HomePolitikeSPAK dhe prokuroritë speciale në BE/nga Fatos Çoçoli

SPAK dhe prokuroritë speciale në BE/nga Fatos Çoçoli

Advertismentspot_img

nga Fatos Çoçoli

Sjellja institucionale dhe profesionale e SPAK me rastin Balluku ka zbuluar një hendek të dukshëm e të thellë mes mënyrës se si funksionon SPAK në Shqipëri dhe praktikave të konsoliduara të prokurorive speciale në Bashkimin Europian.

Ky krahasim është i domosdoshëm, sepse Shqipëria aspiron të hyjë në BE dhe institucionet e saj t’i ngjajnë ose të jenë njësoj si ato të Bashkimit Evropian.

Për fat të keq, drejtësia jonë e re po sillet ende si në një fazë embrionale dhe prove. Në BE, prokuroria speciale vepron në heshtje. Në vende si Gjermania, Franca, Italia apo Spanja, por edhe në vende të tjera Anëtare më pak të zhvilluara, prokuroritë speciale nuk ndërtojnë çështje mbi zhurmë mediatike. Nuk komunikojnë përtej minimumit ligjor dhe nuk e ekspozojnë procesin, përpara se sa ai të shkojë në gjykatë

Në Shqipëri, SPAK ka zgjedhur shpesh rrugën e kundërt: komunikimin publik të tepruar, rrjedhjen e informacionit dhe krijim narrativash dhe gjyqesh popullore, përpara vendimit gjyqësor.

Në BE, kjo sjellje do të konsiderohej cënim i procesit të rregullt ligjor. Në Bashkimin Evropian, politika nuk kriminalizohet automatikisht. Ka një dallim thelbësor mes sjelljes institucionale të sotme të SPAK dhe sjelljes institucionale të prokurorive speciale në BE.

Në BE ekziston një kufi i qartë mes vendimmarrjes politike, përgjegjësisë administrative dhe dhe veprës penale. Prokuroritë speciale ndërhyjnë në publik vetëm kur provohet qartë elementi kriminal: përfitimi personal, korrupsioni dhe shkelja flagrante e ligjit penal.

Në rastin Balluku, SPAK ka dhënë përshtypjen se po penalizon politikën publike, dhe jo domosdoshmërisht korrupsionin apo krimin.  Në Bashkimin Evropian, kjo do të shihej si tejkalim kompetencash. Standardi europian ku duam të shkojmë është që drejtësia duhet edhe të duket e paanshme. 

Në BE, drejtësia nuk matet vetëm me rezultatin, por me perceptimin e paanshmërisë. Kur prokuroritë speciale veprojnë në mënyrë selektive, karriera e tyre institucionale vihet menjëherë në pikëpyetje.

Në Shqipëri, perceptimi i selektivitetit në veprimet e SPAK po rritet, duke e kthyer një institucion themelor të reformës në drejtësi, në objekt debati politik, gjë që në BE konsiderohet dështim institucional.

Në Bashkimin Evropian, prokuroria nuk paralizon shtetin. Në vende si Gjermania apo Holanda, si dhe praktikisht në të gjitha vendet Anëtare të Bashkimit Evropian, administrata publike nuk jeton nën frikën e ndjekjes penale për çdo vendim.

Po pse? Sepse në këto vende ekzistojnë standarde të qarta, jurisprudencë e qëndrueshme dhe dallim i fortë mes gabimit dhe abuzimit, korrupsionit apo krimit.

Në Shqipëri, SPAK po gjeneron një efekt anësor të rrezikshëm: vendimmarrje publike e frikësuar, ministra që nuk firmosin dhe administratë që shmang përgjegjësinë. Kjo është e panjohur në BE dhe e papranueshme në një shtet funksional. Prokuroritë speciale në BE nuk kërkojnë legjitimitet nga publiku. SPAK duket sikur kërkon mbështetje popullore, përmes ekspozimit publik.

Në BE, prokuroritë speciale nuk ndjekin opinionin publik me reagimet ndaj rrjedhjeve të tyre të informacionit në media, pasi nuk e kanë në praktikë dhe parim të punës së tyre të bëjnë gjygje popullore. Ato nuk hyjnë në logjikën “jemi të fortët ndaj politikës”, për imazh.

Legjitimiteti i tyre buron vetëm nga ligji dhe gjykata, jo nga ekranet televizive. Rasti Balluku është një test që SPAK po e humbet, nëse e gjykojmë sipas standardeve të BE-së.

Nëse rasti Balluku do të trajtohej nga një prokurori speciale në BE, komunikimi do të ishte minimal, kufijtë juridikë do të ishin të qartë, politika publike nuk do të kriminalizohej dhe procesi nuk do të shndërrohej në debat publik para gjykimit.

Në Shqipëri po ndodh e kundërta, nga protagonizmi i tepruar dhe jashtë çdo kufiri institucional i SPAK. Dhe ky është problemi. Drejtësi europiane nuk do të thotë drejtësi agresive. 

SPAK është krijuar për të ndërtuar shtetin e së drejtës, jo për të prodhuar frikë, zhurmë dhe konfuzion institucional.Nëse nuk reflekton mbi praktikat e BE-së, SPAK do të humbasë atë që deri tani e ka asetin më të çmuar, shpresën dhe besueshmërinë tek qytetarët.

 Institucioni do të politizohet dhe do të kthehet nga aset i reformës në drejtësi, në barrë për integrimin europian. Drejtësia europiane është e fortë sepse është e matur. Drejtësia që kërkon shou mediatik, zakonisht nuk është e sigurt në vetvete.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular