Shqipëria po lë pas një vit shumë të suksesshëm, ku natyrisht kualifikimi për herë të parë në “Play Off” të Kupës së Botës”, është një nga sukseset më të mëdha që Shqipëria ka arritur ndonjëherë.
Viti 2025 nuk nisi në mënyrën më të mirë të mundshme duke qenë se Shqipëria vinte nga një dështim në Ligën e Kombeve dhe në fakt, duke parë paraqitjet që janë bërë asokohe dhe duke e lidhur me shortin që kishte Shqipëria, nuk pritej me shumë optimizëm një sukses i tillë. Por, kuqezinjtë ia dolën që të realizojnë gjysmën e ëndrrës së madhe që kemi të gjithë, pasi në muajin mars do të tentojmë për herë të parë të luajmë në Kupën e Botës, por për të bërë këtë duhet të fitojmë 2 ndeshje që janë sigurisht 2 ndeshjet më të rëndësishme në histori.
NGA ANGLIA TE ANGLIA Shqipëria e nisi rrugëtimin e saj me një transfertë shumë të vështirë në Angli, aty ku në Uembli i duhej mrekullia për të synuar kualifikimin. Por, duke qenë të qartë se kë kishim përballë, nuk mund të pritej shumë e në fakt Anglia e fitoi ndeshjen megjithëse jo pa vuajte. Kuqezinjtë bënë një ndeshje shumë të mirë në Angli pavarësisht se u mundën. Në ndeshjen e dytë, kuqezinjtë bënë atë që duhej të bënin duke fituar me Andorrën në shtëpi me rezultatin 3-0. E në fakt, Anglia ishte skuadra e vetme që na mundi në këto kualifikuese dhe diçka të tillë e bëri edhe pak muaj më parë, në ndeshjen e fundit kualifikuese por që për asnjërën nga skuadrat nuk pati shumë vlerë sepse objektivat ishin arritur dhe ajo sfidë, u kthye në miqësore luksi. Kështu, Anglia na dha fat në ndeshjen e parë për të siguruar vendin e dytë në grup dhe për të na ndihmuar edhe më shumë, “3 luanët” fituan ndeshjen në Londër kundër Serbisë, e cila me kombinimin e fitores së Shqipërisë në Andorra, na solli matematikisht kualifikimin si vendi i dytë në grup, arritje kjo të cilën Shqipëria gjithmonë e ka pasur ëndërr dhe vetëm i është afruar pa e arritur kurrë më parë. Natyrisht kuqezinjtë kishin një rrugëtim të vështirë, me histori e dështime por në fund, ndeshja në Tiranë ishte festë.
FITORJA NË SERBI Shqipëria luajti në qershor kundër Serbisë në Tiranë dhe një penallti e humbur nga Rei Manaj, u komentua gjatë dhe u mendua për shumë muaj se do të ishte momenti që do të mbetej peng në kujtimet e të gjithëve. Por, Rei Manaj diti të bënte mirë, diti të ndryshonte historinë dhe në tetor e bëri diçka të tillë pikërisht në Leskovcin shqiptar, tokën që ndër shekuj ka frymuar kuqezi. Në sekondat e fundit të pjesës së parë, Manaj bën një goditje të bukur nga jashtë zone, për ta çuar topin në rrjetë e duke i dhënë Shqipërisë një fitore historike, të madhe dhe natyrisht me shumë vlera për vetë objektivin që kuqezinjtë kishin. Ai 3 pikësh, e shkëputi skuadrën tonë në vendin e parë dhë nëse deri atë ditë, kualifikimi nuk varej nga ne, goli i Manajt e ndryshoi historinë e kualifikueseve dhe bëri që Shqipëria të vendoste vetë për fatin e saj. Minutat në vazhdim, po flisnin vetëm për Shqipërinë dhe çdo minutë që kalonte, e afronte skuadrën tonë me historinë dhe kështu, më 11 tetor, Shqipëria mori fitoren e parë në histori kundër Serbisë në fushën e blertë, duke qenë se një fitore më parë e pat arritur në vitin 2014, kur Ballist Morina arriti të ngrinte dronin mbi stadium.
KUALIFIKIMI PËR HERË TË PARË Fitorja në Serbi, i hapi rrugë Shqipërisë për të synuar seriozisht vendin e dytë dhe kuqezinjtë e dinin mirë se për ta bërë, duhej patjetër fitore në Andorra. Dhe në fakt, kështu ndodhi. Goli i shënuar nga Kristjan Asllani në atë sfidë, e kualifikoi Shqipërinë, ndërkohë që Serbia nga ana tjetër po mundej në Londër nga Anglia, duke e bërë më të lehtë për skuadrën tonë sepse një rezultat tjetër në Londër, do të linte gjithçka të hapur për ndeshjen e fundit, aty ku Serbia do të priste Letoninë e ne do të përballeshim me Anglinë. Fitorja jonë në Andorra, na çoi në kuotën e 14 pikëve dhe për herë të parë në histori, arritëm që të kualifikohemi në “Play Off” të Kupës së Botës”. Pak javë më parë, u hodh edhe shorti për këtë fazë, ku goglat vendosën Shqipërinë përballë Polonisë dhe fakti që ne jemi në vazon e tretë, e lejon Poloninë që të jetë pritëse teksa për finalen ishte me short. Shqipëria përballet me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi dhe sërish, kuqezinjtë do të përballen në transfertë. Kështu, nëse Suedia arrin të fitojë, finalja do të luhet në Suedi, ndërsa Ukraina ka zgjedhur t’i luajnë në Spanjë ndeshjet e saj.
REKORDET Shqipëria pati një vit fantastik dhe pësoi vetëm 2 humbje, aty ku kuqezinjtë u mundën vetëm nga Anglia në ndeshjen e parë në mars dhe në ndeshjen e fundit në nëntor. Në këtë periudhë mes marsit dhe dhjetorit, kuqezinjtë ishin thuajse perfektë dhe nuk humbën asnjë ndeshje tjetër. Rezultati më zhgënjyes, natyrisht ishte barazimi 1-1 që Shqipëria mori në Letoni, aty ku duke parë nivelin e kundërshtarit, pritej një fitore nga skuadra jonë Kombëtare. Por, pas asaj ndeshjeje Shqipëria nuk po pësonte më gola dhe arriti të merrte edhe barazim me Serbinë. Kjo sfidë me serbët, u pasua më vonë nga 5 fitore radhazi nga skuadra jonë kuqezi. Fitorja e parë në këtë ecuri rekord për Shqipërinë, erdhi në datën 4 shtator në një miqësore me Gjibraltarin, ku skuadra jonë vuajti, nuk bindi por fitoi me rezultatin e ngushtë 0-1. Pak ditë më parë, kuqezinjtë luajtën në Tiranë me Letoninë dhe sërish fituan me rezultatin 1-0, në një ndeshje pa shkëlqim dhe ku në fakt, vendosi një penallti pasi loja nuk ishte shumë bindëse. Te Kombëtarja dukeshin të kënaqur dhe pas ndeshjeve, shpreheshin se në këtë moment, rëndësi kishin pikët dhe loja e bukur e në fakt, diçka e tillë rezultoi të ishte e rëndësishme. Fitorja me Letoninë u pasua një muaj më vonë nga fitorja në Serbi me rezultatin 0-1, ku për skuadrën tonë ishte ndoshta ndeshja më e mirë që kishte bërë në kualifikuese. Fitoren e katërt radhazi, Shqipëria e mori në miqësore ndaj Jordanisë, aty ku shënoi 4 herë por pësoi 2 gola, ndërkohë që fitorja e pestë radhazi dhe natyrisht shumë e rëndësishme erdhi në nëntor, ku Shqipëria fitoi ndaj Andorrës me rezultatin 0-1. Asnjëherë më parë Shqipëria nuk kishte arritur që të fitonte 5 ndeshje radhazi dhe natyrisht kjo ishte një tjetër arritje në vitin 2025 për kuqezinjtë.
HYSAJ KALON CANËN Elseid Hysaj e kishte vitin 2025 një ndër vitet më të veçanta në aspektin personal për sa i përket Kombëtares. Mbrojtësi shkodran u bë këtë vit futbollisti me më shumë ndeshje për Shqipërinë, duke thyer rekordin absolut që Lorik Cana mbante prej vitesh. Në ndeshjen me Serbinë, ku Shqipëria fitoi 0-1, Hysaj luajti ndeshjet e tij numër 93, duke arritur kështu rekordin e ishkapitenit kuqezi, ndërkohë që vetëm pak ditë më vonë e theu këtë rekord. Në ndeshjen me Jordaninë në Tiranë, Hysaj luajti ndeshjen e 94-ët, e cila ishte edhe zyrtarisht ndeshja që vuri rekordin e ri ndërkohë që vetëm pak javë më vonë, e thelloi këtë rekord pasi luajti edhe me Andorrën në transfertë dhe pak minuta me Anglinë në shtëpi para se të dëmtohej. Kështu, Hysaj e mbylli vitin 2025 në kuotën e 96 ndeshjeve, duke qenë absolutisht futbollisti me numrin më të lartë të ndeshjeve që ka zhvilluar me fanellën kuqezi. Ndryshe nga Cana që ka luajtur vetëm në një Europian, Hysaj ishte pjesë e Shqipërisë edhe në Europianin e vitit të shkuar, si edhe pjesë e historisë për kualifikimin në “Play Off”. Megjithëse te Lacio nuk po kalon momentin më të mirë, te Kombëtarja ka pasur ecuri fantastike dhe ka ditur të bëjë mirë e të jetë protagonist sa herë që i është kërkuar, duke kontribuuar jo pak.
RENDITJA E FIFA-s Fitoret që Shqipëria arriti të merrte në kualifikueset e Botërorit, u pasqyruan edhe në renditjen e FIFA-s, aty ku kuqezinjtë u ngjitën disa herë në klasifikim. Kështu, Shqipëria në muajin mars humbi një vend në klasifikim dhe e shihte veten në vendin e 66 të klasifikimit të përgjithshëm të FIFA-s, teksa kjo zbritje u pasua edhe në muajt në vazhdim, ku ndikuan barazimi me Letoninë dhe ai me Serbinë. Në korrik, Shqipëria humbi 2 pozicione të tjera dhe e shihte veten në vendin e 68- të dhe dukej se makthi nuk po merrte fund. Por, në shtator Shqipëria rikuperoi 2 vende dhe u rikthye sërish në vendin e 66-të të klasifikimit të përgjithshëm. Në muajin tetor, kuqezinjtë ishin për rekord duke rikuperuar plot 5 vende dhe për herë të parë për këtë vit, u rendit në vendin e 61 të klasifikimit të përgjithshëm. Humbja me Anglinë ndikoi për klasifikimin e fundit dhe Shqipëria humbi dy pozicione të tjera dhe e mbylli vitin në vendin e 63-të të klasifikimit të përgjithshëm të FIFA-s. Rekordin absolut për klasifikimin në FIFA, Shqipëria e ka në vitin 2015, kur për herë të parë në histori, Shqipëria e shihte veten të renditur në vendin e 36, si kurrë më parë ndonjëherë.
DEBUTIMET Silvinjo e ka treguar shpesh herë që nuk ka shumë besim te të rinjtë dhe i qëndron besnik lojtarëve që kanë kontribuuar më shumë te Shqipëria. Por, përtej kësaj, Shqipëria kishte edhe debutime në vitin 2025 megjithëse nuk ishin të shumta. Simon Simoni ishte portieri që debutoi këtë vit me Shqipërinë, ndërkohë që të njëjtin fat kishin edhe Pajaziti, Cake e Gripshi me këta dy të fundit që iu desh të prisnin vetëm fundin e vitit për të marrë minutat e para. Në mars debutoi Shehu që ishte edhe një nga lojtarët me më shumë paraqitje që nga debutimi i tij dhe luajti titullar thuajse në të gjitha ndeshjet e kuqezinjve, si në zyrtare, ashtu edhe në ato miqësore. Të tjerë debutues në vitin 2025 me fanellën e Shqipërisë, ishin edhe Maldini Kacurri dhe Kristian Shpendi, të cilët luajtën së bashku në një ndeshje miqësore me Gjibraltarin në muajin shtator.
RINOVIMI I SILVINJOS Kontrata e trajnerit të Kombëtares, Silvinjo përfundonte në muajin dhjetor. Por, kualifikimi për në “Play Off” të Kupës së Botës, bëri që kontrata e trajnerit të Kombëtares të shtyhej për më tej. Kështu, palët kanë arritur akord për të rinovuar kontratën duke e bërë të vlefshme deri në fundin e muajit, mars kur edhe do të luhen dy ndeshjet e fundit të këtij rrugëtimi historik. Nëse Shqipëria arrin të kualifikohet, atëherë kontrata e trajnerit brazilian do të rinovohet automatikisht për në vazhdim të Botërorit dhe vetëm pas përfundimit, do të vendoset përfundimisht për të ardhmen e tij. Nëse rrugëtimi i Shqipërisë përfundon në mars, edhe kontrata e Silvinjos skadon por kjo nuk do të thotë se trajneri do të jetë zyrtarisht i larguar. Me shumë gjasa, palët do të ulen sërish për të diskutuar për të ardhmen dhe dëshira e të dyja palëve, duket se është që të vazhdojë bashkëpunimi edhe për më tej, ku Shqipëria do të ketë provën e madhe për të tentuar sërish Europianin dhe ndoshta edhe për të shkruar histori të reja.
ÇMIMET E BILETAVE Një nga gjërat negative të 2025 për tifozët shqiptarë, natyrisht që kanë qenë çmimet e biletave për kualifikueset e Botërorit. Përveç faktit që ishte shumë e vështirë të gjendeshin bileta dhe se shumica e tyre po shiteshin në treg të zi, një tjetër problem ishin çmimet e shtrenjta nga vetë Federata. Kështu, shumë tifozë mbetën pa biletë jo vetëm për faktin se nuk po i gjenin, por edhe për koston e lartë që kishte për xhepin e tifozëve pasi çmimet ishin relativisht të larta, sidomos për ndeshjet e rëndësishme apo edhe për Anglinë në fund.







