Administrata Trump po largon një numër të madh diplomatësh karriere nga pozicionet e ambasadorëve amerikanë jashtë vendit, në një tjetër hap të rëndësishëm në kuadër të ristrukturimit të përgjithshëm të Departamentit të Shtetit dhe trupit diplomatik të SHBA-së.
Sipas CNN, më shumë se 20 diplomatë të lartë janë njoftuar se duhet të largohen nga postet e tyre brenda muajit të ardhshëm, bëjnë të ditur burime të njohura me çështjen.
Ata janë emëruar në ambasada në mbarë botën gjatë administratës Biden, por janë diplomatë karriere, çka do të thotë se kanë shërbyer për vite me radhë në shërbimin e jashtëm nën presidentë të të dyja partive.
Sipas raportimit, ambasadorët shërbejnë sipas vullnetit të presidentit, ndërsa mandati i tyre në një mision diplomatik zakonisht zgjat tre ose katër vjet. Ambasadorët e emëruar politikisht zakonisht largohen nga detyra me ndërrimin e administratës.
Nga ana e tij, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit e përshkroi tërheqjen e ambasadorëve si “një procedurë standarde në çdo administratë”.
“Një ambasador është përfaqësues personal i presidentit dhe është e drejta e presidentit të sigurohet që në këto vende të ketë njerëz që promovojnë axhendën ‘Amerika e Para’”, deklaroi ai.
Zyrtari nuk konfirmoi numrin e saktë të ambasadorëve të tërhequr dhe as vendet ku ata shërbenin. Megjithatë, ish-anëtarë të trupit diplomatik e përshkruajnë situatën si të paprecedentë.
“Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë 101-vjeçare të Shërbimit të Jashtëm të SHBA-së. Ambasadorët shërbejnë sipas vullnetit të presidentit, por çdo president ka mbajtur shumicën e ambasadorëve profesionistë në detyrë deri në konfirmimin e pasardhësve të tyre nga Senati”, deklaroi Eric Rubin, diplomat karriere në pension dhe ish-president i Shoqatës Amerikane të Shërbimit të Jashtëm (AFSA).
Rubin paralajmëroi se SHBA-ja po përballet tani me një situatë ku më shumë se gjysma e ambasadave amerikane jashtë vendit nuk do të kenë ambasador të konfirmuar, duke e quajtur këtë “një fyerje serioze për vendet e prekura dhe një dhuratë të madhe për Kinën”.
“Ambasadorët që po largohen do të detyrohen në pjesën më të madhe të rasteve të dalin në pension, çka do të thotë se Departamenti i Shtetit do të humbasë një numër të madh profesionistësh shumë të përvojshëm dhe të kualifikuar”, tha ai. “Kjo është e keqe për diplomacinë tonë, e keqe për sigurinë kombëtare dhe e keqe për ndikimin tonë global.”
AFSA thekson se “kemi marrë raportime të besueshme nga anëtarët tanë në poste diplomatike në mbarë botën se shumë ambasadorë, të emëruar gjatë administratës Biden, janë udhëzuar të largohen nga detyrat e tyre deri më 15 ose 16 janar”.
“Sipas burimeve tona, nuk është dhënë asnjë shpjegim për këto tërheqje”, thuhet në deklaratën e shoqatës.
Në të njëjtën kohë, AFSA paralajmëroi se “largimi i këtyre diplomatëve të lartë pa arsye ose justifikim dërgon një mesazh të rrezikshëm”.
“U thotë aleatëve tanë se angazhimet e Amerikës mund të ndryshojnë sipas erërave politike. Dhe edhe një herë, u thotë nëpunësve publikë se përkushtimi ndaj vendit nuk mjafton më, se përvoja dhe betimi ndaj Kushtetutës vendosen në plan të dytë përballë besnikërisë politike”, thuhet në deklaratë. “Kjo nuk është mënyra se si udhëheq Amerika.”
Edhe pse ambasadorët nuk po shkarkohen zyrtarisht, ata kanë vetëm një afat të kufizuar për të gjetur një pozicion të ri, përndryshe do të detyrohen të dalin në pension sipas rregullave të shërbimit të jashtëm.
Sipas burimeve, shumica e ambasadorëve të prekur shërbejnë në poste diplomatike të SHBA-së në Afrikë, por largimet prekin gjithashtu vende në Europë, Azi, Lindjen e Mesme dhe Hemisferën Perëndimore.
Ky hap për tërheqjen e diplomatëve të lartë është i fundit në serinë e veprimeve të administratës Trump për riformësimin e Departamentit të Shtetit dhe përafrimin e fortë të tij me prioritetet “Amerika e Para”. Më shumë se 1.300 zyrtarë që punonin në selinë e Departamentit të Shtetit në Uashington, përfshirë mbi 240 punonjës të shërbimit të jashtëm, humbën vendet e punës në kuadër të një ristrukturimi drastik më herët këtë vit.
Deri tani, nën drejtimin e Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, janë bërë ndryshime të thella për të përqendruar institucionin në prioritetet e administratës Trump, përfshirë uljen e emigracionit drejt SHBA-së dhe promovimin e botëkuptimit të qeverisë, me më pak theks në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në nivel global.
Sipas CNN, një raport i AFSA-së i publikuar më herët këtë muaj zbuloi se ndryshimet e administratës Trump kanë demoralizuar diplomatët amerikanë dhe kanë ulur aftësinë e tyre për të kryer detyrën.
Raporti, i bazuar në një anketë të anëtarëve të shërbimit të jashtëm, tregon se 98% e të anketuarve kanë deklaruar se morali ka rënë që nga janari, ndërsa një e treta po mendon të largohet para kohe nga shërbimi diplomatik.
Sipas raportit, 25% e personelit të shërbimit të jashtëm “ka dhënë dorëheqjen, është pensionuar, ka parë njësitë e tyre të shpërbëhen ose janë larguar nga pozicionet e tyre” që nga janari, ndërsa edhe të tjerë po mendojnë largimin.
Në një konferencë për shtyp javën e kaluar, Rubio minimizoi gjetjet e raportit.
“Po e ndryshojmë këtë institucion në mënyrë që misionet tona në terren të mos jenë thjesht zbatues të udhëzimeve nga lart-poshtë, por edhe burim idesh nga poshtë-lart. Jam shumë krenar për këtë dhe besoj se kjo do të sjellë përfitime të mëdha për sekretarët e ardhshëm të Shtetit, shumë kohë pasi unë të jem larguar nga detyra”, deklaroi Rubio.







