HomeKultureAnsambli “Kuvendi” mbyll vitin 2025 me një koncert në pallatin e Kultures...

Ansambli “Kuvendi” mbyll vitin 2025 me një koncert në pallatin e Kultures “Artan Cuku” në Kamëz

Advertismentspot_img

77 vite histori, art dhe trashëgimi kulturore – një mbrëmje festive me emra të shquar të këngës, valles dhe muzikës shqiptare nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut

Me një histori të pasur 77-vjeçare dhe një trashëgimi të çmuar artistike, Ansambli Artistik “Kuvendi” e mbylli vitin 2025 në mënyrën më dinjitoze të mundshme: me një koncert madhështor në Pallatin e Kulturës në Kamëz, i cili u kthye në një festë të vërtetë për artin, folklorin dhe shpirtin shqiptar.

Ky aktivitet i rëndësishëm kulturor u zhvillua nën përkujdesjen dhe drejtimin vizionar të Presidentit të Ansamblit “Kuvendi”, z. Neshat Ndreu, i cili prej vitesh po punon me përkushtim për ruajtjen, promovimin dhe lartësimin e folklorit burimor shqiptar në skena mbarëkombëtare. Koncerti u moderua me finesë, elegancë dhe profesionalizëm nga moderatori i mirënjohur Defrim Methasani, i cili i dha aktivitetit një ritëm të ngrohtë dhe një komunikim të shkëlqyer me publikun.

Në këtë mbrëmje festive, në skenë u ngjitën këngëtarë të shquar nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët sollën emocione të forta dhe interpretuan me shpirt këngë që u duartrokitën gjatë nga publiku. Mes tyre spikatën: Liri Rasha, Vera Laçi, Resmie Krasniqi, Qanie Skënderi, Dije Mani, Bajram Kllobçishta, Mislim Strikçani, Edmond Përnezha, Ylber Sopoti, Rruzhdi Dervishi, Mentor Topuzi, Abas Kaca, Muharrem Elezi, Xhevahir Marku dhe Rexhep Kuçi, të cilët dëshmuan edhe një herë vlerat e larta të këngës popullore shqiptare.

Një moment i veçantë dhe mjaft domethënës i mbrëmjes ishte nderimi i këngëtares së shquar dibrane Liri Rasha, së cilës Qarku Dibër, me Kryetar z. Armand Gjini, i akordoi Certifikatën e Mirënjohjes së Qarkut, në vlerësim të kontributit të saj të çmuar ndër vite në ruajtjen dhe promovimin e këngës popullore dibrane dhe folklorit shqiptar. Ky nderim u shoqërua me duartrokitje të gjata dhe emocione të forta në sallë.

Po ashtu, në kuadër të këtij koncerti madhështor, Presidenti i Ansamblit “Kuvendi”, z. Neshat Ndreu, akordoi Certifikatën “Anëtar Nderi i Ansamblit Kuvendi” për personalitete të shquara të artit dhe kulturës, si shenjë vlerësimi për kontributin e tyre të vyer ndër vite. Kjo certifikatë iu dha Mislim Strikçanit, Bajram Kllobçishtës, Qanie Skënderit, Elmaz Lalës, si dhe Kryetarit të QKA Dibra e Madhe, z. Mice Duka, duke vlerësuar rolin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Interpretimet u shoqëruan nga një orkestër profesioniste me emra të njohur si: Ndue Nika, Kujtim Sufa, Naim Vladi, Neki Ndreu, Met Melani, Rruzhdi Dervishi, Alban Murati, Muharrem Elezi, Xhevit Keqa, Dan Bellova dhe Qerim Bellova, duke krijuar një harmonizim të përkryer mes zërit, melodisë dhe ritmit tradicional.

Dimension të veçantë koncertit i dhanë edhe vallet popullore, të interpretuara nga grupi i valleve nën koreografinë e Kristjan Kavallit, si dhe nga valltarët e talentuar Gëzim Luca dhe Gëzim Kaca, të cilët me energjinë, hijeshinë dhe profesionalizmin e tyre ndezën skenën dhe ngritën peshë sallën.

Me mjeshtërinë teknike të fonisë nga Dash Skarra dhe me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve të fushave të ndryshme të artit dhe kulturës, salla e Pallatit të Kulturës në Kamëz ishte e mbushur plot e përplot, duke reflektuar interesin dhe dashurinë e publikut për Ansamblin “Kuvendi”.

Ky koncert jo vetëm që shënoi një mbyllje të denjë të vitit 2025, por dëshmoi edhe një herë se Ansambli “Kuvendi” mbetet një nga shtyllat më të forta të ruajtjes së identitetit kulturor dhe folklorit shqiptar, duke e çuar me krenari trashëgiminë tonë artistike drejt brezave të ardhshëm.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular