Prej 48 orësh, qyteti bregdetar i Vlorës po përballet me një situatë emergjente në furnizimin me ujë të pijshëm. Një defekt i rëndë në linjën kryesore të transmetimit ka lënë pa ujë mijëra banorë, duke vështirësuar ndjeshëm jetesën e përditshme dhe funksionimin e institucioneve.
Sipas gazetares së RTSH-24, shkak për këtë ndërprerje masive është bërë çarja e tubacionit kryesor me diametër prej 1000 mm. Pamjet nga vendngjarja dëshmojnë momentin dramatik të dëmtimit të linjës, e cila është arteria kryesore e furnizimit për qytetin.
Që nga momenti i konstatimit të avarisë, ekipet teknike të Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK), kanë zbritur në terren. Puna po vijon me intensitet maksimal, e organizuar në disa turne pa ndërprerje, për të riparuar dëmin.
Menaxhimi i krizës në terren
Në vendngjarje ndodhen Drejtori i Përgjithshëm i AKUK dhe Drejtori i Ujësjellësit të Vlorës, Ermal Murati, të cilët po mbikëqyrin punimet. Autoritete bëjnë me dije se po punohet me ritme të përshpejtuara për të rikthyer normalitetin.
Qytetarët mbushin ujë në burime, zjarrfikësit furnizojnë spitalin
Mungesa e zgjatur e ujit ka detyruar qytetarët të gjejnë zgjidhje alternative. Shumë prej tyre janë parë duke mbushur ujë në burimet natyrale të qytetit për të përballuar nevojat bazike.
Ndërkohë, një operacion i veçantë është ndërmarrë për të mbajtur funksional Spitalin Rajonal të Vlorës. Shërbimi Zjarrfikës është angazhuar plotësisht, duke furnizuar spitalin me 30 mijë litra ujë përmes tre boteve, për të garantuar që shërbimi shëndetësor të mos paralizohet.
Sipas inxhinierëve në terren, riparimi është drejt fundit. Shpresohet që furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e Vlorës të rikthehet gradualisht në orët e para të ditës së nesërme.







