Hapet procesi i certifikimit të audituesve të brendshëm në sektorin publik për sezonin 2026, një proces kyç për forcimin e kontrollit të brendshëm financiar dhe rritjen e standardeve profesionale në administratën publike shqiptare.
Sipas urdhërit të Ministrit të Financave, procesi i certifikimit u drejtohet punonjësve të njësive të auditimit të brendshëm në sektorin publik që nuk janë ende të certifikuar, si edhe nëpunësve civilë apo punonjësve të tjerë që kanë të paktën tre vite përvojë pune në fusha të lidhura me auditimin e brendshëm, menaxhimin e riskut, sigurimin e cilësisë, inspektimin, përputhshmërinë, auditimin e jashtëm apo kontrollin e brendshëm.
Numri maksimal i kandidatëve që mund të marrin pjesë në këtë proces është deri në 200 persona. Kandidatët duhet të paraqesin pranë Ministrisë së Financave një dosje aplikimi në formë shkresore, e cila përfshin kërkesën me shkrim, curriculum vitae, kopje të noterizuar të diplomës dhe listës së notave, kopje të noterizuar të librezës së punës, vërtetim punësimi për pozicionin aktual dhe certifikatën e gjendjes gjyqësore.
Paralelisht me certifikimin e audituesve, urdhri parashikon edhe hapjen e procedurës së aplikimeve për trajnerë të certifikimit. Trajnerët ndahen në dy kategori dhe duhet të plotësojnë kritere të qarta akademike dhe profesionale, duke përfshirë diplomë master ose gradë shkencore, përvojë të gjatë pune në fushën përkatëse, njohuri të thelluara të standardeve të auditimit të brendshëm, si dhe aftësi të larta pedagogjike dhe komunikuese.
Dokumentacioni për aplikantët, si për auditues ashtu edhe për trajnerë, do të pranohet brenda 30 ditëve kalendarike nga data e hyrjes në fuqi të urdhrit, 22 dhjetori 2025. Pas dorëzimit, dokumentacioni do të vlerësohet nga Drejtoria e Harmonizimit për Auditimin e Brendshëm, e cila harton listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale dhe ia përcjell atë Komisionit të Kualifikimit të Audituesve të Brendshëm në Sektorin Publik për vendimmarrje.
Komisioni do të shpallë listën emërore të kandidatëve të përzgjedhur për certifikim. Kandidatët fitues duhet të kryejnë pagesën e tarifës së certifikimit në masën 40 mijë lekë brenda 15 ditëve kalendarike nga shpallja e listës, në të kundërt do të skualifikohen nga procesi.
Ky proces certifikimi vlerësohet si një hap i rëndësishëm në drejtim të forcimit të sistemit të kontrollit të brendshëm financiar publik, rritjes së transparencës dhe përmirësimit të qeverisjes financiare, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian







