HomeOP EDShkatërrimi i lirimit me kusht/NGA FLORJAN KALAJA

Shkatërrimi i lirimit me kusht/NGA FLORJAN KALAJA

Advertismentspot_img

NGA FLORJAN KALAJA

Në këtë shkrim të 12 të rubrikës “Dilema mbi Kodin e ri Penal” kam vendosur të trajtoj shkatërrimin progresiv të institutit të lirimit me kusht të të dënuarit me burgim apo me burgim të përjetshëm. Kjo çështje do të trajtohet në dy pjesë. Ky shrkim është pjesa e parë e dinamikës regresive ndër vite të institutit të lirimit me kusht. Shkrimi vijues do të trajtojë në mënyrë të posaçme kapitullimin e këtij instituti në Shqipëri. Në vitin 2022 kam publikuar librin “Lirimi me kusht”, i cili, sikurse e kam ndarë si fakt edhe në pjesën hyrëse të tij, kam nisur ta shkruar pikërisht nga trendi i gabuar i ligjvënësit shqiptar, i shfaqur ndër dekada në Kodin Penal në fuqi, i cili ka mundësuar degradimin ligjor penal të këtij instituti.

Humanizimi i së drejtës penale ndër shekuj dhe dekada e ka gjithëpranuar si institut ekzistencial të kushtetutshmërisë dhe konvecionalitetit të dënimit penal mundësinë e lirimit me kusht të të dënuarit, kur vërtetohet se pjesa e mbetur për të vuajtur e dënimit penal nuk i shërben më qëllimeve penalogjike publike dhe shoqërisë dhe se i dënuari me sjelljen e treguar, gjatë ekzekutimit të dënimit, shfaq shenja bindëse të risocializimit dhe rehabilimit social. Duke pranuar se dënimi penal në shoqëritë demokratike dhe në shtetet e së drejtës duhet të mos ndjekë vetëm qëllime ndëshkuese por edhe riaftësuese dhe risocializuese të të dënuarit, Këshilli i Europës dhe Bashkimi Europian, në instrumentat respektive normative, kanë sanksionuar se, dënimet afatgjata me burgim duhet të shoqërohen detyrimisht me mundësi efektive gjyqësore apo jo të rishqyrtimit të dënimit, me qëllimin që, në rastet kur plotësohen kriteret ligjore, i dënuari të fitojë lirinë para kohe. Instituti që e bën realitet këtë mundësi është pikërisht lirimi me kusht. Si rregull i përgjithshëm dënimi me burgim i caktuar gjyqësisht duhet të ekzekutohet, pasi vendimet e gjykatës janë të detyrueshme për zbatim.

Por konkluzionet e gjykatës në momentin e caktimit të dënimit nuk mundet të prezumohen të pandryshueshme në kohë dhe të fiksohen si të tilla pa garantuar një mekanizëm rishqyrtimi përgjatë dinamikës së ekzekutimit. Koha dhe jeta e të dënuarit me burgim apo me burgim të përjetshëm është shumë dinamike dhe rrethanat personale, objektive dhe subjektive, ndryshojnë në vijim. Për rrjedhojë edhe zhvillimi i personalitetit të të dënuarit mundet të ndryshojnë deri në atë masë sa që dënimi penal nuk ndjek më qëllimet kushtetuese dhe ligjore.

Për të ruajtur kushtetutshmërinë dhe humanizimin e dënimit me penal me burgim apo me burgim të përjetshëm legjislatorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë kanë krijuar mekanizmat ligjorë të rishqyrtimit të dënimit me burgim dhe se lirimi me kusht është mekanizmi më përfaqësues ligjor. Në veçanti lirimi me kusht i të dënuarit me burgim përbën një mundësi dhe përfitim që ligji penal i jep të dënuarit me burgim, pas ekzekutimit të një pjese të dënimit, kur vërtetohet se përgjatë vuajtjes së dënimit ai ka dhënë prova konstante të sjelljes së mirë dhe të besueshmërisë se ai është gati të risocializohet. Ratio e këtij instituti është e dyfishtë: së pari, të shpërblejë të dënuarin që ka treguar pendim dhe risocializim; së dyti, të nxisë të dënuarit e tjerë të ndjekin shembullin e tij.

Themeli i këtij instituti të së drejtës penale është mundësia e rehabilitimit të brendshëm të të dënuarit me kalimin e kohës dhe relativizmi në këtë mënyrë i rrezikshmërisë shoqërore të tij. Në mënyrë të gjithëpranuar në shtetet e Këshillit të Europës dhe të Bashkimit Europian ligjet penale materiale apo procedurale e ndajnë dënimin penal që cakton gjykata në dy pjesë, konkretisht në periudhën e detyrueshme për t’u vuajtur dhe me periudhën fakultative për t’u vuajtur nga i dënuari. Në librin “Lirimi me kusht” kam konkluduar se ky dualitet periudhash ligjore të dënimit penal me burgim shquan edhe parësisht se cilit qëllim kushtetues, konventor dhe ligjor i shërben secila prej tyre. Kështu periudha e parë, ajo që konsiderohet si periudha ligjore e sigurisë, e cila përfaqëson sasinë e dënimit me burgim të cilën i dënuari duhet ta vuajë detyrimisht dhe para kalimit të së cilës nuk lind e drejta e përfitimit të lirimit me kusht, i shërben parësisht qëllimeve publike ndëshkuese dhe parandalimit të posaçëm dhe të përgjithshëm që duhet të passjelli dënimi në shoqëri dhe shtet.

Ndërkohë periudha e dytë e dënimit penal, ajo e quajtur më lart si periudha fakultative e vuajtjes, shënon tranzitimin ligjor të qëllimit parësor që ndjek dënimi penal, ku parësisht ndiqet qëllimi riaftësues, risocializues, rehabilitues dhe edukativ i të dënuarit dhe se për rrjedhojë ligji ka parashikuar se vetëm gjatë kësaj periudhe të dënuarit i lind e drejta për të kërkuar lirimin me kusht në gjykatë. Kështu instituti i lirimit me kusht shërben për të garantuar tranzitimin e sigurt të të dënuarit nga jeta në burg në jetën në shoqërinë e respektimit të ligjit. Këtu duhet të kuptohet se instituti i lirimit me kusht nuk duhet të kuptohet si detyrim ligjor i shtetit për të liruar para kohe të dënuarit me burgim apo të dënuarit me burgim të përjetshëm. Përkundrazi, një detyrim i tillë nuk ekziston, as sipas Kushtetutës dhe as sipas KEDNJ.

Por ky institut i së drejtës penale kërkon nga shteti që, në momentin kur autoritetet gjyqësore binden se i dënuari është risocializuar dhe se dënimi penal me burgim apo me burgim të përjetshëm nuk ndjek më qëllime legjitime, atëhere të ekzistojë mundësia de jure dhe de facto që i dënuari të rifitojë lirinë para kohës së përfundimit të dënimit i fiksuar në vendimin e gjykatës.

Në jurisprudencën e Dhomës së Madhe të GJEDNJ është konkluduar se lirimi me kusht nuk është një e drejtë e pavarur dhe e posaçme e garantuar nga KEDNJ por se instituti i lirimit me kusht është vlerësuar i nevojshëm dhe i domosdoshëm për të konsideruar si të pajtueshëm me nenin 3 të KEDNJ një dënim penal (çështja Vinter dhe të tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar, viti 2012). GJENDJ në këtë jurisprudencë konkludoi se dënimet afatgjata me burgim apo dënimi me burgim të përjetshëm janë dënime penale çnjerëzore, në kundërshtim me nenin 3 të KEDNJ, që nga momenti që jepet nga gjykata, nëse nuk shoqërohet nga parashikime ligjore konkrete dhe efektive e shqyrtimit të tyre në të ardhmen, pas një periudhe që ligji parashikon. Kjo mundësi ligjore është pikërisht instituti i lirimit me kusht.

GJEDNJ ka konkluduar se dënimet afatgjata me burgim apo dënimet me burgim të përjetshme, të cilat janë de facto dhe de jure të pandryshueshme në të gjithë kohëzgjatjen e tyre në raport me sjelljen e të dënuarit, përbëjnë dënime penale çnjerëzore. Kontekstualizuar ky qëndrim jurisprudencial i Dhomës së Madhe të GJEDNJ në nenin 17 dhe 25 të Kushtetutës së Shqipërisë, do të thotë se dënime të tilla, të përjashtuara nga aksesi në institutin e lirimit me kusht, përbëjnë dënime penale mizore, çnjerëzore dhe si të tilla të papajtueshme me Kushtetutën. Në libër kam evidentuar të gjithë bazën ligjore ndërkombëtare të detyrueshme dhe se në këtë shkrim nuk e shoh me vend të zgjatem më shumë në këtë drejtim.

Nga hulumtimi historik i ligjeve penale në Shqipëri rezulton se Kodi Penal i vitit 1927 ka patur ndalesa kategorike ligjore të lirimit me kusht për dënimet me burgime afatgjata apo për dënimet me burgim të përjetshëm. Ndërkohë Kodi Penal i vitit 1952 dhe 1977 nuk ka patur asnjë ndalesë kategorike ligjore për aksesin e të dënuarve me burgim afatgjata apo me burgim të përjetshëm në institutin e lirimit me kusht. Në variantin fillestar të Kodit Penal në fuqi ka patur vetëm një rrethanë ligjore kategorike përjashtuese të zbatimit të lirimit me kusht mbi dënimet me afatgjata me burgim apo mbi dënimin me burgim të përjetshëm, konkretisht paragrafi i tretë i nenit 64 të tij parashikonte se ndalohet lirimi me kusht i të dënuarit përsëritës për krime të kryera. Në vitin 2001 ndalesa kategorike u kufizua, duke u shtuar si kërkesë të krimet e përsëritura nga i dënuari të jenë kryer vetëm me dashje, duke përjashtuar nga aty formën e fajësisë të pakujdesisë.

Në vitin 2012 ligjvënësi prezantoi për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar institutin e “Periudhës së sigurisë”, konkretisht nenin 65/a të Kodit Penal, duke parashikuar mundësinë e urdhërimit të gjykatës në disopozitivin e vendimit të dënimit se lirimi me kusht nuk do të zbatohet deri në shuarjen e çdo dite burgim në dënimet me burgim apo në dënimin me burgim të përjetshëm. Në vitin 2013 legjislatori shtoi në paragrafin e tretë të nenit 64 të Kodit Penal edhe pesë rrethana të tjera kategorike të përjashtimit të përfitimit të lirimit me kusht, duke përjashtuar nga aksesi në këtë institut të të dënuarit për veprën penale të vrasjes për gjakmarrje (neni 78/a), për vrasjen e funksionarëve publik (neni 79/ a), për vrasjen e punonjësve të policisë së shtetit (neni 79/b), për vrasjen për shkak të marrëdhënieve familjare (neni 79/c), për marrëdhënie seksuale apo homoseksuale me të mitur (neni 100/3). Deri në vitin 2017 këto kufizime nuk ishin parashikuar në nenin 65 të Kodit Penal, konkretisht në dispozitën e posaçme të lirimit me kusht të kushtuar të dënuarve me burgim të përjetshëm, duke krijuar idenë sikur vetëm të dënuarit me burgim kishin kufizime të tilla në institutin e lirimit me kusht por jo të dënuarit me burgim të përjetshëm. Kujtoj këtu se ndryshimet e vitit 2017 përfaqësonin jetësimet e paketës së reformës së sistemin e drejtësisë.

Kjo do të thotë se aktualisht Kodi Penal në fuqi ka gjithsej 7 ndalesa kategorike ligjore të aksesit të lirimit me kusht për të dënuarit me burgim apo për të dënuarit me burgim të përjetshëm. Nga këto 6 ndalesa janë urdhërime aprioristike të ligjvënësit dhe 1 ndalesë përbën vendimmarrje gjyqësore prognostike, e cila jepet në momentin e caktimit të dënimit. Në të gjitha këto 7 raste ndalesash kategorike rezulton se ligjvënësi dhe gjykata kanë paragjykuar dhe prezumuar se rrezikshmëria e këtyre autorëve nuk mund të ndryshojë deri në fundin e dënimit me burgim apo deri në fundin e jetës së të dënuarit të përjetshëm me burgim. Pavarësisht se në vitin 1997 Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dënimin me vdekje nga Kodi Penal dhe nga Kodi Penal Ushtarak, ligjvënësi në vitin 2001, 2013 dhe 2017 nuk ka reshtur së shndërruari dënimet me burgim të përjetshme në dënime deri në vdekje. Në cilësinë e gjyqtarit i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese në vitin 2021 që të shfuqizojë paragrafin e tretë të nenit 64 dhe pikën 3 të nenit 65 të Kodit Penal, duke i parashtruar në mënyrë të përmbledhur rezultatet e një pune hulumtuese prej 3 vitesh të librit “Lirimi me kusht”. Gjykata Kushtetuese dështoi ta zgjidhë këtë çështje të papajtueshme me Kushtetutën dhe me KEDNJ, duke abstenuar të merret me problematikën e shtruar për vendim dhe duke u marrë me lirimin nga burgu të të dënuarit që kishte gjeneruar këtë kazus juridik ndërkohë. Dhe sikurse ndodh gjithmonë kur institucionet i shmangen përgjegjësive kushtetuese, mëkati kushtetues lëshon shtat. Nga ana tjetër kam konstatuar se jurisprudenca e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë nuk ndjek jurisprudencën e Dhomës së Madhe të GJEDNJ të evidentuar më lart kur trajton çështje që lidhen me institutin e lirimit me kusht, duke u treguar sovraniste, e paditur, e pamatur dhe si e tillë edhe origjinaliste në papajtueshmërinë e saj me KEDNJ dhe me Kushtetutën.

Megjithatë duhet të sillet në vëmendje se, ky trend i legjislatorit 1995 – 2017, kjo qasje abstenuese e Gjykatës Kushtetuese dhe qasje shtesë e rëndimit të regresit të institutit të lirimit me kusht nga ana e Gjykatës së Lartë, është kurrëgjë krahasuar me furinë penale të grupit të punës së treguar në nenin 178 të projektit të Kodit të ri Penal, qoftë në variantin e Tetorit të vitit 2023 dhe qoftë në variantin e Korrikut të vitit 2025. Kështu neni 178 i projektit të Kodit të ri Penal, nën titullin “Ndalimi i përfitimit të lirimit para kohe me kusht”, parashikon se: “Nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin përsëritës për krime të rënda të kryera me dashje, si dhe për të dënuarit për kryerjen e veprave penale të vrasjeve që përmbajnë motiv apo paramendim, krimeve të rënda terroriste, në veprat penale me forma të veçanta të bashkëpunimit si krerë të organizimit, drejtimit dhe ekzekutimit, krimit të marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me të mitur, kur ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e fëmijës së mitur.”

Nga ana tjetër kufizimi gjyqësor i lirimit me kusht (periudha e sigurisë), ndryshe nga mundësia fakultative e gjykatës në nenin 65/a të Kodit Penal në fuqi, është bërë e detyrueshme sipas pikës 2 të nenit 154 të projektit të Kodit të ri Penal për dënimet me burgim nga 20 vjet e lart dhe për dënimet me burgim të përjetshëm. Sërisht shfaqet filozofia e “Moratoriumit” penal, që ka shoqëruar në vijimësi grupin e punës në hartimin e këtij projekti, por kësaj rradhe mbi institutin e lirimit me kusht. Kjo do të thotë se ky projekt, që propozohet të shndërrohet në realitet ligjor në të ardhmen në Shqipëri, e çon, nga 7, në 28 numrin e ndalesave kategorike të aksesit në institutin e lirimit me kusht për të dënuarit me burgim apo me burgim të përjetshëm, duke patur parasysh këtu shumatoren e veprave penale që përfshin fusha e zbatimit të hipotezës së nenit 178 dhe gjithashtu duke përfshirë këtu edhe parashikimin e pikës 2 të nenit 154 të projektit të Kodit të ri Penal. Kjo do të thotë se grupi i punës në mesdekadën e tretë të shekullit XXI dhe në mijëvjeçarin e tretë të humanizmit ndan qëndrimin se Republika e Shqipërisë duhet të shtojë me 21 ndalesa kategorike më shumë rradhët e personave të dënuar me burgim apo me dënim të përjetshëm, dënimet e të cilëve duhet të përmbyllen deri në ditën e fundit të masës së caktuar nga gjykata apo deri në frymën e fundit të tyre të lëshuar prapa hekurave. Megjithatë duket se edhe për këtë kategori shpresëshuar të të dënuarve grupi i punës ka dhënë një ngushëllim të mbramë si zgjidhje ligjore. Ngushëllimi i tyre vjen nga shkronja “ç” e nenit 189 të projektit të Kodit të ri Penal. Kjo risi e prezantuar në projekt parashikon se dënimi penal nuk ekzekutohet më tej kur i dënuari me burgim apo i dënuari me burgim të përjetshëm vdes.

*Autori, gjyqtar pranë Gjykatës së Posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular