Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura dje, 28 dhjetor 2025, të cilave u paraprinë përplasjet prej disa muajsh ndërmjet partive politike, bllokadat institucionale dhe fjalori polarizues, përfunduan me një fitore bindëse të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Ekspertët thonë se këto zgjedhje i sollën partisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, një fitore “spektakolare”, të cilën ajo e arriti kryesisht falë “dobësive” të partive opozitare.
LVV-ja i fitoi 49.30% të votave, pa llogaritur votat me kusht dhe ato të diasporës, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
“Kjo është një fitore spektakolare e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën ia ka dhuruar opozita me mungesën totale të ideve se si të ballafaqohen me popullizmin e fuqishëm të Kurtit”, thekson analisti Artan Muhaxhiri.
Të dhënat preliminare të KQZ-së tregojnë se partitë opozitare ngelën shumë mbrapa.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i fitoi 21.01 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)13.59 për qind, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 5.68 për qind.
Nisma Socialdemokrate, me vetëm 1.72 për qind të votave nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, i fitoi 4.74 për qind të votave.
Fitoren e LVV-së, politologu Dritëro Arifi e sheh si rezultat të disa faktorëve të ndërlidhur – “propagandës së fuqishme” që ka kjo parti, si dhe dobësive të partive opozitare, të cilat nuk kanë arritur të jenë mjaftueshëm aktive dhe të prezantojnë ekspertizë.
“Më e rëndësishmja është se qytetarët e kanë vërejtur mungesën e lidershipit te partitë opozitar, si dhe të një personi që do të mund ta ndryshonte gjendjen”, shton ai.
Bazuar në rezultatet preliminare, LVV-ja pritet t’i ketë 56 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 23 ulëse, LDK-ja 15 ulëse, ndërsa AAK-ja 6 ulëse.
Lista Serbe pretendon se ka fituar të dhjetë ulëset në Kuvend, por mbetet ende me pikëpyetje nëse partia tjetër serbe, Partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit do ta fitojë një ulëse.
Çfarë u deklarua nga partitë politike?
Lëvizja Vetëvendosje pritet të përsërisë ose tejkalojë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, kur kishte fituar 50.28 për qind të votave.
Ajo e krijoi shumicën parlamentare pa koalicion me partitë e tjera shqiptare, por vetëm me deputetë nga pakicat joserbe, të cilat i kanë 10 ulëse të garantuara në Kuvend, ashtu sikurse edhe pakica serbe.
Lideri i LVV-së, Albin Kurti, pas shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ-ja, tha se “sa më parë që certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, aq më shpejtë do të krijohen institucionet”.
Ai i ka ftuar partitë e tjera që të bashkëpunojnë për marrëveshjet ndërkombëtare, duke thënë se ky hap do të jetë test për bashkëpunimin e mundshëm të mëtejmë, përfshirë edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit, në pranverën e ardhshme.
“Natyrisht që duhet ta bisedojmë me opozitën këtë çështje. Por, paraprakisht duhet të diskutojmë për marrëveshjet ndërkombëtare”, tha Kurti.

“Nuk jemi mësuar ta shohim Kurtin në këtë mënyrë. Por, kjo është gjë pozitive. Mirëpo, nga këndvështrimi im, gjuha e trupit e tradhtonte. Normalisht që gjuha ishte e fituesit, por nuk e kishte entuziazmin e fituesit”, thekson politologu Arifi.
Ai, por edhe analisti Muhaxhiri, besojnë se Kurti, i cili pritet të jetë për herë të tretë kryeministër, mund ta krijojë qeverinë e re vetëm me partinë e tij dhe me pakicat joserbe.
Një koalicion me një parti tjetër shqiptare, do të ishte rezultat i dëshirueshëm për Kurtin, vlerësojnë ata.
Megjithatë, Muhaxhiri vlerëson se hendeku i krijuar ndër vite ndërmjet LVV-së dhe PDK-së, frika e LDK-së se mund të humbë edhe më shumë elektorat në rast të një marrëveshjeje me LVV-në, e bëjnë të pamundur një koalicion të LVV-së me dy partitë më të mëdha opozitare, por edhe ndonjë mbështetje të këtyre partive si opozitë.
“Do të jetë shumë vështirë që [Kurti] t’i bindë PDK-në dhe LDK-në që të qëndrojnë në sallë, për të arritur kuorumin prej 80 deputetësh për zgjedhjen e presidentit ose presidentes. LDK-ja dhe PDK-ja konsiderojnë që presidentja [Vjosa] Osmani, me shumë veprime të saj, i ka ndihmuar LVV-së”, theksoi Muhaxhiri.
Ai shtoi se refuzimi i bashkëpunimit ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit, mund ta çojë sërish vendin në zgjedhje, qysh në pranverë kur Osmanit t’i mbarojë mandati në prill.
Politologu Arifi thotë se në rast se Lëvizja Vetëvendosje e tejkalon rezultatin e vitit 2021, Kurti do të shqyrtojë nëse i duhet Osmani ende si Presidente ose të propozojë një kandidat tjetër.
Sipas tij, kornizat që përcaktohen për partitë politike opozitare shqiptare, në bazë të numrave të ulëseve të fituara në Kuvend, nuk u mundësojnë hapësirë të madhe për manovrim më rastin e zgjedhjes së presidentit në mandatin e ardhshëm.
“Opozita do ta bëjë një kuazi-pragmatizëm, në këtë rast të detyruar, që të qëndrojë në sallë, sepse alternativa tjetër janë zgjedhjet e parakohshme, në të cilat, nëse opozita del si problematike, atëherë zoti Kurti mund të fitojë 60-70 për qind të votave totale.”
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, janë rezultat i mospajtimeve dhe përplasjeve ndërmjet partive politike, të cilat pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk arritën në konstituimin e Kuvendit deri më 10 tetor.
Kurti më pas nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme në Kuvend për formimin e qeverisë. Qeverinë nuk arriti ta formojë as i mandatuari i dytë, Glauk Konjufca, po ashtu nga LVV-ja, gjë që detyroi presidenten Osmani të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Teksa Kurti synon të formojë qeverinë e re, KQZ-ja ende ka punë deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare, pasi duhen numëruar votat për deputetë, ato nga diaspora, votat me kusht, si dhe të personave me nevoja të veçanta.
Të gjitha këto hapa kanë edhe afate për ankesa, të cilët mund të jenë arsye për të marrë disa javë deri te formimi i ekzekutivit të ri.







