Platforma e‑Albania vijon të mos jetë funksionale edhe sot, pas problemeve të përsëritura të ditëve të fundit, duke shkaktuar bllokim të një sërë shërbimesh thelbësore për bizneset dhe qytetarët. Mosfunksionimi i njëkohshëm ose periodik i sistemeve kryesore digjitale po kthehet në një problem për marrëdhënien mes sektorit privat dhe administratës publike.
Rënia e njëkohshme ose mosfunksionimi i sistemeve kryesore online të shërbimeve për biznesin, si e-Albania, QKB dhe SelfCare, përbën një shqetësim serioz për funksionimin normal të aktivitetit ekonomik dhe marrëdhënien e bizneseve me administratën publike apo e profesionistëve me klientët e tyre.
Këto platforma janë sot infrastruktura bazë për regjistrime, deklarime, aplikime, pagesa dhe përmbushje detyrimesh ligjore. Ndërprerja e tyre, qoftë edhe e përkohshme, krijon pasiguri juridike, vonesa procedurale, rrezik penalitetesh dhe kosto shtesë për bizneset dhe profesionistët e lirë, të cilët varen pothuajse tërësisht nga shërbimet digjitale.
Fenomeni ngre pikëpyetje jo vetëm mbi qëndrueshmërinë teknike të sistemeve, por edhe mbi menaxhimin e riskut, kapacitetet e back-up-it, komunikimin institucional dhe mekanizmat alternativë që duhet të aktivizohen në raste të tilla.
Në këtë kontekst, vlerësojmë të domosdoshme:
• transparencë më të madhe mbi shkaqet e ndërprerjeve dhe kohëzgjatjen e tyre;
• forcimin e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe redundancës së sistemeve digjitale;
• parashikimin e procedurave alternative dhe shtyrjen automatike të afateve ligjore në raste mosfunksionimi të platformave;
• komunikim të qartë dhe në kohë me përdoruesit, për të shmangur pasigurinë dhe keqinterpretimet.
Digjitalizimi është një arritje e rëndësishme, por ai kërkon investim të vazhdueshëm, testim rigoroz dhe qasje serioze ndaj riskut operacional. Ne inkurajojmë institucionet përgjegjëse që ta trajtojnë këtë çështje me prioritet, në dialog me komunitetin e biznesit dhe profesionistëve, për të garantuar shërbime publike digjitale të besueshme, funksionale dhe të qëndrueshme.







