Raporti i fundit i Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) hedh dritë mbi një nga problematikat më serioze mjedisore në kryeqytet: shkarkimin e vazhdueshëm të ujërave të ndotura urbane të patrajtuara në Lumin e Lanës. KLSH vlerëson nëse institucionet përgjegjëse kanë marrë masa efektive për eliminimin e këtij fenomeni dhe arrin në përfundimin se masat kanë qenë të pamjaftueshme dhe joefektive.
Sipas gjetjeve të auditimit, Bashkia Tiranë dhe Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT sh.a.) nuk rezultojnë të kenë kryer investime të përshtatshme për përmirësimin e sistemit të kanalizimeve me qëllim eliminimin e shkarkimeve të ujërave të ndotura në Lumin Lana.
Sistemi aktual i kanalizimeve në Tiranë karakterizohet nga një përzierje e kanalizimeve të veçanta me ato të kombinuara, çka çon në kapërderdhje të pakontrolluara të ujërave të ndotura dhe në përmbytje të shpeshta, me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë urbane dhe mjedisin. Kjo situatë është përkeqësuar nga fakti se zhvillimi i rrjeteve të kanalizimeve nuk ka ecur me të njëjtin ritëm me urbanizimin e shpejtë të kryeqytetit.
Sipas informacioneve të vëna në dispozicion gjatë auditimit, gjatësia totale e kanalizimeve në Tiranë është rreth 650 km. Aktualisht ujërat e ndotura të qytetit të Tiranës shkarkohen në lumin e Lanës, pasi kryeqyteti vijon të jetë pa një impiant funksional. ITUN Kashar, parashikuar për të kryer një nivel trajtimi sekondar (për kapacitetin 350,000 p.e) për fazën e parë dhe terciar në nivelin përfundimtar të trajtimit33 (për kapacitetin 681,680 p.e), është jashtë funksionit, duke regjistruar 0% trajtim të ujërave të ndotura. Kjo situatë e mostrajtimit të UN në kryeqytetin e vendit nga AKUK, Bashkia Tiranë dhe UKT sh.a., mbetet kritike dhe është në kontrast me mesataren në shkallë vendi të trajtimit të ujërave të ndotura. Nga raportet e AKM dhe AKU evidentohet ekzistenca e impianteve funksionale të TUN në disa qytete të vendit si në Lezhë, Pogradec, Durrës, Korçë, etj., kurse kryeqyteti, ende është i përjashtuar plotësisht nga ky sistem, thekson raporti.
Sipas të dhënave, sistemet më të reja të kanalizimeve janë zakonisht të ndara, ndërsa rrjetet e vjetra janë kryesisht të kombinuara. Edhe pse ekzistojnë kapërderdhje për largimin e ujit të tepërt gjatë reshjeve të dendura, këto nuk parandalojnë vërshimet e shpeshta të ujërave të ndotura të përziera me ujërat e shiut në rrugë dhe banesa.
30% e popullsisë pa kanalizime, 70% me sisteme të kombinuara
Auditimi evidenton se rreth 30% e popullsisë përdor ende sisteme pa kanalizime (gropa septike), pa trajtim të llumit fekal për rastet që kërkojnë zbrazje. Ndërkohë, 70% e popullsisë përdor sisteme të kombinuara të kanalizimeve, ku ujërat e shiut përzihen me ujërat e ndotura urbane, duke rritur ndjeshëm rrezikun e ndotjes dhe përmbytjeve.
Relacioni i datës 01.12.2020 i hartuar nga AMBU mbi verifikimin e pikave të shkarkimit të ujërave të ndotura konfirmon se Tirana nuk ka impiant trajtimi dhe se, në mungesë të ndarjes së ujërave të bardha nga ato të zeza, shkarkimet kryesore përfundojnë në Lumin e Lanës dhe Lumin e Tiranës. Në zonat periferike, ujërat e zeza shkarkohen në gropa septike ose në përrenj dhe kanale pranë banesave.
E njëjta situatë përshkruhet edhe në Planin e Menaxhimit të Basenit Ujor Ishëm 2024–2029, ku theksohet se sistemi ekzistues i kanalizimeve është i kombinuar dhe i planifikuar të përdoret në maksimum, ndërsa për zonat e reja pa sistem publik parashikohet kanalizim i ndarë. Ndërkohë, ITUN-i i Tiranës është ende në ndërtim, por punimet janë pezulluar.
Nga auditimi rezulton gjithashtu se raporti final i projektit për hartimin, modelimin dhe vlerësimin e sistemeve të menaxhimit të ujërave të ndotura dhe të shiut në Tiranën e Madhe pritet të dorëzohet vetëm në dhjetor 2025, duke vonuar ndërhyrjet prioritare.
Ndërkohë, në dokumentin “Plani i Veprimit për zhvendosje – Shtrati i Lumit Lana, rizhvillim urban” (amendamenti 1), publikuar më 17 janar 2024, Bashkia e Tiranës pranon se zona e Lanës ka vuajtur nga degradimi mjedisor, përmbytjet periodike dhe mangësitë e infrastrukturës publike, si pasojë e zhvillimit të paplanifikuar.
85 shkarkime dhe mungesë totale monitorimi
Sipas auditimit, në Lumin e Lanës shkarkojnë rreth 85 tubacione apo kolektorë, por UKT sh.a. nuk kryen monitorim të shkarkimeve të ujërave të ndotura. Laboratori në administrim të shoqërisë analizon vetëm ujin e pijshëm dhe jo ujërat e shkarkimeve. Po ashtu, UKT sh.a. nuk disponon informacion mbi numrin, vendndodhjen dhe frekuencën e pastrimit të dekantuesve apo gropave septike që lidhen direkt me lumin, ndërkohë që nuk kryhet asnjë trajtim paraprak i ujërave të ndotura para shkarkimit në Lanë.
Një problem i përsëritur lidhet me përmbytjet gjatë reshjeve të dendura, kur rritja e nivelit të Lanës pengon shkarkimin e kolektorëve. Kjo ndodh për shkak se në të njëjtin rrjet shkarkojnë edhe ujërat e shiut, duke përkeqësuar ndikimin mjedisor. Në zonat informale, nga burimi i Lanës deri në rrethrrotullimin e Shkozës dhe nga “Pallati me Shigjeta” deri në pikën fundore, mungesa e investimeve dhe ndërtimi informal i rrjeteve nga vetë banorët e ka bërë të pamundur identifikimin, inventarizimin dhe monitorimin e shkarkimeve.
Aktualisht, MIE dhe AKUK, në bashkëpunim me UKT sh.a., po punojnë për përditësimin e hartës së kanalizimeve përmes sistemit GIS, në kuadër të hartimit të master-planit për kanalizimet e Tiranës së Madhe. Deri atëherë, sipas KLSH, Lumi Lana vazhdon të mbetet një nga pikat më problematike të ndotjes urbane në vend./







