HomeKryesoreShqipëria drejt heqjes së tarifave Roaming me BE, publikohet projektligji, ja kur...

Shqipëria drejt heqjes së tarifave Roaming me BE, publikohet projektligji, ja kur pritet zbatimi

Advertismentspot_img

Qytetarët shqiptarë dhe bizneset vendase janë një hap më pranë komunikimit pa kosto shtesë me vendet e Bashkimit Evropian. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë të martën (30 dhjetor) për konsultim publik projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 54/2024 ‘Për komunikimet elektronike’”, i cili synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë evropian për zbatimin e regjimit “Roaming Like At Home” (RLAH).

Nisma ligjore vjen në kuadër të procesit të integrimit të përshpejtuar të Shqipërisë në tregun unik digjital të BE-së. Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, objektivi politik është që “zbatimi efektiv i tarifave zero për roaming me BE-në të realizohet në vitin 2026”.

Çfarë sjell ligji i ri?

Projektligji parashikon disa ndryshime thelbësore që i japin autoritet rregullatorit shqiptar (AKEP) dhe operatorëve për të aplikuar tarifat e reja:

AKEP do të ketë kompetencën të miratojë vendime lidhur me tarifat maksimale për roamingun dhe “Politikën e Përdorimit të Drejtë” (FUP). Kjo e fundit shërben për të shmangur abuzimet me roamingun falas gjatë qëndrimit jashtë vendit

Projektligji zyrtarizon bashkëpunimin e plotë të AKEP me Organin e Rregullatorëve Evropianë për Komunikimet Elektronike (BEREC), duke përfshirë shkëmbimin e informacionit dhe pjesëmarrjen në strukturat e tij.

Për herë të parë, shtohen dispozita ndëshkuese administrative (gjoba) për operatorët që nuk do të respektojnë rregullat e reja të shërbimit roaming.

Ligji harmonizon tarifat e terminimit të thirrjeve zanore me shumicë (wholesale), një hap teknik i domosdoshëm për të mundësuar uljen e kostove për përdoruesin fundor.

Impakti te qytetarët

Realizimi i RLAH do të thotë se qytetarët shqiptarë që udhëtojnë në vendet e BE-së do të mund të përdorin minutat, SMS-të dhe internetin e paketës së tyre kombëtare pa kosto shtesë, njëlloj siç ndodh aktualisht me vendet e Ballkanit Perëndimor. E njëjta gjë do të vlejë edhe për qytetarët evropianë që vizitojnë Shqipërinë, duke ndikuar pozitivisht në turizëm dhe në klimën e biznesit.

Palët e interesuara kanë afat 20 ditë nga shpallja e njoftimit për të dërguar komentet dhe rekomandimet e tyre lidhur me këtë projektligj, para se ai të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave dhe më pas në Kuvend.

Premtimi për heqjen e roaming me vendet e BE-së, çfarë pritet të ndryshojë në 2026

Ditën e hënë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen njoftoi heqjen e tarifave roaming të komunikimeve të lëvizshme mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, vitin e ardhshëm.

Një vendim i tillë do të nënkuptonte mundësinë që abonentët e shërbimeve celulare në Shqipëri të përdorinin numrat e tyre në vendet e Bashkimit Europian me të njëjtat tarifa si në Shqipëri.

Aktualisht, tarifat roaming mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian nuk janë ligjërisht të rregulluara, por që prej vitit 2023, me ndërmjetësimin e Komisionit Europian, 38 operatorë të shërbimeve celulare të BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor arritën një marrëveshje për uljen e tarifave roaming të internetit.

Nga dy operatorët celularë shqiptarë, vetëm One Albania u bë pjesë e marrëveshjes, por sidoqoftë edhe Vodafone Albania ofron tarifa të ngjashme preferenciale për përdorimin e shërbimeve të kompanive të tjera të grupit Vodafone në BE

Konkretisht, operatorët që u bënë pjesë e marrëveshjes ranë dakord për vendosjen e një niveli maksimal të çmimit të shitjes me pakicë 18 euro/GB (gigabajt) duke filluar nga 1 tetori 2023; 14 euro/GB duke filluar nga viti 2026 dhe 9 euro/GB duke filluar nga viti 2028.

Marrëveshja u ka mundësuar përdoruesve të telefonisë celulare nga Shqipëria çmime më të ulëta të përdorimit të internetit gjatë kohës kur ndodhen në vendet e Bashkimit Europian, si edhe, anasjellas, edhe turistëve të huaj të përdorin internetin me çmime më të lira në Shqipëri.

Aktualisht, tarifa bazë e internetit në roaming në Zonën 1 (ku përfshihen shumica e operatorëve nga vendet e BE-së), është 2.4 Lekë/MB (nga 40-60 lekë për MB që ishte para hyrjes në fuqi të marrëveshjes).

Përdoruesit e telefonisë celulare të të dyja kompanive celulare shqiptare kanë sidoqoftë në dispozicion paketa komunikimi në roaming me kosto edhe më të ulët, kundrejt një çmimi fiks.

Marrëveshja parashikon gjithsesi një ulje të mëtejshme të çmimit të internetit në 14 euro/GB duke filluar nga viti 2026.

Megjithatë, nëse premtimi i bërë nga von der Leyen përmbushet, tarifat për të gjitha shërbimet roaming (duke përfshirë edhe thirrjet) duhet të hiqen dhe shqiptarët do të komunikojnë sipas kushteve të planit të tyre tarifor kombëtar, edhe kur të udhëtojnë në vendet e BE-së.

Marrëveshja me për uljen e tarifave të internetit në roaming me vendet e BE-së ndoqi marrëveshjen e arritur për heqjen e plotë të tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Prej fundit të qershorit 2021, përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë komunikojnë gjatë udhëtimeve në vendet e tjera të rajonit pa kosto shtesë dhe me të njëjtat tarifa të planit kombëtar përkatës.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), rreth 857 mijë shqiptarë përdorën shërbimet roaming në Ballkanin Perëndimor për vitin 2024, me një rritje prej 5% krahasuar me një vit më parë.

Volumi i internetit të përdorur në roaming e ka kaluar shifrën prej 1.2 milionë GB (gigabyte) internet, me një rritje prej 38% krahasuar me vitin 2023.

Deri tani, AKEP nuk mundëson statistika specifike lidhur me përdorimin e shërbimit roaming nga shqiptarët në vendet e Bashkimit Europian.

Të dhënat e INSTAT treguan se vitin e kaluar shqiptarët regjistruan afërsisht 7.9 milionë dalje nga territori i vendit vitin e kaluar, me një rritje prej 14% krahasuar me një vit më parë. / Monitor

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular