E mërkura e 31 dhjetorit do të jetë dita më e ftohtë e 2025-s, me temperatura që do të arrijnë në vlera deri në -8 gradë Celsius në zonat malore.
“Dita e mërkurë, e cila është dhe nata e ndërrimit të vitit do të jetë dhe dita më e ftohtë e të gjithë muajit dhjetor. Parashikohet që termometri të zbresë -8 gradë në zona malore. Kryesisht do të jetë verilindja që do të shënojë temperaturat më të ulëta. Bajram Curri, Puka, Peshkopia, Bulqiza, parashikohet në fakt që rreth vlerës -5 apo -6 gradë do të jenë edhe zonat e juglindjes në qarkun e Korçës, i afrohen afër 0 apo 1 gradë vija bregdetare, e do ketë -3, -4, mjaft qytete të zonës së ulët”, u shpreh Lajda Porja, sinoptikane.
Fundjava pritet të sjellë një tablo tjetër, ku pas ditëve me diell do të rikthehen reshjet e shiut dhe të dëborës në zona të caktuara.
“E premtja, e shtuna dhe e diela do të rikthehen reshjet në territor. Parashikohet në fakt që dita e premte do të ketë reshje dëbore në të gjithë zonën malore, madje dëbora do të zbresë në zonat malore në Tiranë, Krujë, Librazhd. Ndërkohë, dita e shtunë duke qenë se ka rritje të temperaturave do të ketë më së shumti reshje shiu”, sqaron sinoptikanja.
Edhe javët e para të janarit do të jenë me mot të paqëndrueshëm dhe të ftohtë, sipas sinoptikanëve.







