Pasditen e djeshme në aksin rrugor Tiranë-Durrës gazetari Elton Tozhaj ka rënë viktime e një akti dhune brutale.
Lajmi është bërë publik nga familjarët e tij përmes një postimi në llogarinë zyrtare të Elton Tozajt në Instagram.
Krahas njoftimit, ata kanë publikuar edhe një fotografi të rëndë, ku gazetari shfaqet me fytyrën e gjakosur dhe me syrin e dëmtuar rëndë, pamje që kanë tronditur ndjekësit dhe opinionin publik.
Sipas deklarimit të familjes, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 19:30, në autostradën Tiranë–Durrës.

Elton Tozaj dyshohet se është sulmuar dhe dhunuar barbarisht nga disa persona, të cilët, sipas familjarëve, janë tashmë të identifikuar.
Dhuna e ushtruar ndaj gazetarit ka qenë e një niveli ekstrem, duke i shkaktuar dëmtime të rënda trupore, veçanërisht në zonën e fytyrës dhe syrit.
Familjarët kanë bërë të ditur se Tozaj ndodhet aktualisht në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po merr trajtim intensiv mjekësor, ndërsa situata paraqitet delikate dhe shqetësuese.
“Eltoni është në një betejë të vështirë për të mos humbur shikimin. Shpresojmë dhe lutemi që ai të rikthehet sa më shpejt në gjendjen që ishte më parë”, thuhet në mesazhin prekës të publikuar nga familja e tij.

Ngjarja ka marrë vëmendje të madhe publike edhe për shkak të deklaratave të fundit të vetë Elton Tozajt, të bëra pak kohë më parë në media dhe rrjete sociale.
Ish-banori i Big Brother, më parë është dënuar nga Gjykata e Tiranë në vitin 2008 me 3 muaj burg, në 2016 me 4 vjet burg dhe në 2017 është dënuar nga Gjykata e Lezhës me gjobë, të gjitha për “mashtrim” dhe “falsifikim dokumentash”. Duke pretenduar se kishte njohje në ministri e bashki,ai është dënuar për mashtrim dhe kjo është pista kryesore e hetimit.
Mediat kanë përmendur edhe një pistë tjetër por më pak e mundshme. Ai kishte ngritur disa pretendime të forta, ndër të cilat përmendte moderatoren Luana Vjollca, duke deklaruar se ajo ishte “e fiksuar” pas ish-partnerit të saj, Krenar Çoçaj, dhe se e ndiqte atë dhe partneren e tij aktuale, Endi Demnerin.
Tozaj kishte përmendur edhe disa raste konkrete, mes tyre një udhëtim drejt Milanos, ku sipas tij, Luana Vjollca ndodhej në të njëjtin avion me çiftin, si dhe përputhjen e vendndodhjes së saj gjatë pushimeve verore në Saint-Tropez, në të njëjtin qytet ku ndodheshin edhe ish-partneri i saj dhe partnerja aktuale e këtij të fundit.
Nga ana tjetër, moderatorja Luana Vjollca ka reaguar ligjërisht ndaj këtyre deklaratave, duke vendosur ta padisë gazetarin në polici. Ajo i ka cilësuar akuzat si të pavërteta, fyese dhe si një cënim të rëndë të figurës dhe reputacionit të saj publik.
Ndërkohë, gjendja shëndetësore e Elton Tozajt mbetet shqetësuese, ndërsa pritet që organet kompetente të hedhin dritë mbi rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur sërish alarmin mbi dhunën ndaj figurave publike dhe gazetarëve.







