Kryeministri Edi Rama nuk e përjashtoi mundësinë për zhvillimin e një tjetër mbledhjeje të përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se e ka uruar Albin Kurti për rikonfirmimin në detyrë, ndërsa shtoi se duhet të bisedohet për një takim të radhës.
“Mirë do të ishte ta kishim një mbledhje mes dy qeverive. Nuk e zhvilluam dot këtë vit për shkak të zgjedhjeve. Bëmë mbledhjen mes dy parlamenteve. E kam uruar Albin Kurtin. Të vazhdojmë punën, kemi shumë gjëra për të bërë. Hekurudha Durrës–Prishtinë është xhevahiri i të gjithë punëve”, tha Rama.







