Rreth 100 fëmijë nga familje që trajtohen me ndihmë ekonomike në qarkun e Elbasanit, apo që rriten nga nëna kryefamiljare, patën mundësinë që këtë fund vit të gëzojnë dhe të presin dhuratat e babagjyshit si të gjithë fëmijët e tjerë.
Në aktivitetin e organizuar me rastin e festave të fund vitit, jo vetëm si një mundësi për të gëzuar fëmijët, por edhe për të biseduar me gratë kryefamiljare, deputetja Sara Mila tha se do të jetë pranë këtyre familjeve për çdo lloj mbështetje që ata kanë nevojë, sidomos për të dalë nga skema e ndihmës ekonomike.
“Ne do të jemi gjithmonë pranë për t’iu ndihmuar. Edhe sot pavarësisht festës, ne do të kemi një mundësi që të ulemi dhe të shikojmë të gjitha mundësitë që zyra e punës ofron për të gjitha ju qoftë për punësim qoftë për trajnime të mundshme që pastaj të shkoni drejt punësimit. Nuk jam thjesht përfaqësuesja juaj në Parlamentin e Shqipërisë, jam njëra nga ju. Jam një mami që kalon shumë pak kohë me vajzën time në mënyrë të atillë që të mundem që nëpërmjet shembullit që jap ta bëj atë që të jetë e pavarur nesër sepse pa diskutim nuk mund të varemi më në krahët e njëri – tjetrit. Duhet të varemi te krahët dhe shpatullat tona”, u shpreh deputetja Mila.
Drejtuesja e zyrës së punës në Elbasan, Marsida Hyseni, e pranishme në këtë takim u njoh më me raste konkrete, të cilat kërkonin vëmendje më imediate për situatat specifike. Gjithashtu ajo dhe stafi i zyrës së punës ofruan informacion mbi të gjitha programet e mbështetjes dhe mekanizmat se si këto familje të munden të përfitojnë.
“Ju përfitoni programe të nxitjes së punësimit të cilat zyra e punës i ofron. Nxitja punësimit është për ju që keni kujdesin për fëmijët apo kujdesin për moshat e teta apo që keni prindër në shtëpi, të afërm që mund të kujdeseni dhe e keni të pamundur që të punoni me kohë të zgjatura. Ne kemi disa programe të cilat ndihmojnë për një vit që ju të paktën të filloni të dilni nga shtëpia. Mbi të gjitha do vijë një moment që do na vijë dhe pensioni dhe në momentin që nuk keni kontribute do të thotë që ne nuk do të arrijmë dot të sigurojmë një pension. Atëherë pse të lodhemi kaq gjatë dhe të rrimë në pritje kur ne mund të punojmë sot, të integrojmë veten tonë. Zyra e punës ofron programe të nxitjes së punësimit, formim profesional për secilin prej jush që ka dëshirën e mirë të formohet nga ana profesionale sepse tipologjia e qytetit të Elbasanit patjetër që është nj qytete industrial dhe e ka fokusin te kjo fushë, por jo vetëm. kemi dhe punë të tjera, të cilat janë dhe në fushën e ekonomisë, dikush që ka mbaruar studimet apo fëmijët tuaj që kanë mbaruar një studim akademik apo fëmijët tuaj që anë mbaruar një formim profesional në shkollat e formimit profesional duhet të afrohen pranë zyrave të punës që të bëjmë regjistrimet, ti orientojmë drejt formimit profesional. Mund të trajnoheni nga zyra e punës në qendrën e formimit profesional dhe ky trajnim është falas në momentin që ti bëhesh pjesë e zyrës së punës dhe behësh pjesë e një pune të denjë”, theksoi ajo.
Deputetja Mila vuri theksin te ndihma e mëtejshme për fëmijët që kalojnë moshën 18 vjeç duke u ndalur te prioritetet që ata kanë si në aplikimin e kredive të buta ashtu edhe në banesat sociale që ofrohen nga bashkia apo qoftë dhe nga institucione vendore që kanë bashkëpunim me bashkinë.







