Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit është i qartë dhe se tashmë pengesat për konstituimin e kuvendit të Kosovës dhe qeverisë janë inekzistente.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit kanë qartësuar skenën politike në Kosovë.
Me një fitore të thellë të Vetëvendosjes, pritjet janë që Kuvendi dhe Qeveria e re të formohen pa vonesa, pasi – siç u tha – “bllokadat janë inekzistente”.
Këtë e ka thënë edhe sot kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tregoi se rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit është i qartë, dhe se tashmë pengesat për formimin e Kuvendit të Kosovës dhe qeverisë janë inekzistente.
“Nuk kam ndonjë gjë të re për të thënë rezultati është më i qartë se asnjëherë më parë. Ne kemi pritur se do ta tejkalojmë rezultatin e 9 shkurtit por duket se po e tejkalojmë edhe rezultatin e 14 shkurtit 2021. Bllokimi në formimin e Kuvendit dhe pengesat për formim të qeverisë së re tashmë janë inekzistente”,
Ai ka treguar se shumë shpejt do ta takojë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani ka deklaruar se do të kandidojë edhe për një mandat si presidente e vendit, e për këtë Kurti tha se së pari do të presin konstituimin e Kuvendit dhe më pas do të ecin tutje.
“Ne së pari do të presim që të certifikohen rezultatet duhet te konstituohet Kuvendi të shohim përbërjen e legjislaturës së re dhe me pastaj të ecim tutje. Por, ashtu siç kam thënë sot është dita e fundit e vitit 2025, shpejt do ta takoj presidenten Osmani dhe duhet të bisedojmë bashkë për rrugën përpara. Keni parasysh njëherë është konstituimi i Kuvendit, formimi i qeverisë dhe vetëm më pas është zgjedhja e presidentes”.
Më 28 dhjetor në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare ku e para u rendit Lëvizja Vetëvendosje me 49.3%.
Deri tani janë numëruar votat për kandidatë për deputetë në 69.03 për qind të vendvotimeve. Po ashtu janë verifikuar edhe votat për subjektet politike në këto vendvotime.
Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 48.40 për qind të votave, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 21.54 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 12.50 për qind.
Ndërsa nga dhjetë më të votuarit, nëntë vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje. Albin Kurti (240,466 vota), Glauk Konjufca (187,440), Albulena Haxhiu (98,215), Hekuran Murati (97,280), Donika Gërvalla-Schwarz (87,381), Xhelal Sveçla (78,085), Hajrulla Çeku (71,153), Avni Dehari (71,153), Mimoza Kusari Lila (59,241 vota).
E nga PDK-ja është kryetari i kësaj partie Bedri Hamza me 109 mijë e 900 vota. Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk gjendet në Top 10.
Sipas të dhënave paraprake, LVV-ja do t’i ketë 56 ulëse në Kuvend, pasuar nga PDK-ja me 23, LDK-ja me 15, Lista Serbe 9 dhe AAK-ja 6.
Personi më i votuar në Kosovë është Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit i fitoi 337.791 vota, duke thyer rekordin e deriatëhershëm të presidentes Vjosa Osmani (300.756 vota).







