodit Penal se “ndryshimet e shpeshta në Kodin aktual kërkojnë hartimin e një Kodi të ri” nuk është i bazuar dhe i qëndrueshëm. Ndryshimet ligjore janë reflektim i ndryshimeve në jetën sociale, politike dhe ekonomike të vendit. Projekti i Kodit të ri Penal sjell një varg ndryshimesh të rëndësishme thelbësore dhe strukturore. Nuk mendojmë se është kjo që kërkohet në këtë moment. Në këtë moment kërkohet forcimi dhe konsolidimi i zbatimit të Kodit ekzistues.

Ndryshimet rrënjësore apo të shumta në këtë moment nuk do të kontribuonin në forcimin e sistemit penal. Përkundrazi, kjo lloj qasjeje cenon sigurinë juridike, parashikueshmërinë ligjore dhe besimin e subjekteve ekonomike në sistemin e drejtësisë. Nga diskutimet rezultoi e qartë se mungojnë arsyet, faktorët apo motivet që të nxisin apo të shtyjnë për bërjen e një kodi të ri penal. Gjithashtu, nuk rezultoi dhe as konstatohet se ekziston ndonjë boshllëk në legjislacion penal, që të justifikojë nevojën për të shkuar drejt hartimit dhe miratimit të një kodi të ri penal. Mbi të gjitha vërehet se nga hartuesit e projektit të Kodit të ri Penal nuk është bërë një analizë shteruese e ndikimit të faktorëve ekonomikë dhe socialë në lidhje me rëndimin me penalizime të reja, siç propozohet, për veprat penale të kryera nga personat juridikë.

  1. Kriminalizimi i tepruar i veprimeve dhe akteve administrative

Një shqetësim thelbësor i Confindustria Albania lidhet me tendencën për të kriminalizuar veprime dhe akte që kanë natyrë të theksuar administrative dhe që deri më tani janë trajtuar me mjete administrative ose civile. Shembuj të tillë janë:

  • Shkeljet në fushën e tatimeve dhe mbajtjes së dokumentacionit tatimor;
  • Kërkesat e parregullta apo mosmbajtja e regjistrave;
  • Shkelje të kryera në shoqëritë tregtare;
  • Shkelje të karakterit formal që nuk përbëjnë rrezik penal, por vetëm mangësi administrative.

Kjo qasje rënduese penale përbën një rrezik për klimën e biznesit, pasi vendos presion penal mbi aktivitetin tregtar dhe sjell pasiguri në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike. Në këtë kuadër, theksojmë se projektkodi nuk ruan një raport të drejtë ndërmjet përgjegjësisë administrative dhe asaj penale. Përveç ruajtjes së një raporti të drejtë dhe proporcional ndërmjet këtyre përgjegjësive, jemi të mendimit se në zbatimin e përgjegjësisë penale ndaj personave juridikë duhet të evitohet ndëshkimi i biznesit në vetvete ose i punonjësve që lidhen me të. Në radhë të parë, fokusi duhet të jetë krijimi i një klime të shëndetshme bashkëpunimi dhe ndërveprimi ndërmjet organeve publike, si: tatimet, doganat, konkurrenca, etj, nga njëra anë, dhe biznesit nga ana tjetër.

  1. Presion i shtuar penal ndaj personave juridikë

Në projektin e Kodit të ri Penal është vërejtur shtim i konsiderueshëm i veprave penale për të cilat mund të përgjigjet personi juridik (ose më saktë përfaqësuesit ligjorë të tij). Ky zhvillim:

  • është përtej logjikës juridike të dallimit ndërmjet personit fizik dhe juridik;
  • ngarkon padrejtësisht shoqëritë tregtare me përgjegjësi që nuk u takojnë;
  • krijon mundësi për interpretime arbitrare gjatë zbatimit nga organet kompetente.

Në disa dispozita, projekti parashikon që personi juridik mund të dënohet për vepra penale absurde, si p.sh. vrasja, plagjiatura apo keqtrajtimi i kafshëve, çka është në kundërshtim me parimet themelore të përgjegjësisë penale dhe të funksionimit të shoqërive tregtare. Gjithashtu, konstatojmë se shumë vepra penale parashikojnë si rrethanë cilësuese apo rënduese rastin kur vepra penale kryhet nga personi juridik.

Ndërkohë që disa prej figurave të veprave penale nuk kuptohet se si mund të kryhen nga personi juridik, për disa të tjera mendojmë se parashikime të tilla e rëndojnë në mënyrë joproporcionale pozitën e personave juridikë dhe janë të paqarta. Për më tepër, konstatojmë dispozita ku gjykatës i jepet një diskrecion i tepruar për vendimmarrje mbi bazën e “rrethanave konkrete”, duke cenuar sigurinë dhe parashikueshmërinë ligjore. Prej vitesh Bashkimi Evropian është i orientuar drejt përgjegjësisë penale të personave juridikë, por e kufizuar kjo në fusha, si: korrupsioni, krimi i organizuar apo veprat penale kundër ambientit.

Ekspertët e Confindustria Albania vlerësojnë që përgjegjësia penale e personave juridikë duhet të kufizohet vetëm për vepra penale të lidhura drejtpërdrejt me aktivitetin ekonomik dhe përfitimin në dobi të shoqërisë, në përputhje me standardet dhe praktikat e mira të vendeve të Bashkimit Evropian. Është e rëndësishme të theksohet se për veprat penale të kryera nga personi juridik ekziston tashmë një ligj i posaçëm siç është ligji nr. 9754, datë 14.6.2007, “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”, i cili mendojmë se rregullon në mënyrë të mjaftueshme dhe të duhur përgjegjësinë penale për personat juridikë në rastin e kryerjes së një vepre penale.

  1. Mungesa e harmonizimit me ligjet ekzistuese dhe praktikat gjyqësore

Në kuadër të një shteti demokratik, një ligj penal duhet të priret nga përqafimi i parimeve moderne të drejtësisë penale dhe jo atyre që tregojnë qasje represive ndaj biznesit dhe konkurrencës së lirë. Projekti i Kodit të ri Penal nuk merr në konsideratë parimet bazë të drejtësisë penale dhe asaj civile kur bëhet fjalë për normimin e përgjegjësisë penale të personit juridik, parime këto të konsoliduara nga doktrina dhe jurisprudenca moderne e vendeve perëndimorë prej më shumë se 100 vjetësh. Në veçanti, në shumë figura të veprave penale konstatohet shkelja e parimeve të përgjithshme të së drejtës, të tilla si: parimi i specialitetit, parimi i proporcionalitetit, parimi i humanizmit, apo edhe vetë parimi i ligjshmërisë.

Kodi aktual së bashku me ligjin “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë” dhe ligjin “Për shoqëritë tregtare” kanë krijuar një kuadër të qartë dhe të integruar për trajtimin e çështjeve penale që lidhen me subjektet tregtare. Në praktikë ky sistem ka prodhuar rezultate të qëndrueshme, të konfirmuara edhe nga vendimet e Gjykatës së Lartë. Konkretisht, praktika gjyqësore që është zhvilluar së fundmi nga ana e Kolegjeve Penale të Gjykatës së Lartë tregon se kur merret në analizë përgjegjësia penale e personit juridik, duhet të udhëhiqemi nga disa rregullime specifike që nuk i gjejmë në rregullat që sanksionojnë përgjegjësinë penale të individit (për referencë vendimi nr. 154, datë 16.05.2023, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë). Projekti i Kodit të ri Penal nuk e merr parasysh këtë përvojë dhe për më tepër injoron parimet bazë të ndarjes ndërmjet përgjegjësisë civile dhe asaj penale të organeve të personit juridik. Ai shfaq mospërputhje të dukshme me logjikën dhe terminologjinë e ligjeve tregtare dhe nuk reflekton njohuri të mjaftueshme për funksionimin e shoqërive tregtare. Ndër të tjera, një problem i veçantë dhe i rëndësishëm është integrimi në Kodin Penal i një dispozite të re që mund të kriminalizojë pozitën dominuese në treg.

Kjo dispozitë përbën mbivendosje të drejtpërdrejtë dhe të pajustifikuar me ligjin nr. 9121, datë 28.7.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, i cili tashmë rregullon në mënyrë të specializuar abuzimin me pozitën dominuese, marrëveshjet e ndaluara dhe kontrollin e përqendrimeve.

Kriminalizimi i një sjellje që kërkon analiza komplekse ekonomike krijon pasiguri të thellë juridike, duke bërë që sjellje të zakonshme të biznesit si përqendrimet të mund të interpretohen si vepra penale. Gjithashtu, integrimi i përgjegjësisë penale mbi përqendrimet e ndërmarrjeve rrezikon të paralizojë investimet, të zbehë transaksionet dhe të dobësojë klimën konkurruese të tregut për shkak të rrezikut të shtuar të ndjekjes penale, në çdo rast ku çdo ndërmarrje mund të rrisë pjesëmarrjen e saj në treg. Në praktikë, kjo krijon mbivendosje ligjore, konflikte interpretimi ndërmjet autoriteteve dhe një rrezik të lartë arbitrariteti në zbatim.

  1. Ndikimi negativ në klimën e investimeve dhe në sigurinë juridike

Projekti, në formën aktuale, rrit ndjeshëm riskun ligjor për bizneset dhe cenon klimën e investimeve në Shqipëri. Në vend që ta thjeshtojë dhe modernizojë legjislacionin penal, ai e komplikon, e zgjat në mënyrë të panevojshme dhe krijon pasiguri për subjektet ekonomike. Për pasojë, Confindustria Albania e konsideron projektin si represiv ndaj funksionimit normal të kompanive, pengesë për zhvillimin ekonomik dhe rrezik për përkeqësimin e klimës së biznesit në vend.

  1. Rekomandim për procesin e mëtejshëm

Duke marrë parasysh rëndësinë themelore të Kodit Penal, çdo rishikim i tij duhet të ndodhë vetëm mbi bazën e një analize të thelluar, me konsultim të gjerë institucional, akademik dhe ekonomik, dhe jo përmes një projekti të papjekur e të nxituar.

Confindustria Albania rekomandon që:

  • Drafti aktual të mos përparojë në këtë formë;
  • Të synohet përmirësimi i Kodit ekzistues, jo zëvendësimi i tij total. Monitor
Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular