HomeProfilNjë zbulues i heshtur e diplomat i matur…Kolonel Hajro Limaj - Zbuluesi...

Një zbulues i heshtur e diplomat i matur…Kolonel Hajro Limaj – Zbuluesi dhe diplomati i tre luftërave/Nga Nexhbedin Basha

Advertismentspot_img

Nga Nexhbedin Basha
Gazetar & kritik letra
r
Në heshtjen e korridoreve të ushtrisë, mes dokumenteve të mbyllura dhe hartave që fshihnin sekrete, ecte një figurë që pak e njihnin përtej uniformës dhe gradës. Ishte Kolonel Hajro Limaj – zbuluesi i heshtur, diplomati i matur, njeriu që vepronte në ato linja të padukshme ku historia dhe sekreti ndërthuren si dallgët e një deti të trazuar.
Çdo letër që firmoste, çdo urdhër që zbatonte, çdo takim që zhvillonte, mbante peshën e fatit të një kombi. Në rrëfimet e tij, rreziku kishte fytyrë, guximi kishte emër, ndërsa sekreti mbetej një histori e heshtur që priste kohën për të dalë në dritë.
Ai ishte dëshmitar dhe aktor në momentet më delikate të historisë moderne të Shqipërisë: dobësimin e monizmit nën trysninë e rrethanave të brendshme dhe ndërkombëtare, shembjen e sistemit, vitin e errët 1997 që rrezikoi vetë themelet e shtetit dhe Kosovën që kërkonte me ngulm lirinë e saj.
Tek lexon librat e tij, kupton se zbuluesi dhe diplomati nuk është thjesht njeri faktesh, por një njeri që rri pezull mes detajit dhe fatit, duke ecur në skenën e historisë me qetësi, gjakftohtësi dhe vendosmëri. Çdo faqe flet për zgjedhje që nuk bënë zhurmë, për rreziqe të shmangura, për vendime që shpëtuan më shumë sesa u panë.
Në heshtjen e mendimit dhe tensionin e çdo misioni, kupton se historia nuk është vetëm ajo që shkruhet në libra – por ajo që bartet në ndërgjegjen e atyre që guxojnë të shërbejnë. Hajro Limaj është një prej tyre.

NJË USHTARAK I VESHUR ME MISTER…

Kur isha gazetar në gazetën “Ushtria”, Hajro Limajn e njihja si ushtarak profesionist, por jo si një oficer zbulimi ushtarak i veshur me mister. E takonim shpesh dhe më dukej më shumë si një pedagog i qetë, i matur dhe i thelluar, sesa si një zbulues që kishte lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e sigurisë kombëtare.
Ishte koha e tranzicionit, pas shembjes së sistemit, me plagët e vitit 1997 ende të hapura dhe me dritaren e Kosovës që hapej drejt lirisë. Kolonelin e vërtetë, zbuluesin legjendar të ushtrisë shqiptare, e njoha më vonë, kur rrëfente përvojat e tij në emisionin “Dekalog”, përballë gazetarit Roland Qafoku.
Rrëfime rrëqethëse, ku përballja me rreziqe të jashtëzakonshme dhe shpëtimi prej tyre dukej si një mrekulli e përsëritur. Këto përvoja janë gërmuar, dokumentuar dhe analizuar në librat e tij, veçanërisht në veprën “Lufta e Ftohtë dhe Shqipëria 1943–1990”.

VEPRIMRARIA NË TRE PERIUDHA KYÇE HISTORIKE

Zbulimi strategjik gjatë Luftës së Ftohtë (1972–1990)

Pas detyrave në Drejtorinë e Zbulimit Informativ Ushtarak në Tiranë, Kolonel Limaj shërbeu për nëntë vite jashtë vendit, duke mbledhur të dhëna strategjike mbi kërcënimet reale dhe potenciale ndaj Shqipërisë nga Jugosllavia, Greqia, Italia, Flota e 6-të Amerikane dhe Flota Ruse në Mesdhe.
Ishte një mision jashtëzakonisht i rrezikshëm, me kërcënim permanent zbulimi dhe arrestimi nga agjenturat e huaja. Misioni u përmbush me sukses dhe më 18 dhjetor 1989, Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoroi me “Urdhrin Ylli i Kuq”.

Funksione drejtuese dhe diplomacia ushtarake (1989–1995)

Pas kthimit në atdhe u emërua shef i degës operative të njësisë së zbulimit informativ për shtetet objekt zbulimi, duke drejtuar aktivitetin analitiko-operativ në një periudhë të trazuar tranzicioni politik.
Me ndryshimin e sistemit, kaloi në diplomacinë ushtarake. Shërbeu si Shef i Degës së Bashkëpunimit Ushtarak Shqipëri–Turqi dhe përkthyes i gjuhës turke në Ministrinë e Mbrojtjes. Në dhjetor 1994 u emërua Atasheu i parë Ushtarak i Shqipërisë në Turqi, duke shënuar një moment historik në marrëdhëniet dypalëshe.

Roli gjatë krizës së vitit 1997 dhe Kosovës (1996–1999)

Gjatë krizës së vitit 1997, Kolonel Limaj luajti një rol kyç në mobilizimin e institucioneve turke në mbrojtje të sovranitetit shqiptar. Takimet me Presidentin Sulejman Demirel, Kryeministren Tansu Çiler dhe Ministrin e Mbrojtjes Sezgin çuan në deklarata historike, ndër to ajo e 17 majit 1997:

“Kush prek Shqipërinë, ka prekur Turqinë.”

Ai koordinoi gjithashtu ndihmat humanitare dhe ngritjen e kampeve për refugjatët kosovarë, duke siguruar ushqim, veshmbathje dhe strehim për mijëra shqiptarë.

Reforma ushtarake dhe kontributi strategjik

Në periudhën 1994–2000, Kolonel Limaj mundësoi 980 bursa studimi në Turqi për ushtarakët shqiptarë dhe kontribuoi në rindërtimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura: Akademia Detare e Vlorës, Baza e Pashalimanit, Brigada Komando dhe Batalionet Speciale.
Po ashtu, u nënshkruan marrëveshje për trajtim mjekësor falas për ushtarakët shqiptarë dhe familjet e tyre në Spitalin Qendror të Ushtrisë Turke.

HAJRO LIMAJ ANALIST, PUBLIÇIST DHE AUTOR LIBRASH…

Kolonel Hajro Limaj ka botuar mbi 1100 analiza dhe komente në shtypin shqiptar, kosovar dhe amerikan, me fokus sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare.

Veprat e tij përfshijnë:

Bota Shqiptare dhe Siguria Kombëtare
Midis Ankarasë dhe Tiranës 1990–2000
Në kërkim të demokracisë kushtetuese
Lufta e Ftohtë dhe Shqipëria 1943–1990
Personalitet e Zbulimit dhe Diplomacisë Ushtarake të Shqipërisë
Diplomacia Ushtarake dhe Integrimi në NATO
Dhe këto ditë sapo ka botuar librin e fundit të titulluar: “Personalietet e zbulimit ushtarakë shqptarë”.
Në lidhje me këtë autori Limaj shprehet: “Këtë libër ua kushtoj atyre bijëve të Shqipërisë, heronjëve të heshtur, të cilët e shkrinë jetën e tyre për sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare.

  • Familjeve të tyre, të cilat jetonin me ankthin e rreziqeve që ata përballeshin jashtë shtetit.
  • Ua kushtoj dy fëmijëve të mi, të cilët erdhën në jetë pa praninë e babait të tyre në Shqipëri, emrat e të cilëve u vendosën me radiogram nga Malta: Aurora (1979) dhe nga Napoli: Ardit (1984) dhe u rritën me mungesa afatgjata të tij”
    Urime kolonel Limaj zbulues ushtarak e diplomat!

DEKORIME, TITUJ DHE VLERËSIME…

Qytetar Nderi i Vlorës – titull nderi i akorduar nga Bashkia Vlorë, për kontribut të veçantë në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimit ushtarak.
Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë – vlerësim i dhënë nga Këshilli i Qarkut Vlorë, për veprimtari të shquar institucionale dhe kombëtare.
Personalitet i Shquar i Labërisë – titull nderi i akorduar nga Shoqata “Labëria – Nderi i Kombit”, për kontribute të spikatura atdhetare dhe shoqërore.
“Hero i Kosovës” – titull shtetëror i Republikës së Kosovës, që jepet nga Presidenti/Presidentja e Republikës së Kosovës, i propozuar nga Shoqata e Këshillit Ushtarak të Rezistencës (SHKUR).
Urdhri “Ylli i Kuq” – dekoratë shtetërore e Republikës së Shqipërisë, akorduar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, më 18 dhjetor 1989, për shërbime të veçanta në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.
Prof. Dr. Sabit Brokaj, ish-Ministër i Mbrojtjes, ka deklaruar:
“Dy atashe ushtarakë kanë bërë histori në Shqipëri: Gjeneral Halim Ramohito në Moskë dhe Kolonel Hajro Limaj në Ankara. I pari, në mbrojtje të Shqipërisë me daljen nga Traktati i Varshavës. I dyti, duke angazhuar institucionet më të larta të shtetit turk në mbrojtje të sovranitetit shqiptar gjatë krizës së vitit 1997 dhe në mbështetje vendimtare të çlirimit të Kosovës më 1999.”

ARSIMIMI DHE JETA FAMKLJARE

Në rrugëtimin e gjatë të jetës së Kolonel Limajt, dija nuk ishte thjesht një detyrim profesional, por një mënyrë jetese — një strehë e sigurt ku karakteri formohej po aq sa aftësia. Qysh herët, ai e kuptoi se forca e vërtetë e një ushtaraku nuk matet vetëm me gradën në supe, por me thellësinë e përgatitjes dhe horizontin e mendimit.
Në vitin 1971, hapi një kapitull vendimtar në Shkollën e Lartë Ushtarake, ku disiplina u ndërthur me vizionin. Menjëherë pas saj, vitet 1972–1975 e gjetën në Shkollën e Zbulimit Informativ, ku krahas mjeshtërisë profesionale, ai përvetësoi edhe gjuhën turke — një gjuhë që më vonë do t’i hapej si portë diplomacie, kulture dhe besimi. Në vitin 1976, në Shkollën e Zbulimit Elektronik, teknologjia dhe strategjia u bënë pjesë e pandarë e formimit të tij, ashtu si edhe gjuha angleze, që e lidhte me botën përtej kufijve.
Por etja për dije nuk u shua kurrë. Në vitin 1993, Stambolli i dha titullin Master në gjuhën turke, ndërsa një vit më vonë, Akademia e Sigurisë Kombëtare e po atij qyteti, i forcoi bindjen se siguria është art i mendjes dhe maturisë, jo vetëm i forcës. Në 1995, Akademia Diplomatike e Ankarasë ia plotësoi profilin e një ushtaraku që fliste me armë vetëm kur fliste më parë me fjalë.
Kolonel Limaj zotëronte turqishten, anglishten dhe italishten, por mbi të gjitha, zotëronte një gjuhë të rrallë: atë të përgjegjësisë dhe besimit njerëzor. Këtë trashëgimi ai e solli në familje, ku jeta private nuk ishte kurrë në hije të profesionit, por burimi i ekuilibrit të tij. Si baba i dy fëmijëve, të formuar e të suksesshëm në fushat e inxhinierisë dhe teknologjisë, ai pa tek ta vazhdimin e asaj që kishte ndërtuar me këmbëngulje: respektin për dijen, punën dhe të ardhmen.

NJË ARKITEKT I HESHTUR I SIGURISË KOMBËTARE

Kolonel Hajro Limaj nuk ishte thjesht një ushtarak apo një diplomat i saktë. Ai ishte një arkitekt i heshtur i sigurisë kombëtare. Çdo libër i tij është një derë që hapet drejt një epoke ku inteligjenca, guximi dhe devotshmëria bashkëjetojnë.
Ai mbetet shembull i rrallë i shërbimit me nder, largpamësi dhe përulësi – zbuluesi, diplomati dhe analisti që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Shqipërisë.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular