Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja , ka bërë të ditur se në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit pranë DRTK Berat kanë nisur ndërhyrjet konservuese për dy ikona me vlerë të veçantë historike dhe artistike, Shën Kolli dhe Krishti Pantokrator, të gjetura në kishën e Shën Kollit në lagjen Kala.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gonxhja ka bwrw publike fotot teksa shkruan se, “Procesi i restaurimit po zhvillohet mbi bazën e analizave të specializuara dhe dokumentimit teknik të çdo faze, duke përfshirë pastrimin, konsolidimin dhe stabilizimin e materialeve. Synimi është ruajtja e autenticitetit, integritetit artistik dhe vlerës historike të veprave, si dhe garantimi i konservimit të tyre afatgjatë.
Në njoftimin e tij, Gonxhja theksoi rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe rolin e institucioneve shqiptare në mbrojtjen e saj, duke e cilësuar këtë proces si një hap të domosdoshëm për ruajtjen e identitetit kombëtar.
Qendra Muzeore Berat ka njohur vit pas viti rritje të vizitueshmërisë, duke u kthyer në një nga atraksionet kryesore të qytetit.
Muzeu i Ikonografisë “Onufri” është i pari që ka aplikuar teknologjinë moderne në prezantimin e thesareve kulturore kombëtare, duke rrëfyer kryeveprat e tij në katër gjuhë: shqip, anglisht, italisht dhe gjermanisht.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga rreth 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të Beratit, kryesisht ikona dhe objekte liturgjike, që datojnë nga shekulli XIV deri në fillim të shekullit XX. Ndër veprat më të spikatura është ikonostasi i katedrales “Fjetja e Shën Mërisë”, një kryevepër e mjeshtërve shqiptarë të drugdhendjes, si dhe kodikët e purpurt të mbrojtur nga UNESCO.







