nga Alfred Duka
Nisi ashtu si një lojë, me një emision televiziv, ku dalloheshin, por që nuk dëgjoheshin edhe aq mirë, dy burra ofiqarë, teksa bisedonin me njëri tjetrin për një “mos zbatim urdhëri”. Dukej që i ftuari në zyrë, i kërkonte hesap të zotit të saj se; “përse nuk e bën”? Pastaj pak më vonë, u dëgjua të flitet për një shumë prej shtatëqind mijë(euro duhen të kenë qenë). Aq mjaftoi për tu ndezur flakë situata politike, e cila pas disa ditësh shpërtheu në Bulevardin kryesor të kryeqytetit me flakë, me shpërthime dhe me sulm të panjohur deri më atëherë ndaj forcave policore, të cilët me shpirt ndër dhëmbë bënin përpjekje për të mbrojtur godinën e qendrës së pushtetit. Përgjatë këtyre zhvillimeve, u plagosën disa prej forcave të policisë. E gjithë kjo katrahurë erdhi si rezultat që dikush nga brenda, e kishte lagur barutin e gazit lotsjellës!!! i cili do të kishte shuar mundësinë e ardhjes së çdo pasoje. Ndoshta pshurrësit e atij baruti, edhe u shpërblyen, pak më vonë.
Aty pas zenitit të asaj përleshje, krisi pushka dhe u vranë katër protestues, si dhe u plagosën edhe disa të tjerë. Numri i të vrarëve dhe të plagosurve, propaganda u përpoq ti korrespondonte me një ngjarje njëzet vjetëve më parë, duke dhënë idenë e një rregjimi, qeverisjes së kohës. Në përfundim të asaj ngjarjeje, Bulevardi, ngjante me një fushë betejë, ku edhe pemët nuk u kursyen nga flakët, pa bërë fjalë për dhjetëra automjete, që nxirrnin flakë deri natën vonë.
Disa muaj më pas, i piketurari për KM, hyri në betejë për të fituar, rifituar më saktë Bashkinë e Tiranës, kundër një “ylli në ngjitje”, të pushtetit. Por “dikush”, shkoi në qendrën e numërimit të votave të fundit dhe pasi përvoli mëngët, shpalli fitues mëtuesin, me aq vota sa duheshin. Humbësi, pasi kishte bërë betejën e para pak muajve,(si duket me një shenjë të dhënë), e cila përfundoi në mënyrë të përgjakshme, turfulloi për humbjen deri në kupë të qiellit, por pat një zë të fuqishëm që e solli në vete, duke i thënë; Idiot!
Si nuk kupton?!!!
Dy vjet më pas, qaramani e pa veten KM.
Pa pikën e nevojës, eksponentë të krimit, u panë në krah të KM, të tjerë me më të vegjël se Ai, gëlonin në të katër anët, duke e lënë opinionin publik, të hazdisur, pasi kjo nuk nuk kishte ndodhur kurrë. Paraardhësi i tij, e shfaqte simpatinë për mbështetjen e tyre, por kurrë nuk kishte lejuar afrimin, apo aq më tepër, ndarjen e pushtetit me to. Fill pas humbjes, pason Dorëheqja!!!
Opozita drejtohet me Prokurim, për tetë vite me radhë. Në ndërkohë, pat zëra që thanë se dikush i fuqishëm, i pat kërkuar zotit Berisha, që; si po zhvillohen ngjarjet, brenda opozitës, më mirë kthehu vetë, se sa e drejton atë me të Prokuruar, ose largohu me të vërtetë.
Unë kam dhënë dorëheqjen, kthehej si xhevap, por pa e bluar mirë se ata të përtej detit, dinin më shumë se sa ai xhevap që këndohej si refren demokratik, prej tij. Pastaj për ta hequr qafe me mënyra demokratike, vjen pusulla e Non Gratës nga SHBA, e si për ti vënë kapak, edhe nga Britania e Madhe.
Pas një gabimi taktik, të të Prokuruarit, vjen Dorëheqja nga Dorëheqja dhe plasi lufta ndër veti. Fitorja erdhi me premtimin e famshëm se Ramën e rrëzoi për 6 muaj. Pushteti që kishte dhënë shenja të mjaftueshme të çmendurisë, çmendet plotësisht! Delir gjithandej. I prokuruari që kishte braktisur zgjedhjet lokale, i garantuar nga Presidenti i atëhershëm(i cili kurrë nuk e kuptoj se ajo ishte manovra e fillimit të përzënies së tij), futet si cjap, në ato të pjesshme. Kur ti i braktise të gjitha, çfarë kërkoje me një pjesë të vogël të tyre? Apo si cjapi tek Kasapi?
Ikën i Prokuruari dhe kaluan 6 muajt e premtimit të famshëm. Pastaj edhe ca të tjerë gjatëmujorsha.
Nuk vonojnë zgjedhjet lokale, të 2023.
Disa muaj para tyre, diku në një bashki të vogël, në veri, disa demokratë të ndarë në mes ishit me vulë dhe Berishës pa vulë, japin një shenjë Bashkimi të bazës, që në thelbin e saj, ishte heqja qafe e luftës politike kundër njëri tjetrit, në bazë, duke tentuar transferimin e saj, lart, në kupolën e partisë. Kjo nuk u pranua nga Berisha, por ia shpëtoi nderin, pasi pa atë shkëndijë po themi, mund të mbetej me zero bashki, në të gjithë vendin.
Pas asaj fitoreje të 2023, pushteti, jo vetëm që u çmend, por doli rrugëve, i llahtsrisur.
Ajo shtatëqindshja e para ca viteve, u dhjetë fishua, u qindfishua, u mijëra fishua e më shumë dhe, opozita as që ndjehet se është gjallë. Korruptimi i të gjithë qelizave të qeverisjes, tashmë nuk kishte se me kë të krahasohej në të gjithë botën, përveçse me vetveten! Drejtorë, ministra, zv/KM, kryetari i bashkisë më të madhe të vendit. Zv/KM aktual merret i pandehur.
Vendimi nuk zbatohet. KM, fut në lojë Gjykatën Kushtetuese, e cila Pezullon Pezullimin. Katrahurë. Nuk vonoi që krijesa më krenare e KM, AKSHI, të rezultojë një ndërmarrje grabitëse e paparë deri më sot.
Vjedhjet dhe grabitjet e taksave të popullit më të varfër të kontinentit, janë të pamëshirshme. PPP, Tunele, rrugë, spitale, arsimi, tatime, bashki, privatizimi i pikave strategjike të mbrojtjes-vjedhje e grabitje!
Ajo shtatëqindmijshja e atëhershme, nuk peshon as si kruarje dhëmbi, pesëmbëdhjetë vjet më vonë. Në vend se të ecim përpara, zhytemi thellë në zgafellat e korruptimit të gjithçkaje. Tani ajo shtatëqind mijëshja që përgjaku Bulevardin, nuk ngop më, asnjë shef tatimor, as policor, aq më pak doganor dhe pushteti vijon vjedhjet dhe grabitjet i qetë, madje duket edhe më i fortë!
Opozita ka vdekur. Asnjë lloj shenjë jete, për të ardhur në pushtet nuk ka. Përse? Sepse ajo kurrë nuk ka fituar, pa mbështetjen anglo amerikane! Asnjëherë. Gjer atherë, Ramën do ta rrëzojmë çdo ditë! Si në atë dialogun e dy duhanxhinjëve:
Nisa ta lë duhanin, por qenka shumë e vështirë, i tha shokut të tij.
Asnjë vështirësi nuk ka; e kam lënë nja shtatëqind herë.







