HomeEkonomiINTERVISTA/Flet Rigers Kaçorri nga Kantina Arbëri: Sektori i verës ka nevojë për...

INTERVISTA/Flet Rigers Kaçorri nga Kantina Arbëri: Sektori i verës ka nevojë për formalizim dhe rritje të konkurrueshmërisë para BE

Advertismentspot_img

Intervistë me Rigers Kaçorri, Kantina Arbëri

Integrimi në Bashkimin Europian është bërë pjesë e diskursit të përditshëm politik dhe ekonomik të vendit dhe kjo duket se po nxit gjithmonë e më shumë bizneset të shohin përtej panoramës lokale.

Rigers Kaçorri, nga Kantina Arbëri, shprehet se sektori i verës ka nevojë për një seri masash që duhet të merren përpara se të bëhemi pjesë e këtij tregu, në mënyrë që të jemi konkurrues.

Si ka qenë prodhimi i rrushit në vend në vitin 2025? Cilët kanë qenë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në panoramën e përgjithshme të prodhimit?

Në vendin tonë, viti 2025 mund të konsiderohet i mbarë për prodhimin si në cilësi ashtu edhe në sasi.

Faktori kryesor për këtë rendiment të lartë prodhimi sigurisht mbeten kushtet e favorshme klimatike në muajin e vjeljes. Shumë kantina si dhe fermerë që shesin lëndën e parë rrush te prodhuesit kanë zgjeruar kultivimin e rrushit në toka të reja, madje disa fermerë kanë nisur mbjelljen e rrushit edhe në serra.

Në lidhje me konsumin në botë, dëshiroj t’u referohem statistikave të përpunuara nga Organizata Ndërkombëtare e Vreshtit dhe Verës (OIV) e cila e ka vlerësuar në 232 milionë hektolitër prodhimin botëror të verës në 2025.

Kjo shifër duket si një rimëkëmbje e lehtë pas niveleve jashtëzakonisht të ulëta të vitit 2024. Megjithatë, mbetet dukshëm nën mesataret e viteve të fundit, duke konfirmuar kështu një periudhë me furnizim global të reduktuar, të ndikuar nga sfidat klimatike dhe modelet e ndryshuara të konsumit.

Në Bashkimin Europian (140 milionë hektolitër), prodhimi është rritur lehtë krahasuar me 2024, por mbetet nën mesataren e pesë viteve të fundit. Franca dhe Spanja patën sasi të ulëta vjelje, Italia u rikuperua, ndërsa disa vende të Europës Qendrore e Juglindore regjistruan rezultate mbi mesatare.

Edhe pse 2025 ka prodhim të ulët, sektori ende nuk ndien presion nga mungesa, sepse disa tregje, për shkak të konsumit të ulët dhe prodhimit të lartë vitet e mëparshme, kanë ende stok të lartë.

Si parashikohet prodhimi i verës këtë vit në krahasim me vitin paraardhës? A ka ndonjë ndryshim të pritshëm, qoftë edhe në terma përqindjeje?

Në aspektin cilësor, këtë vit, prodhimi i verës duket se do të premtojë një standard të lartë cilësie, identifikuar kjo jo vetëm nga rezultatet e analizës së rrushit para procesit të vjeljes, por edhe nga analizat që i bëhen vazhdimisht gjatë proceseve të trajtimit të saj si ai i fermentimit.

Këtë e lidh specifikisht me analizat e kloneve autoktone të rrushit, të cilat jo vetëm që nuk prodhohen në sasi të larta, por rriten si të thuash ‘në shtëpinë tyre’, ndryshe nga kultivarët ndërkombëtarë, të cilët duhen trajtuar për t’ju përshtatur terrenit ku rriten.

Në aspektin sasior, ky vit ka qenë bujar për prodhuesit vendas, duke sjellë në treg më shumë prodhim ‘Made in Albania’, por në termat e përqindjes, jemi herët për të zbuluar shifra dhe do të duhet të presim fillimin e vitit 2026 kur dorëzohen edhe deklarimet e sasive të prodhimit nga çdo subjekt prodhues.

Turizmi ka shënuar rritje të numrit të vizitorëve, por ka rezerva për konsumin, për shkak të profilit të turistit me buxhet të kufizuar. A reflektohet kjo tendencë edhe në konsumin e verës, apo ndikimi i turizmit në vitin 2025 ka qenë më pozitiv se në 2024?

Kantina jonë ka pritur vizitorë nga kombësi të ndryshme gjatë gjithë vitit 2025 dhe në periudha të caktuara si p.sh. në sezonin veror, ky numër ka qenë i lartë. Pavarësisht se ka edhe grupe turistësh që futen te profili i turistit me shpenzime të reduktuara, do të thosha që çdo turist i huaj e provon gjithmonë një produkt të vendit, qoftë kjo pije e verës apo çdo gjë tjetër që mban origjinën e prodhimit në Shqipëri.

Mendoj se ‘Konsumatori Turist’, le ta quajmë kështu, luan rol të rëndësishëm në rritjen e kërkesës nga ana e restoranteve apo dyqaneve të verës për produktet e vendit dhe si rrjedhojë, kjo sjell edhe rritjen e konsumit të produkteve shqiptare nga konsumatori fundor.

Pa e parë ende analizën tonë vjetore të 2025-s, mund të them që 2025 ka qenë edhe më i suksesshëm se viti i mëparshëm. Kjo lidhet me faktin se Shqipëria po promovohet jo vetëm në panaire apo forume turistike por edhe në evente të lidhura posaçërisht me prodhimin e verës.

Vlen të përmend këtu që, për të dytin vit radhazi, ekipi shqiptar si një ndër 40 ekipet pjesëmarrëse nga e gjithë bota, përfaqësoi vendin tonë në edicionin e 13-të, të kampionatit botëror të degustimit të verës që u mbajt në Francë, ku arriti rezultate edhe më të kënaqshme krahasuar me edicionin e kaluar.

Cilat janë, sipas jush, sfidat kryesore me të cilat po përballet sektori i verës dhe cilat masa do të mund të ndihmonin në përmirësimin apo lehtësimin e situatës?

Sektori i prodhimit të verës në Shqipëri përballet me një sërë sfidash të cilat duken sikur nga viti në vit, ende nuk është gjetur një zgjidhje.

Ajo çfarë has çdo prodhues në sektorin e verës është konkurrenca e pandershme dhe presioni i fortë që i vjen tregut nga verërat e importuara, të cilat vijojnë ta vështirësojnë shitjen dhe zhvillimin e produkteve vendase.

Nga ana tjetër vihet re mungesa e informacionit teknik, procedural dhe legjislativ, një boshllëk ky që bashkë me një treg të pakontrolluar dhe informal, krijon sfida në standardizimin e cilësisë dhe konkurrencën e drejtë.

Kostot janë gjithashtu një tjetër sfidë e drejtpërdrejtë me të cilat përballet prodhuesi shqiptar, pasi në mungesë të subvencionimeve kanë kosto më të lartë prodhimi, ndërsa nga ana tjetër, konsumatori mbetet ende paragjykues dhe me përvojë të kufizuar për t’i provuar produktet vendase.

Sektori ka nevojë për formalizim, koordinim më të mirë midis fermerëve dhe subjekteve prodhuese, investime në teknologji dhe infrastrukturë për të rritur cilësinë dhe konkurrueshmërinë në tregun rajonal dhe për t’u bërë gati për hyrjen në tregun e Bashkimit Europian.

A po vëreni ndryshime në preferencat e konsumatorëve shqiptarë (p.sh. më shumë orientim drejt verërave të lehta, organike apo varieteteve vendase)?

Në përgjithësi, konsumi i verës po ndryshon shijen, duke shkuar drejt preferencave për verë më të lehtë për sa i përket gradës së alkoolit. Do të thosha që është një trend botëror që vihet re sidomos te të rinjtë, të cilët konsumojnë alkoolin në mënyrë të moderuar.

Verërat organike mund të jenë potencial për të ardhmen dhe mendoj që duhet të jetë fokus jo vetëm i prodhuesve, por edhe interes i institucioneve shtetërore.

Përveç kësaj, verërat e prodhuara nga varietete autoktone besoj do të marrin edhe më shumë vëmendje, pasi në vetvete prezantojnë shijen e një produkti 100% shqiptar.

Ju keni folur vazhdimisht për ndikimet e klimës në sektor. A po testoni varietete të reja më rezistente?

Ndryshimet klimatike qe po ndodhin po sjellin dhe do të vazhdojnë të përbëjnë sfidën kryesore të prodhuesve dhe nëse kjo gjë nuk trajtohet me fanatizëm nga prodhuesit dhe institucionet shtetërore, do ta gjejë Shqipërinë jo vetëm të papërgatitur, por do të jetë një ngecje e gjatë për gjithë industrinë e prodhimit.

A mund t’i zgjidhim problemet e klimës duke kultivuar varietete rezistente?

Mendoj se kjo është një zgjidhje afatshkurtër për t’u përshtatur me rrethanat, pasi unë personalisht jam kundër varieteteve rezistente, sepse në njëfarë mënyre nuk na diferencojnë në treg për autenticitetin dhe filozofinë tonë drejt kloneve autentike shqiptare.

Nuk jam kundër eksperimenteve apo kombinimeve të ndryshme mes varieteteve, por nëse përqendrohemi të gjithë te varietetet rezistente, në botë do të pihej e njëjta verë dhe ne nuk do të shquheshim për ndonjë shije identifikuese.

Pas shumë vitesh konsolidimi në tregun e verës, këtë vit ju jeni zgjeruar edhe në agroturizëm. Si lindi ky vendim dhe si ka qenë reagimi i parë duke pasur parasysh se agroturizmi po tregon rritje të qëndrueshme në vend?

Agroturizmi është një ëndërr e kahershme e babait për të plotësuar atë që prej vitesh ka munguar dhe identifikon zonën tonë, gatimet tradicionale të Mirditës. Prej vitesh, Kantina jonë ka qenë destinacion turistik nga vizitorë të huaj dhe vendas, të cilët kërkonin vazhdimisht të provonin ushqimet karakteristike të zonës.

E lindur nga dëshira dhe nga nevoja, Arbëri Agroturizëm, “Bukë dhe Venë”, i bashkohet filozofisë sonë për të sjellë te konsumatori shijet karakteristike të Mirditës.

Si e parashikoni vitin e ardhshëm për sektorin e verës, në aspektin e konsumit dhe të ecurisë së përgjithshme, duke marrë në konsideratë zhvillimet e turizmit dhe tendencat e konsumit në vend?

Vazhdoj të mbetem optimist për sektorin dhe dëshiroj që vitin e ardhshëm kërkesat e gjithë prodhuesve të mos ngelen vetëm te rritja e konsumit por të ndryshojmë qasjen e të bërit biznes dhe të përpiqemi që t’u paraprijmë sfidave/kërkesave që do të na kërkojë Bashkimi Europian për të qenë pjesë e tregut të tyre si dhe të fokusohemi në ndërtimin e diplomacisë tregtare me vende të tjera të botës ku të promovohet kultura, trashëgimia jonë edhe nëpërmjet produkteve “Made in Albania”.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular