Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit do të investojë rreth 1.4 milionë euro për rijetësimin e kinemave në Shqipëri gjatë vitit 2026. Lajmi u bë i ditur nga ministri Blendi Gonxhja përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e cilësoi këtë nismë si një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të magjisë së filmit tek publiku.
Sipas Gonxhes, rreth shtatë salla kinemaje në mbarë vendin do të përfitojnë nga modernizimi i teknologjisë dhe përmirësimi i ambienteve, duke u kthyer në hapësira më tërheqëse dhe komode për shikuesit. Ky investim synon të nxisë pjesëmarrjen e publikut në artin e filmit dhe të sjellë kinemanë më pranë komuniteteve lokale.
“Lajm i jashtëzakonshëm për kinemanë në Shqipëri! Ministria Turizmit, Kulturës dhe Sportit do të investojë rreth 1.4 milion euro për ri-jetësimin e kinemave në vendin tonë gjatë vitit 2026!
Ky është një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të magjisë së filmit tek publiku në çdo cep të vendit.
Rreth 7 salla kinemaje do të përfitojnë nga modernizimi i teknologjisë dhe ambienteve, duke krijuar një hapësirë më tërheqëse dhe komode për të gjithë shikuesit që duan të shijojnë artin e filmit.
Kjo iniciativë do të ndihmojë gjithashtu në mbështetje të industrisë lokale të filmit dhe do të sjellë më shumë mundësi për artistët dhe profesionistët e tjerë të fushës”, shkruan Gonxhja.







