Nga FLORIAN KALAJA
Ndër çështjet e shumta problematike kushtetuese dhe konventore të projektit të Kodit të ri Penal konstatoj se disa prej tyre shfaqen edhe në mënyrën se si grupi i punës ka hartuar përgjegjësinë penale unitare apo solidare të bashkëpunëtorëve anëtarë në formacionet kriminale të bashkëpunimit të posaçëm. Objekt i këtij shkrimi do të jetë një çështje e veçantë e regjimit juridik të fajësisë në bashkëpunimin e posaçëm, konkretisht i rregulluar në nenin 58 dhe 59 të projektit të Kodit të ri Penal. Fillimisht sjell në vëmendje se pika 1 e nenit 59 të tij parashikon se:
“1. Anëtarët e organizatës kriminale, të organizatës terroriste, bandës së armatosur ose grupit të strukturuar kriminal janë përgjegjës për të gjitha veprat penale të kryera në përmbushjen e qëllimeve të veprimtarisë kriminale të grupimeve të posaçme në përputhje me rolin e tyre në secilën vepër të kryer.”
Deri këtu nuk ka asgjë jonormale. Përkundrazi është çdo gjë sikurse duhet të jetë. Si rregull i përgjithshëm bashkëpunim penal quhet kryerja e veprës penale nga dy ose më shumë persona me marrëveshje ndërmjet tyre. Duke pasur parasysh këtë rregull të përgjithshëm, ligjet penale materiale kanë sanksionuar parimin e përgjegjësisë unitare penale të bashkëpunëtorëve, duke u konkluduar sakaq se të gjithë bashkëpunëtorët do të kenë përgjegjësi për të njëjtën vepër. Por ligjet penale materiale, sidomos pas ratifikimeve të Konventës së Palermos (Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Transnacional), kanë shquar dy lloje të bashkëpunimit penal, konkretisht bashkëpunimi i zakonshëm penal dhe bashkëpunimi i posaçëm penal apo thënë ndryshe krimi i organizuar. Ndryshe nga bashkëpunimi i zakonshëm penal, që kërkon detyrimisht pjesëmarrje drejtpërdrejtë të personit si bashkëpunëtor në vepër penale për të mbajtur përgjegjësi penale, bashkëpunimi i posaçëm njeh edhe përgjegjësinë solidare penale, që do të thotë se secili pjesëtar i formacioneve kriminale të krimit të organizuar mban përgjegjësi penale për të gjitha veprat penale të kryera në kuadër të përmbushjes së qëllimeve kriminale të formacionit ku ai bën pjesë, pavarësisht rolit të ushtruar nga ai drejtpërdrejtë apo indirekt në kryerjen e veprës penale. Një regjim i tillë i jashtëzakonshëm i përgjegjësisë penale solidare të fajësisë diktohet nga natyra juridike e marrëveshjes së anëtarësisë së subjektit në formacionet e krimit të organizuar dhe solidaritetin faktik dhe juridik të secilit prej tyre me qëllimet unitare kriminale që ndjek veprimtaria e këtyre strukturave paralele, që sfidojnë shoqërinë dhe shtetin me pushtet autonom kriminal përkundrejt autoritetit të pushtetit shtetëror.
Vlerësoj me vend të sjell në vëmendje shkurtimisht reflektimin e dy autorëve britanik në shkrimin “Përdorimi dhe abuzimi i bashkëpunimit”, konkretisht Paul Jarvis dhe Michael Bisgrove, të cilët për fjalën në gjuhën angleze për bashkëpunimin penal, “conspiracy”, tregojnë se ka rrjedhur nga fjala latine “con” dhe “spirare”, që të bashkuara përkthehen “të marrësh frymë së bashku”. Ato reflektojnë ndër të tjera se, sikurse për të formuar këtë fjalë duhet bashkimi i domosdoshëm i dy fjalëve, edhe për të pasur bashkëpunim penal duhet bashkimi i domosdoshëm i dy personave. Më tej ato tregojnë se “të marrësh frymë bashkë” në leksikun juridik do të duhet të provohet se bashkëpunëtorët duhet të ndajnë të njëjtat qëllime kriminale në marrëveshjen e tyre.
Sjell në vëmendje se një regjim i tillë juridik i përgjegjësisë penale solidare konstatohet më së hershmi në Kodin Penal të vitit 1952, ku paragrafi i tretë i nenit 14 parashikonte se pjesëmarrësi i organizatës kriminale ka përgjegjësi penale jo vetëm për krimet në të cilat ai ka marrë pjesë drejtpërdrejtë por edhe për krimet e kryera nga pjesëmarrës të tjerë të organizatës, në qoftë se ka pasur dijeni se kryerja e këtyre krimeve hynte në planin e veprimtarisë së organizatës kriminale. I njëjti rregullim ligjor parashikohej edhe në nenin 15 të Kodit Penal të vitit 1977. I njëjti rregullim ligjor parashikon edhe pika 6 e nenit 28 të Kodit Penal në fuqi. Ndryshimi i këtij Kodi me dy paraardhësit është se formacionet kriminale të krimit të organizuar janë katër, organizata kriminale, organizata terroriste, banda e armatosur dhe grupi i strukturuar kriminal. Në këtë drejtim edhe projekti i Kodit të Ri Penal ruan partikularitetin e ndarjes në katër lloje të formacioneve të krimit të organizuar, sikurse Kodi Penal në fuqi. Sikurse tre pararendësit e tij, edhe pika 1 e nenit 59 të projektit të Kodit të ri Penal parashikon parimin e përgjegjësisë solidare penale të pjesëmarrësve në secilin nga këto formacione kriminale të bashkëpunimit të posaçëm, nën kushtin që veprat penale të jenë kryer në përmbushjen e qëllimeve të veprimtarisë kriminale të secilit prej këtyre grupimeve dhe në përputhje me rolin e tyre në secilën vepër të kryer. Ky solidaritet fajësie penale konfirmohet edhe nga mënyra se si neni 58 i këtij projekti përkufizon secilën anëtarësi të subjekteve përgjegjës në këto struktura kriminale. Kështu paragrafi i dytë i pikës 1 i nenit 58 ndër të tjera parashikon se anëtarët e organizatës kriminale bashkohen nën qëllimin e përbashkët, në dijeni të plotë për llojin e veprave penale që do të kryejnë, gatishmërinë për kryerjen e tyre sipas kontributit që do të japin në përputhje me natyrën e veprës apo aftësitë individuale, krijimit të përfitimeve materiale apo të çfarëdollojshme të kësaj strukture. Nga ana tjetër, paragrafi i tretë i pikës dy të nenit 58 parashikon se anëtarët e organizatës terroriste bashkohen ndërmjet tyre nën qëllimin e përbashkët, në dijeni të plotë për llojin e veprave penale që do të kryejnë, gatishmërinë për kryerjen e tyre sipas kontributit që do të japin në përputhje me natyrën e veprës apo aftësitë individuale, krijimit të përfitimeve të çfarëdollojshme që rrjedhin prej qëllimit të formimit të organizatës terroriste. Më tej paragrafi i dytë i pikës 3 të nenit 58 parashikon se anëtarët e bandës së armatosur bashkohen ndërmjet tyre nën qëllimin e përbashkët, në dijeni të plotë për llojin e veprave penale që do të kryejnë, gatishmërinë për kryerjen e tyre sipas kontributit që do të japin në përputhje me natyrën e veprës apo aftësitë individuale, krijimit të përfitimeve të çfarëdollojshme që rrjedhin prej qëllimit të formimit të bandës së armatosur. Më tej paragrafi i dytë i pikës 4 të nenit 58 ndër të tjera parashikon se anëtarët e grupit të strukturuar kriminal bashkohen ndërmjet tyre nën qëllimin e përbashkët, në dijeni të plotë për llojin e veprave penale që do të kryejnë, gatishmërinë për kryerjen e tyre sipas kontributit që do të japin në përputhje me natyrën e veprës apo aftësitë individuale, krijimit të përfitimeve të çfarëdollojshme që rrjedhin prej qëllimit të formimit të grupit të strukturuar.
Sikurse konstatohet dhe sikurse rëndom është konstatuar në 11 shkrimet e deritanishme të kësaj rubrike, grupi i punës edhe në këtë çështje përsërit pikën 1 të nenit 59 në pikën 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 58 të projektit. Ndërkohë që do të mjaftonte vetëm pika 1 e nenit 59 për të rregulluar mjaftueshëm këtë çështje dhe se katër pikat e nenit 58 nuk janë gjë tjetër veçse firo legjislative.
Sikurse është konstatuar në 11 shkrimet e deritanishme të kësaj rubrike, grupi i punës, jo vetëm përsërit dhe krijon firo legjislative vend e pavend, por përsërit dhe rregulla kundërthënëse dhe që krijojnë përplasje me njëra-tjetrën. Kështu, gjithçka që rregullon dita e pikës 1 e nenit 59 të projektit, pasi përsëpestet si rregull edhe në pikën 2 të po kësaj dispozite, e shemb nata e pikës 3 e saj, duke parashikuar këto dy pika si vijon:
2. Anëtarët e organizatës kriminale dhe organizatës terroriste mbajnë përgjegjësi penale për çdo vepër penale të kryer nga organizatat pavarësisht nëse kanë dhënë më parë miratimin apo mbështetjen e tyre.
3. Anëtarët e bandës së armatosur dhe grupit të strukturuar kriminal, mbajnë përgjegjësi penale për veprat penale të kryera kur ata kanë marrë pjesë në kryerjen e tyre, ose kanë dhënë më parë miratimin apo mbështetjen për kryerjen e tyre.”
Sikurse konstatohet pika 2 e kësaj dispozite është përsëritje e pestë e rregullit të përbotshëm të përgjegjësisë solidare penale. Ndërkohë pika 3 e kësaj dispozite rezulton se prezantohet si rregull për herë të parë në historinë 113 vjeçare të historisë së shtetit shqiptar. Pika 3 e nenit 59 është unike në llojin e saj, nga gjitha legjislacionet simotra penale të studiuara nga ana ime deri më sot. Kjo do të thotë se rregulli universal i parashikuar në pikën 1, i përsëritur sërish në pikën 2 të nenit 59 të këtij projekti dhe i përsëritur sërish katër herë të tjera në pikën 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 58 të tij, vlen vetëm për të konkluduar mbi fajësinë penale solidare kundrejt anëtarëve të organizatës kriminale dhe organizatës terroriste. Nga ana tjetër, rregulli universal i fajësisë penale solidare, i parashikuar në pikën 1 dhe 2 të nenit 59 dhe në pikën 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 58, nuk vlen për të konkluduar fajësinë penale të anëtarëve të bandës së armatosur dhe grupit të strukturuar kriminal.
Sjell në vëmendje se qoftë pika 1 e nenit 59, qoftë pika 1, 2, 3 dhe 4 e nenit 58 të projektit të Kodit të ri Penal, sikurse paragrafi i tretë i nenit 14 të Kodit Penal të vitit 1952, sikurse neni 15 i Kodit Penal të vitit 1977 dhe sikurse pika 6 e nenit 28 të Kodit Penal në fuqi, kriminalizon solidarisht anëtarët në secilin formacion kriminal për të gjitha veprat penale të kryera nga këto grupime, pasi ato janë në dijeni të tyre dhe, qoftë me pjesëmarrjen direkte dhe indirekte, ndikojnë apo mundësojnë secilën ngjarje kriminale. Qëllimi unik kriminal dhe marrëveshja e këtyre formacioneve është filli që shpjegon të gjithë aktivitetin penal në kohë dhe në hapësirë të secilit anëtar që është përgjegjës për secilin fakt penal historik. Është pikërisht kjo lidhje sistematike dhe e qëndrueshme e anëtarësisë në formacione të tilla shoqërore kriminale arsyeja që ligjvënësit në mbarë botën kanë vlerësuar të vendosin rregullin e posaçëm të solidaritetit të fajësisë penale të anëtarësisë.
Këto norma ligjore që rregullojnë përgjegjësinë penale për organizimin kolektiv të individëve në format e posaçme të bashkëpunimit penal synojnë të garantojnë sigurinë dhe rendin juridik publik dhe realizimin e të drejtës kushtetuese për organizim kolektiv të individëve për qëllime të ligjshme, sipas nenit 9, 46 dhe 47 të Kushtetutës. Kusht për kualifikimin juridik të ekzistencës së tyre është predispozita e një strukture të organizuar që lejon realizimin e programit apo planit kriminal që ky organizim synon. Karakteristika kryesore e bashkëpunimit të posaçëm është shumësia e kualifikuar personave aktivë që konsumojnë veprën penale të dakordësuar për pjesëmarrje dhe për kryerjen e aktivitetit kriminal dhe se në çdo rast marrëveshja e arritur ndërmjet tyre ka karakter të qëndrueshëm për bashkëkontribut reciprok në arritjen e qëllimeve kriminale.
Në çdo rast elementi moral apo fajësia subjektive e krijimit, organizimit, drejtimit, financimit apo pjesëmarrjes në këto forma të posaçme të bashkëpunimit penal është kryerja e një aktiviteti kriminal homogjen apo heterogjen. Ana subjektive e krijimit të formave të posaçme të bashkëpunimit është element konstitutiv i përgjegjësisë penale solidare të anëtarësisë në krimin e organizuar. Ndërgjegjja dhe vullneti i dijenisë së pjesëmarrjes dhe kontributit të secilit prej bashkëpunëtorëve pjesëtarë në formacionet kriminale të bashkëpunimit të posaçëm është elementi që provon dashjen dhe konstituon sakaq anën subjektive solidare të këtyre krimeve.
Në këtë mënyrë konstatoj se grupi i punës përmes pikës 3 të nenit 59 të projektit të Kodit të ri Penal propozon të zhbëjë logjikën ligjore tradicionale të vendosur në Shqipëri ndër 8 dekada histori të shtetit shqiptar, konkretisht të vendosur nga paragrafit i tretë i nenit 14 të Kodit Penal të vitit 1952, nga neni 15 i Kodit Penal të vitit 1977 dhe nga pika 6 e nenit 28 të Kodit Penal në fuqi. Gjithashtu pika 3 e nenit 59 të projektit të Kodit të ri Penal prish gjithçka është rregulluar në pikën 1 dhe 2 të kësaj dispozite në mënyrë të përsëritur dhe më tej prish gjithçka që është rregulluar në mënyrë të përsëritur në paragrafin e dytë të pikës 1, në paragrafin e tretë të pikës 2, në paragrafin e dytë të pikës 3 dhe në paragrafin e dytë të pikës 4 të nenit 58 të këtij projekti.
Nga 11 shkrime të dedikuara deri më tani analizës së projektit të Kodit të ri Penal konstatoj se pika 3 e nenit 59 të tij është rasti i parë kur qasja e grupit të punës paraqitet e moderuar në drejtim të furisë së ndëshkimit penal dhe penalizimit të sjelljes njerëzore. Për fat të keq edhe këtë herë kjo zgjedhje që propozohet të bëhet ligj është e gabuar. Ligjvënësi shqiptar nuk mund ta shndërrojë në ligj këtë rregull, pasi në këtë mënyrë do të dekriminalizohej vijimësisht një pjesë të krimit të organizuar në Shqipëri.
AUTORI, GJYQTAR PRANË GJYKATËS SË POSAÇME PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR







