Rrugët e vendit u përgjakën sërish në ditën e dytë të vitit të ri. Mëngjesin e kësaj të premteje, një tjetër aksident tragjik u shënua, me pasojë vdekjen e dy personave.
Dy automjete u përplasën në aksin Lezhë-Shkodër. Viktimë kanë mbetur çifti i bashkëshortëve, Petrit dhe Elona Florini, 53 dhe 45 vjeç, ndërsa të plagosur mbetën tre të tjerë.
Jashtë rrezikut për jetën janë bashkëshortja e drejtuesit tjetër të automjetit, dhe dy fëmijët e mitur, 6 dhe 2 vjeç. Ishin forcat zjarrfikëse qe kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupave të pajetë nga automjeti.
“Rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Lezhë–Mabë”, në vendin e quajtur Gocaj, janë përfshirë në një aksident rrugor dy automjete: automjeti me drejtues shtetasin F. L. dhe automjeti me drejtues shtetasin P. F. Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën shtetasi P. F., rreth 53 vjeç, si dhe pasagjerja në këtë mjet, shtetasja E. F., rreth 45 vjeç, bashkëshortë.
Gjithashtu, janë dëmtuar 3 pasagjerë që ndodheshin në automjetin me drejtues shtetasin F. L., konkretisht bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e mitur, 6 dhe 2 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.”, njofton policia.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.
.Edhe një ditë më parë, tre të rinj humbën jetën në një aksident tragjik në aksin Gjirokastër-Tepelenë.







