Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti i regjistruar pak ditë më parë në aksin Levan – Tepelenë, ku humbi jetën Oktavio Merdanaj, 16-vjeç.
Burime për mediat bëjnë me dije se 16-vjeçari ndodhej së bashku me vëllain e tij në një berberhane në Cakran. Teksa priste radhën për t’u qethur, vëllait i kishin mbaruar cigaret. Në këto kushte, pak para se të ulej në karrigen e berberit, ai i kërkoi vëllait të shkonte të blinte një paketë cigare.
Vëllai i ka dhënë çelësat e automjetit dhe 16-vjeçari ka marrë makinën për t’u drejtuar drejt një lokali në zonën e Buzmadhit, pranë autostradës Levan–Tepelenë, pasi dyqanet përreth ishin të mbyllura.
Sipas raportimeve, rezulton se në momentin e aksidentit në autostradë po qarkullonin dy automjete në sensin Tepelenë–Levan. Pasi ka kaluar mjeti i parë, 16-vjeçari ka hyrë menjëherë në autostradë me një shpejtësi rreth 40 km/h, duke mos arritur të shmangë përplasjen me automjetin tjetër me drejtues 30-vjeçarin, Syrja Begaj.
Si pasojë i mituri ka humbur jetën, ndërsa 30-vjeçari është arrestuar nga Policia për veprime të mëtejshme proceduriale.







