Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë përgjegjësinë për dështimin që partia e tij e ka pësuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ai ka njoftuar se ditëve në vijim do ta ftojë Kuvendin e partisë për të shqyrtuar “të gjitha çështjet dhe përgjegjësitë si kryetar”.
Ai ka thënë se rezultati i LDK-së nuk është ai që e kanë pritur dhe ky do të jetë moment reflektimi. Shtoi se e respekton verdiktin e qytetarëve.
“Duke marrë përgjegjësinë, ditëve në vijim do ta thërras Kuvendin e LDK-së dhe para tij do t’i shpalosim e shqyrtojmë të gjitha çështjet dhe përgjegjësit që mbaj si kryetar. Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur dhe dëshiruar. Është moment reflektimi. Kur qytetarët flasin, ne duhet të dëgjojmë. Demokracia funksionon kur udhëheqësit mbajnë përgjegjësi, edhe kur kanë humbje të tilla”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku tutje u shpreh se në këto pesë vjet drejtimi të LDK-së ka vepruar ashtu që ka besuar se është më e mira për partinë.
“Këto pesë vjet, kam vepruar ashtu siç kam besuar se është më e mira për LDK-në. Megjithatë, sot them hapur nuk kam arritur ta çojë LDK-në aty ku duhet të jetë. Kemi ndërtuar ekip të mirë, kemi ndërtuar fushatë të dinjitetshme, por ky është verdikti qytetar dhe përulemi para tij. Qytetari gjithmonë ka të drejtë”, ka shtuar ai.
Abdixhiku uroi edhe fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurti.
“Më lejoni të urojë fituesin. Shteti është mbi secilin prej nesh. Le të shpresojmë se qytetarët kanë zgjedh drejt këtë herë”, ka deklaruar ai.







